“18 shkurti i dytë të gjen në Lanë”

107

Kryetari i opozitës deklaroi dje në ditën e 31 të protestës qytetare se lëvizja nuk do të ndalet deri ditën që të realizohet kauza e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike. Basha i ka kujtuar Ramës një shprehje të përdorur nga publicisti Aurel Plasari, i cili i kujtoi atij një ditë më parë se mund të përfundonte si Duçka i varur prej këmbësh.
“Këtë e di fare mirë dhe Edi Rama, i cili dje në monolog pranoi se, Shqipëria është në anomali, sigurisht nuk i njohin vetes përgjegjësitë se janë në këtë anomali, që janë përgjegjësit e drogës, krimit në pushtet, korrupsionit galopant që ia kanë shkruajtur të zezë mbi të bardhë SHBA, me Departamentin e Shtetit në raportin vjetor, BE në raportin e Europolit.
Jo, këto nuk i përmendi, por tha megjithëse është anomali, unë do t’i shkoj deri në fund. E pra, përgjigjen më të mirë ia dha një nga gjigantët e mendimit intelektual, Aurel Plasari, kur  i tha: ‘Mos mor djalë se do të përfundosh si Duçja’.
Edi Rama, ta dish se jemi këtu për të të shpëtuar lëkurën që të mos përfundosh si Duçja. Republika e re do të garantojë që as ti e as ndokush tjetër mos të përfundojë si Duçja. Edi Rama ti je i ikur. Je i ikur. Misioni ynë, këta misionarë këtu, janë mbi të gjitha misionarë të paqes, sepse ne duam që ikja jote të ketë sa më pak kosto për Shqipërinë dhe për shqiptarët e thjeshtë”, tha Basha.
Duke iu përgjigjur Ramës, i cili u shpreh se do të ketë zgjedhje pa opozitën, Basha paralajmëroi Ramën se nuk është koha për të bërë karshillëk në të kundërt fati i tij në protestën e radhës do të jetë në Lanë.
“Se po të ishte puna për karshillëk, 18 shkurti i dytë, të gjen në Lanë dhe jo në zyrë. Por ne jemi këtu si patriotë, si demokratë, si njerëz të një lëvizjeje të madhe të paprecedentë në historinë tonë, që është mbi të gjitha një lëvizje qytetare dhe një lëvizje paqësore. Do të qëndrojmë gjatë, ne në fakt na pëlqen të qëndrojmë këtu, sepse ky shesh është pagëzuar tashmë dhe domethënia e tij për sot dhe nesër, ka hyrë në histori.
Por do të qëndrojmë këtu me një vetëdije të madhe se, me vendosmërinë dhe qëndresën këtu, përmes një qëndrese paqësore, por të vendosur, do t’i sigurojmë Shqipërisë jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por dhe fytyrën me parametrat e vërteta të një vendi europian, të gatshëm për anëtarësim në BE.
Do ta bëjmë këtë shërbim ne. Do ta bëjmë këtë shërbim sepse gjithçka që ti bëre në katër vite, është se largove Shqipërinë nga Europa. Gjithçka që bëre në katër vite, nxive Shqipërinë në sytë e Europës”, tha Basha.
Ai përsëriti se zgjedhje me krimin dhe me drogën nuk do të ketë. “Me kriminelët, me drogën, me nxirrjen e Shqipërisë në çdo raport ndërkombëtar e ata që lexojnë këto raporte, na pandehin si njerëz të botës së tretë. Na pandehin për një shoqëri të pacivilizuar që nuk meriton të jetë as në gjeografinë europiane e jo më në gjeopolitikën europiane. E pra, këtë borxh të madh që Edi Rama dhe një grusht kriminelësh ndërtuan për katër vite në konton europiane, po e lan ditë për ditë kjo qëndresë qytetare, europiane, nga ky shesh i lirisë. Hiqe nga mendja se ka rrugë tjetër”, tha Basha.
Ai ka kritikuar mediat e kapura nga pushteti duke shtuar se ato nuk do të mund që të ndryshojnë të vërtetën për ndryshimin që po vjen.
“Sado të shpifësh ti dhe ca zullapër që ti ke shpërndarë në disa media zullape, të blera, kanale qeveritare, të cilat nga mëngjesi deri në darkë kanë marrë për detyrë, përkundër pagesave të majme me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe me paratë e ndyra të drogës, e vërteta është fare e thjeshtë.
Nuk ka patur që prej vitit 1990, lëvizje më europiane, më euroatlantike se kjo që zhvillohet sot në këtë shesh. Ndaj, përfundimi është i qartë, është fitorja e Shqipërisë europiane. Përfundimi është: Republika e re që do të themelohet mbi votën e lirë të çdo qytetari shqiptar”, tha Basha.

Protesta do të mbyllet me fitore

Kryetari i opozitës ka garantuar se protestat do të mbyllen me fitore. Ndonëse ai është shprehur se nuk ka një datë të saktë se kur ajo do të përfundojë, Basha tha se koha e përfundimit të saj me sukses po afron.
“Nuk e di sa kohë do të kemi këtu në këtë çadër. Shanset janë që nuk do të kemi edhe shumë kohë, sepse e vjetra po bie, krimi do të bjerë, korrupsioni do të dorëzohet, por, ju garantoj se ajo që së bashku kemi nisur këtu do të vazhdojë dhe do të shpërndahet anekënd Shqipërisë, si ëndrra më e bukur, projekti më i dëlirë, që prej Shqipërisë së vitit 1990. Dhe për këtë, ka një autor, një meritë të madhe, dhe kjo është rinia shqiptare”, tha Basha.
Kryetari i opozitës iu përgjigj Ramës duke deklaruar se zgjedhje pa garantuar votën e lirë dhe zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
“Zgjedhje pa garantuar votën e lirë të çdo qytetari shqiptar, ne nuk do të lejojmë. Nuk do të ketë zgjedhje fasadë.
Ndaj, bëji derman vetes, na kurse edhe ne, gjithë këtë hare dhe gëzim, rritjen e radhëve ditë për ditë, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hap rrugën për qeveri teknike dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se çfarë do të ndodhë, do ta caktojnë qytetarët.
U them të rinjve dhe të rejave shqiptare, demokratë, socialistë dhe çdo partie qofshin apo pa bindje politike.
Kur ju, kur qytetarët të kenë vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni, realiteti i ri politik, Republika e re, do të konkretizohet me një akt”, tha Basha.

