Shërbimi sekret, skema si Obama përgjoi Trump

94

Zeke J Miller

Përpjekja e radhës dhe e guximshme e Donald Trumpit rrezikon të kthehet në një incident të vërtetë të politikës së jashtme. Në tentativë për të justifikuar akuzat e presidentit amerikan se është përgjuar vazhdimisht nga paraardhësi i tij, Shtëpia e Bardhë ka përsëritur të enjten e kaluar akuzat se shërbimi britanik i spiunazhit ka përgjuar presidentin Trump me urdhër të ish-presidentit Barack Obama. Brenda pak orësh një zëdhënës i agjencisë dha publikisht një kundërshtim të këtyre akuzave të Shtëpisë së Bardhë.
“Pretendimet e fundit të bëra nga komentatori i mediave, Andrew Napolitano, rreth GCHQ (Selia e Komunikimeve Qeveritare) që është kërkuar të zhvillojë përgjime kundër presidentit të zgjedhur janë tërësisht të palogjikshme. Janë madje qesharake dhe duhet të injorohen plotësisht”, tha një zëdhënës i GCHQ gjatë një deklarate të rrallë për shtyp ditën e enjte.
GCHQ, Agjencia britanike e Inteligjencës Qeveritare dhe akuivalenti i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, është futur brenda spirales së debateve rreth pretendimeve të Donald Trumpit se ka qenë viktimë e përgjimeve të urdhëruara nga ana e Barack Obamës më 14 mars nga Napolitano, një personalitet konservator i “Fox News”.
Gjatë një interviste me “Fox & Friends”, Napolitano pretendoi se kishte marrë vesh se Obama i kishte telefonuar agjencisë britanike duke i kërkuar që të përgjojë komunikimet e Donald Trumpit, duke cituar 3 burime anonime. Ditën e enjte, sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i përsëriti pretendimet, teksa argumentoi se ekzistenca e raporteve mediatike justifikonin më së miri postimet e 14 marsit në Twitter të Trumpit ku akuzonte Obamën për spiunazh.
Administrata është përpjekur të justifikojë akuzat e Trumpit për më shumë se një javë, duke qenë se republikanët dhe demokratët në Komitetin e Inteligjencës së Senatit kanë theksuar bashkërisht se nuk kanë gjetur asnjë provë të përgjimeve kundrejt Trump Tower. Edhe vetë aleatët e Trumpit janë duke u distancuar nga akuzat, edhe pse presidenti ka përsëritur në një intervistë për “Fox News” se do të paraqiste një informator të ri së shpejti.
Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se përdorimi i thonjëzave për fjalën përgjim nga ana e Trumpit gjatë akuzave të tij, do të thotë se ai përfshin aty të gjitha mënyrat e përgjimeve që janë përdorur kundër tij, por nuk ka ofruar asnjë provë zyrtare për të mbështetur pretendimet e tij. Duke lexuar një listë të gjatë të raporteve mediatike që përmendin sinjalet e inteligjencës rreth Trumpit dhe lidhjet e tij me Rusinë, Spicer citoi:
“Së fundi, më 14 mars në ‘Fox News’, Andrew Napolitano ka bërë deklaratën e mëposhtme”, tha Spicer nga Shtëpia e Bardhë. “Tri burime të inteligjencës kanë informuar ‘Fox News’ se Presidenti Obama ka kapërcyer zinxhirin e komandës. Ai nuk përdori NSA-në, nuk përdori CIA-n, nuk përdori FBI-në dhe nuk përdori as Departamentin e Drejtësisë. Ai përdori GCHQ-në. Çfarë është kjo? Janë inicialet e Agjencisë britanike të Inteligjencës dhe Spiunazhit. E ka bërë thjesht duke urdhëruar dy persona që t’i kërkonin agjencisë përgjimet duke i thënë se presidentit i duhen transkriptet e bisedave ku përfshihet kandidati Trump. Obama arriti ta bëjë këtë duke mos lënë asnjë shenjë të ndërhyrjes amerikane”.
“Duke mbledhur së bashku të dhënat e publikuara deri tani dhe logjikën e pastër, mund të kuptohen shumë gjëra”, tha Spicer. Kur reporterët e pyetën nëse përfshirja e agjencisë britanike ishte diskutuar nga dy qeveritë dhe nëse kjo do të ndikonte të ashtuquajturën “marrëdhënie speciale” ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, Spicer u tërhoq.
“Absolutisht, çështja nuk është ngritur ndërmjet qeverive”, tha ai. “Megjithatë mendoj se nuk jemi duke bërë akuza, thjesht po lexojmë atë që është shkruar në deklarata të ndryshme dhe atë çfarë kanë raportuar të tjerët dhe kjo mendon se ngre disa dyshime lidhur me gjërat që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Nuk jemi duke gjykuar asgjë. Mendoj se duhet të themi që nëse këto organizata dhe këto individë kanë arritur në këto konkluzione, atëherë meritojnë të shqyrtohen faktet”. Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re formojnë Pesë Sytë – një operacion i vjetër prej disa dekadash i bashkëshpërndarjes së informacionit në të cilën vendet ndajnë shumicën e sinjaleve të tyre të inteligjencës dhe zotohen të mos e përgjojnë kurrë njëri-tjetrin.