Basha i përgjigjet Ramës: E ka të vështirë të kuptojë pluralizmin

69

Edi Rama ka deklaruar dje se është i gatshëm që të zhvillojë zgjedhjet e 18 qershorit qoftë edhe vetëm me Partinë Socialiste në garë, me qëllim fitoren me patjetër të tyre. Në panik nga rritja e mbështetjes popullore ndaj kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe e mbështetjes ndërkombëtare gjithashtu, Edi Rama deklaroi dje se, “Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhje edhe pa opozitën”. Ai u kujdes që ky mesazh i tij të mos kalonte thjesht në një mbledhje të dyerve të mbyllura, por të publikohej si lajmi kryesor në mediat pranë tij.
Rama mblodhi mëngjesin e djeshëm Kryesinë e PS ku kërkoi mobilizimin e të gjithë anëtarësisë në nisjen e fushatës elektorale para kohe. Sipas ultimatumit të tij në mbledhje, çdo strukturë socialiste duhet të nisë organizimin skematik të takimeve me elektoratin duke paralajmëruar se ai me çdo kusht, edhe duke destabilizuar vendin kërkon të marrë sërish me manipulime e blerje votash pushtetin. “Me apo pa PD-në më 18 qershor do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Rama para grupit të tij parlamentar.
Menjëherë pas bërjes publike të deklaratave të Ramës në mbledhjen e kryesisë, kryetari i PD, Basha në deklaratë për mediat tha në mënyrë të prerë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë e aq më tepër zgjedhje, të cilat do të diktohen nga krimi e paratë e drogës, ashtu siç Rama ka përgatitur marrjen e pushtetit.
“Ne nuk kemi asnjë ngut dhe nuk kemi asnjë mëdyshje. Ne jemi të qetë, por të palëkundur në qëndresën tonë. Zgjedhje të ndikuara apo kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Situata është e qartë dhe e thjeshtë: ne jemi me popullin, ata janë me krimin. Vetëm njerëzit me gjendje jo të kthjellët psikike nuk e kuptojnë dot se cili do të jetë rezultati i kësaj përballjeje”, konfirmoi kreu i PD, Basha. Kreu i PD deklaroi se Rama bashkë me njerëzit pranë tij, si pinjollë të diktaturës komuniste nuk mund të konceptojnë dot zgjedhje të lira sipas vullnetit të lirë të qytetarëve.
“Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karrigen e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre. Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit, por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë”, u shpreh Basha në reagimin e tij.