Barcelona rikthehet tek fitorja

89

Spektakël dhe emocione pa fund në “Camp Nou” aty ku Barcelona me shumë vuajtje mposhti 4-2 Valencian, duke ruajtur hapin e Realit të Madridit për të shpresuar deri në fund te mbrojtja e titullit në La Liga. Barcelona edhe pse e nisi mirë sfidën u ndëshkua në minutën e 29-të nga Mangala, i cili goditi saktë me kokë pas harkimiy të Dani Parejos nga këndi për t’i dhënë epërsinë Valencias. Por avantazhi i Los Che nuk zgjati shumë me Luis Suarez që barazoi shifrat 6 minuta më pas, me uruguaianin që shfrytëzoi asistin e Neymar për të mposhtur Diego Alvesin. Në të 44-ën gjërat u bënë më të thjeshta për Barcelonën, pasi Mangala nga protagonist pozitiv deri në ato momente, pengoi Suarezin brenda zone, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Mesi që përballë një eksperti për të pritur penalltitë siç është braziliani Diego Alves nuk gaboi, duke kaluar për herë të parë në avantazh blaugranat. Por nuk ishte e thënë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës së Luis Enriques sepse, Munir El Haddadi, lojtari që luan i huazuar te Valencia pikërisht nga Barcelona ndëshkoi katalanasit me golin e 2-2. Megjithatë në superioritet numerik, Barça realizoi dy herë në pjesën e dytë, fillimisht me Leo Mesin dhe në fund me ishin e madh të sfidë Andre Gomes, i cili vulosi suksesin e blaugranave, duke shënuar golin e 4-t. Me këtë fitore, Barcelona u ngjit në kuotën e 63 pikëve, 2 më pak se Reali që kryeson, por Los Blancos kanë edhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
3 fitore radhazi për Atleticon e Madridit në La Liga. Los Colchoners vazhduan momentin e mirë me suksesin 3-1 ndaj Sevillas në “Vicente Calderon” dhe në të njëjtën kohë zhytën në krizë skuadrën e Jorge Sampaolit. Një fitore e thjeshtë për Atleticon, që u ngjit në kuotën e 55 pikëve, duke blinduar vendin e 4-t dhe duke kërcënuar Sevillan që pozicionohet e treta me vetëm 2 pikë më shumë. Për të zhbllokuar sfidën mendoi një qëndërmbrojtës. Në minutën e 37-të, uruguiani Diego Godin shfrytëzoi një harkim perfekt të Antoine Griezmann dhe me specialitetin e tij që janë goditjet me kokë arriti t’i jepte avantazhin Atleticos. Në të 61-ën Griezmann më i miri në fushë për skuadrën e Diego Simeones ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarde, duke mos i dhënë asnjë shans Sergio Ricos. 2-0 për Atleticon në një moment kyç të sfidës. Suksesi i Los Colchoneros u vulos nga goli i tretë i realizuar nga Koke në minutën e 77-të. Në fund kishte vend për finalizimin e argjentinasit Joaquin Correa, që shënoi golin e nderit për Sevillan, duke fiksuar shifrat përfundimtare të këtij takimi në 3-1.