Udhëtim në Shqipëri, çfarë këshillojnë britanikët

60

Lista e këshillave që britanikët ofrojnë për shtetasit e tyre që duan të vizitojnë Shqipërinë është e gjatë. E rifreskuar së fundmi gov.uk bën të ditur se mbi 80,000 britanikë vizitojnë çdo vit Shqipërinë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë raportuar probleme.
Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt për britanikët dhe veçanërisht Tirana është qytet i qetë. “Krimi dhe dhuna ndodhin në disa zona, por nuk janë të orientuara kundrejt të huajve”, këshillon gov.uk.
Një element i veçantë që bie në sy është kujdesi, që britanikët këshillohet të tregojnë te çështjet e shëndetit dhe higjienës. “Uji i rubineteve në Shqipëri mund të shkaktojë sëmundje, ndaj ju duhet të pini vetëm ujë të ambalazhuar. Nëse pini qumësht, atëherë duhet të siguroheni që është UHT”.
Përpos këtyre këshillave, agjencitë britanike po ofrojnë një sërë paketash turistike duke e konsideruar Shqipërinë si një destinacion tërheqës. “Kudutravel” rezervon për vizitorët ture ku përfshihet Shqipëria – Maqedonia dhe Kosova të titulluar “Të ecësh në historinë e Ilirisë”. Ky është një tur që ofron qëndrim 14-ditor për një çmim prej 2,690 paund ose 3,173 eurosh. Një udhëtim që mundëson vizita në shumë qytete e ku mund të gjenden ende gjurmë të qytetërimit të hershëm të Ilirisë. Vizitorët do të mund të shijojnë udhëtimet në disa liqene, si ai i Komanit apo edhe i Ohrit, por edhe të njohin diversitetin e Parkut Kombëtar Galicica në Maqedoni.
Një mundësi që promovon disa destinacione që kanë shumë të përbashkëta, por edhe dallime në zakone e tradita.
Në Shqipëri, ky tur konsiston në ecjet e gjata në Alpe, eksplorimi i site-ve arkeologjike duke u shoqëruar me një guidë, vizita në manastiret ortodokse të shekullit të 15, si dhe me njohjen e të veçantave në fushën e kulinarisë në çdo zonë që do të shëtitet.