Hetuesit zbardhin vrasjen në Devoll: U krye për drogën

102

Dalin në dritë të tjera detaje për vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Braçanj të Devollit. Njëri nga të plagosurit ka rrëfyer para hetuesve se, 39-vjeçari Zarif Alliu nga fshati Vërdovë i Pogradecit u masakrua për vdekje për drogën që do të trafikohej drejt Greqisë. I plagosuri, Daniel Tola njëkohësisht miku i viktimës, ka dhënë dëshminë e tij, duke zbuluar emrin e autorit si dhe motivet e ngjarjes. Ai ka thënë se, autorit të dyshuar David Myrto do t’i dorëzonin 25 kilogram kanabis për të trafikuar në Greqi.
Si ndërmjetës në këtë rast kishte shërbyer Mendar Burnazi, i cili shoqëronte viktimën dhe të plagosurin. Ata janë takuar me David Myrton në vendin e caktuar, por 25-vjeçari pasi iu ka marrë lëndën narkotike nuk u ka paguar paratë dhe është konfliktuar me dy personat, duke i goditur me sende të forta.
“Drogën do ja dorëzonim David Myrtos, i cili do ta transportonte në Greqi. Si ndërmjetës në pazar shërbeu Mendar Burnazi, por David Myrto refuzoi të paguajë lekët, pasi mori drogën për ta trafikuar në Greqi. Ai na qëlloi me mjete të forta dhe u përleshëm si pasojë e konfliktit”, ka thënë në dëshminë e tij para hetuesve Daniel Tola.
Pas shoqërimit të të plagosurit dhe ndërmjetësit Mendar Burnazi, hetuesit zbuluan mospërputhje të dëshmive të tyre. Fillimisht ata pretenduan për grabitje, duke i fshehur policisë të vërtetën. Por nga ana tjetër, 39-vjeçari nga Maliqi me incialet David Myrto që shoqëronte Alliun, i rrëfeu policisë emrin e agresorit ndaj tyre. Këto dëshmi, bënë që policia të zbardhte të vërtetën dhe të arrestonte për vrasje me paramendim David Myrton.
Po ashtu, Mendar Buranzi, u arrestua për akuzën e dëshmisë së rreme në polici. Blutë e Korçës thonë se hetohet për të sqaruar edhe rrethanat e linjës së trafikut të drogës dhe të personave të përfshirë në këtë rast.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në fshatin Braçanj të Devollit. Mendar Burnazi, Zarif Alliu dhe Daniel Tola, sipas të dhënave fillestare ishin nisur drejt zonës që njihet si “Shtegu klandestin”. Ata do t’i jepnin një sasi droge David Myrtos për ta dërguar në Greqi. Ky i fundit, pasi ka marrë drogën nuk u ka dhënë paratë tre personave ndonëse 39-vjeçari Zarif Alliu ka mbetur pa ndjenja si pasojë e plagëve të marra.
Dy personat e tjerë, Mendar Burnazi dhe Daniel Tola kanë mundur të shkojnë në shtëpinë më të afërt të fshatit, ku kanë njoftuar të zotin e shtëpisë për ngjarjen, duke i thënë se një shoku i tyre ndodhet në gjendje të rëndë dhe i kanë kërkuar ndihmë që ta dërgojnë në spital.
Banorët e fshatit kanë njoftuar policinë dhe e kanë marrë të plagosurin Zarif Alliu për ta dërguar në spital. Në vendgjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë dhe i kanë dërguar në spital të tre të plagosurit, por Zarif Alliu ka humbur jetën si pasojë e plagëve të rënda.