Mbi gjysëm ton drogë nga Shqipëria kapet në Greqi

76

Policia greke sekuestroi dje gjysëm ton droge dhe arrestoi dy shqiptarë që po transportonin lëndën narkotike drejt Greqisë. Policia e Janinës sekuestroi në total 530 kg kanabis në aksin rrugor që lidh Konicën me qytetin e Kozanë. Policia greke bëri të ditur se, droga e kishte prejardhjen nga Shqipëria. Droga ishte e ndarë në 180 pako, të cilat do t’i shpërndanin në Athinë. Policia u sekuestroi dy shqiptarëve të arrestuar, njëri 53 dhe tjetri 26 vjeç, edhe një shumë prej 170 eurosh dhe tre telefona celularë. Sipas Prokurorisë, të arrestuarit janë pjesë e një grupi të strukturuar të trafikimit të drogës.
Mjeti rezultoi në pronësi të një firme vendase që jep makina me qera dhe si kontraktor figuronte një shtetas grek i moshës 54 vjeç, që është shpallur në kërkim. Me anë të një komunikate, policia greke e quan aksionin e të hënës si një goditje tjetër të rëndësishme ndaj trafikimit të organizuar të sasirave të mëdha të drogës nga Shqipëria në Greqi.
Përgjatë një viti janë kapur më shumë se 13 ton kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria në Greqi. Ky është raporti i fundit i Antidrogës greke, që i përket periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Për çështje që lidhen me trafikun e drogës janë arrestuar në të njëjtën periudhë më shumë se 12 mijë persona. Sa i përket nacionalitetit të të arrestuarve, dominojnë shqiptarët dhe grekët. Këta të fundit po përfshihen përherë e më shumë në transportimin e drogës, të joshur nga pagesa prej 1000 eurosh për çdo rrugë. Autoritetet greke thonë se, përfshirja e shtetasve vendas shpjegohet me vështirësitë që ka krijuar kriza ekonomike, duke bërë mjaft prej tyre që të përpiqen për të siguruar të ardhura nëpërmjet veprimtarive të paligjshme.

Mediat greke: Shqipëria prodhues i madh i drogës

Mediat greke i kanë bërë jehonë dy raporteve ndërkombëtare që e përcaktojnë Shqipërinë si vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në  Europë. Agjencia shtetërore greke e lajmeve “AMNA.gr” përmend raportin e Europol dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. “Europol vë në dukje se Shqipëria është burimi kryesor i trafikut të kokainës në Evropë dhe vend transit i drogave nga Maroku, Afganistani, Libia dhe Pakistani. Raporti i dytë, ai i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se Shqipëria është vend kryesor për prodhimin e marijuanës dhe vend transit për kokainën dhe heroinën që ka si destinacion tregun europian”, shkruan agjencia greke e lajmeve, duke iu referuar dy raporteve.
“Dy raportet kanë shkaktuar tensione brenda koalicionit qeverisës dhe reagimin e opozitës. Luan Rama i LSI vuri në dukje se konkluzionet e raporteve janë shqetësuese. Kryeministri Edi Rama e quajti pozitiv raportin e DASH. Më i ashpër ishte reagimi i liderit të opozitës Lulzim Basha, i cili akuzoi Ramën për lidhje me trafikantë të drogës”, vijon artikulli i medias greke.

Arrestohet bosi shqiptar i drogës në Itali, kishte 4 mijë klientë

Mediat italiane raportojnë se një shqiptar 37 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur ishte shënjestra kryesore e operacionit të Antidrogës të Policisë së Perugias të quajtur “Big Rock” (Guri i Madh). 37-vjeçari ishte pronari i një dyqani në Ferro di Cavallo, Fontivegge e Cortonese.
Sipas policisë, gjatë periudhës janar-mars në vitin 2013, ai ka qenë i përfshirë në 13 raste të shitjes së kokainës dhe i janë gjetur mbi 4000 kontakte në numrin e telefonit që përdorte për të kontaktuar klientët për shitjen apo shpërndarjen e drogës.
Sëbashku me 35 shqiptarë të tjerë, ai u kthye në Shqipëri. Pasi kaloi pak kohë, me mendimin se tashmë ishte i sigurt dhe jashtë vëmendjes së policisë u kthye sërish në Itali, por Policia e Antidrogës e lokalizoi jashtë dyqanit të tij në Cortonese ku dhe e arrestoi. Në hetim përfshihen dhe 22 persona të tjerë të arrestuar së fundmi.
Ndërkohë, një shqiptar 44-vjeçar është vënë në pranga nga policia italiane, pasi ushtronte dhunë seksuale dhe rrihte vazhdimisht të shoqen në Itali. Sipas mediave italiane, shqiptari i ka shkaktuar dëmtime fizike, por dhe emocionale gruas së tij 43-vjeçare. “Ansa” shkruan se çifti jetonte në Savignano prej vitesh. Pas dhunës seksuale dhe fizike ndaj saj, kishte qenë pikërisht gruaja që kishte denoncuar në polici burrin e saj, identiteti i të cilëve nuk dihet.
Drama thellohet akoma më shumë, pasi 44-vjeçari kishte dhunuar, fyer, kërcënuar, madje dhe përdhunuar gruan në sy të tre fëmijëve të tyre të mitur. Tashmë, ai ndodhet në paraburgim nën akuzat “Marrëdhënie seksuale me dhunë” dhe “Dhunë në familje”.

Kapet me 2 kg drogë në Itali, arrestohet shqiptari

Një shqiptar u arrestua nga policia italiane me dy kg substanca narkotike. Në pranga ka përfunduar 26-vjeçari me iniciale V. M., lindur në Shqipëri dhe banues në Poggibonsi. Ai është arrestuar në banesën e tij në mes të natës nga karabinierët. Kontrollet në banesë i kanë gjetur shqiptarit të fshehur në një derë të posaçme në dhomën e gjumit 1.8 kg marijuanë si dhe 200 gramë kokainë (800 doza). Ai kishte edhe një regjistër.