Basha për rininë

Në këtë shesh, rinia e ka thënë fjalën e saj që prej ditës së parë, e tha edhe sot. Jam i përulur, por edhe i frymëzuar tek dëgjoj të rejat dhe të rinjtë në këtë shesh që artikulojnë me bindje atdhetare, me mençuri të jashtëzakonshme dhe me kulturë europiane, besimin e tyre dhe vendosmërinë e tyre për të mos e lënë Shqipërinë kështu siç ka qenë. Kur e themi ne, është një propozim, kur e thotë rinia është vendim dhe do të bëhet realitet.
Këtë e di mirë çdo shqiptar, na e tregon historia jonë, na e tregon dhjetori i vitit 1990, ku një komb i tërë, një shoqëri e tërë, e kërrusur në dëshpërim, izolim dhe shtypje, u ngrit në këmbë. Sepse, në këmbë e ngriti rinia, e ngritën të rinjtë dhe të rejat që panë të ardhmen përtej perdes së zymtë të realitetit të përditshëm, panë agimin e një dielli të ri, e një shprese të re, të lirisë dhe demokracisë.
Sot e tash 4 vjet në një Shqipëri të nëpërkëmbur e të kërrusur nën peshën e krimit, drogës, korrupsionit, varfërisë, arrogancës, të qeverisë të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me qeverinë, do të ishte e pamundur të çoheshim e të bashkoheshim të gjithë kështu, nëse kësaj lëvizje të madhe popullore, më të madhe se Partia Demokratike, më të madhe se opozita, nuk do t’i printe ëndrra më e bukur e çdo kombi, shpresa më e madhe për të nesërmen, rinia shqiptare.
Ndaj, dua t’u them sot, se para së gjithash dhe mbi të gjitha, Republika e re që po buron nga ky shesh i qëndresës, nga ky shesh i lirisë është Republika juaj, e juaja të rinj dhe të reja shqiptare.
Deri para 31 ditësh, këtu në këtë shesh tundeshin hijerëndë të korruptuarit, të inkriminuarit e veshur me pushtet, sa në zyrat e shtetit, sa në zyrat e njëri-tjetrit, sa në restorante ku fryhen ditë për ditë me paratë e grabitura nga gjaku dhe djersa e popullit, ky shesh pra i qytetit, sheshi i kombit shqiptar, ishte prona e tyre.
E pra, sot e mot ky shesh dhe gjithë Shqipëria do të jetë prona e të rinjve dhe të rejave shqiptare, e dëlirësisë së tyre, e çiltërsisë së tyre dhe e vullnetit të tyre për liri, për demokraci, për barazi para ligjit dhe për konkurrencë të lirë e të ndershme.
Ja si ka filluar dalëngadalë të tërhiqet dallga e vjetër e republikës së krimit, të struket pas fasadave, të mërmërisë me vete fjalë pa kuptim. Dhe ja si ka filluar ditë për ditë të burojë shpresa, vendosmëria, besimi se Republika e re tashmë nuk është thjesht një koncept në kokën e askujt, por është një shpresë dhe një vendim në shpirtin e gjithkujt.

Republika e re do të jetë realitet i ri dhe konkret

Republika e re është republika ku qytetarët nuk kanë frikë hijerëndët që kapardisen me arrogancën e pushtetit.
Republika e re është vendi ku pushtetarët ulin kokën para çdo qytetari.
Republika e re e garanton këtë përmes një shteti ligjor funksional, ku ligji shkruhet dhe votohet në emër të çdo shqiptari, zbatohet njësoj për çdo shqiptar.
Republika e re e garanton këtë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë thjesht dhe vetëm rregulla loje, por do të thotë edhe rregulla loje brenda partisë, do të thotë qarkullim elitash, do të thotë sa më shumë të rinj e të reja në Parlamentin e Republikës së re dhe në nivelet vendimmarrëse të Republikës së re.
Dhe sa më takon mua, një e treta e kandidatëve të PD, në zgjedhjet e lira dhe të ndershme që do t’i paraprijnë Republikës së re do të jeni ju të rinj e të reja të PD, të rinj e të reja shqiptarë. Asgjë nuk ju mungon. Keni mençurinë, keni gjykimin politik, keni dashurinë për Shqipërinë, për atdheun, për familjen, për shoqërinë, për komunitetin.
E pra, me këtë çiltërsi që keni demonstruar sot në këtë shesh, me këtë vendosmëri që keni demonstruar tash e 31 ditë, le ta dijë çdo shqiptar nga Jugu në Veri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Preshevë, Mal të Zi e kudo në diasporë, se Republika e re jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të jetë realiteti politik kudo ku frymon dhe flitet shqip.
Le ta dinë miqtë tanë, se ky nuk është një projekt individual apo partiak, se nuk vjen e as nuk shkon me Lulzim Bashën apo me dikë tjetër. Se ky projekt ka një themel të patjetërsueshëm dhe kjo është shpresa dhe vendosmëria e rinisë për një jetë të re, për një Shqipëri të re, ku asgjë nuk duhet të jetë dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë.