Gjykata Administrative, dyfishohet numri i vendimeve, arrin në 1235 çështje

79

Gjykata Administrative e Apelit si një prej hallkave më të rëndësishme të sistemit gjyqësor në zgjidhjen e përplasjeve sidomos mes biznesit dhe institucioneve ka rritur ndjeshëm numrin e vendimeve të dhëna. Të dhënat nga janari në mars të këtij viti tregojnë se janë dhënë në total 1235 vendime të ndryshme, ndërkohë që një vit më parë numri ishte më pak se gjysma, konkretisht 551 vendime. Sa i përket çështjeve të ardhura duket se fluksi i atyre që trokasin në dyert e kësaj gjykate për probleme të ndryshme nga pronat tek largimi nga puna, dëmshpërblime apo kundërshtime të vendimeve tatimore ka mbetur i njëjtë. Për periudhën nga 1 janari deri më 17 mars 2017 në këtë gjykatë janë regjistruar 1153 çështje të ardhura, ndërsa një vit më parë për të njëjtën periudhë lista e çështjeve të ardhura është 1155. Nga gjenerimi i të dhënave të sistemit rezulton që në gjykim të jenë të paktën 11 125 çështje, të cilat presin për një vendim. Tendenca që po vihet së fundmi pranë kësaj gjykate lidhet me dosje të rëndësishme sidomos për kundërshtime gjobash apo vlerësimesh tatimore nga kompani VIP që operojnë në sektorë të ndryshëm.