Përkeqësohet Indeksi i Lumturisë, të fundit në rajon, ia kalojmë vetëm vendeve të Afrikës

41

Kur vjen puna te lumturia, shqiptarët renditen të 109-tët nga 155 vende në të cilat është zhvilluar anketa e Indeksit të Lumturisë, duke lënë pas vetëm vendet e Afrikës dhe vendet ku po zhvillohet luftë. Në raportin më të fundit të Lumturisë Botërore për 2017-ën, për hartimin e të cilit janë dashur mbi tri vite, në fokus vendosen faktorët socialë si PBB-ja për frymë, niveli i perceptuar i korrupsionit, pritshmërinë për jetën, etj.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, në krye të renditjes është Serbia në vendin e 73-të, Kosova 78-in, Greqia 87-të, Bosnje dhe Hercegovina 90-të, Maqedonia 92-in. Ndërkohë që një vit më parë renditeshim në vendit e 95, të parafundit në rajon.
Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo.
Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: prodhimin e brendshëm bruto për frymë, pritshmërinë për jetën, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Renditja është hartuar duke marrë në konsideratë tri vite anketim. Vendet nordike, sigurisht që ishin më të lumturat. Vendin e parë për periudhën 2014-2016 e zuri Norvegjia, pasuar nga Danimarka dhe Islanda. Vendet më pak të lumtura, Siria, Tanzania, Burundi dhe Republika e Afrikës Qendrore. Shtetet e Bashkuara u renditen të 14-tat në renditjen më të fundit.