Si këlyshi i Aldo Bares në Kuvend provokoi konfliktin

91

Erion Braçe, deputeti shtatshkurtër i Partisë Socialiste, ka arritur të bllokojë zhvillimin normal të seancës parlamentare, gjë që ka sjellë dhe reagimin e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Braçe ose “konia” i PS-së, siç etiketohet dhe nga kolegët e tij brenda mazhorancës (një prej tyre dhe Ben Blushi), dje në seancën e radhës në Parlament, herë pas here ka tentuar të ndërpresë ish-kryeministrin Berisha, teksa fliste për kapjen e shtetit nga bandat dhe krimi i organizuar. Gjatë fjalës së ish-Kryeministrit, Braçe disa herë ka ngritur zërin, duke lëshuar fjalë ofenduese në drejtim të tij, gjë e cila ndalohet në rregulloren e Parlamentit. Gjithçka ka ndodhur në sytë e nënkryetares së Kuvendit Valentina Leskaj, e cila megjithëse shihte veprimet jo normale të deputetit të partisë së saj, sërish nuk merrte masa ndaj tij. Kjo situatë ka sjellë dhe reagimin e Flamur Nokës, deputeti i PD-së i cili i ka bërë disa herë thirrje Braçes që të ulë zërin dhe të lerë të flasë sipas rregullores ish-kryeministrin, që kishte marrë fjalën. Por momenti që ka acaruar gjakrat, ka qenë pjesa kur Berisha ka përmendur emrin e Aldo Bares, një i njohur i vjetër i Erion Braçes që nga koha kur i kërkonte ndere për tenderat e Lushnjës, gjë e cila është evidentuar dhe nga zbardhja e tabulateve nga policia italiane të pjesëtarëve të bandës së Aldo Bares.

Emri i Aldo Bares

Përmendja e emrit të banditit lushnjar, nga ana e ish-Kryeministrit ka sjellë dhe tërbimin e Braçes, i cili i është drejtuar me fjalor fyes që arriti kulmin. Në këtë kohë është ngritur deputeti i PD-së, Flamur Noka me një rregullore në dorë, duke i thënë: “Kjo që bën t’i është shkelje e rregullores, në rast se se ke mësuar, atëherë lexoje”, dhe ia hedh në tavolinë. Trimit Braçe në fakt iu desh disa minuta të merrte veten nga tronditja, megjithëse veprimi i Nokës, ishte normal dhe nuk kishte qëllime dhunimi ndaj tij. Në këtë moment, Valentina Leskaj që drejtonte seancën ka urdhëruar ndërprerjen e seancës me pretendimin se Erion Braçe është rrahur, ndërkohë që të gjithë e panë se ajo çfarë e preku deputetin socialist nuk ishte gjë tjetër vetëm se një copë letër, aspak e ngjashme me veprimin që kryen disa kohë më parë kolegët e Leskajt, Arben Frroku dhe Pjerin Ndreu ndaj deputetit Gent Strazimiri. Seanca është ndërprerë, dhe më pas Leskaj ka thirrur Byronë e Kuvendit.

Byroja

Mbledhja e Byrosë vendosi përjashtimin për dhjetë ditë nga seanca të deputetit Flamur Noka. Mbledhjen e ka drejtuar kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili ka abstenuar me votën e tij. Anëtarët e opozitës në byro kanë kundërshtuar këtë vendim, duke i kujtuar Leskajt se veprimi i saj ishte në shkelje të nenit 64 të rregullores. Në mbledhjen e byrosë, ai që duhej përjashtuar ishte deputeti socialist, por masa është marrë vetëm për deputetin e opozitës, një vendim i cili tregon dhe një herë arrogancën e kartonave që përdor kjo mazhorancë. Në fillim të seancës fjalën do e merrte kryetari i grupit parlamentar, i cili e konsideroi sjelljen e mazhorancës si arrogante dhe me dy standarde, duke i kujtuar dhe një herë nenin përkatës të rregullores, i cili duhet të penalizonte Braçen. Paloka argumentoi se ishte Braçe dhe Taulant Balla ata që duhej të përjashtoheshin për sjelljen e tyre të përsëritur, duke akuzuar dhe një herë mazhorancën dhe qeverinë që po sillet si bandë. “Morali i kësaj qeverie dhe mazhorance është ky, opozita në burg, populli në burg, ndërsa kryetari shkon bën qoka te Shullazi dhe banditët e tjerë. Mos ka shkuar për qokë te “Hakmarrja për Drejtësi”? Ka shkuar të takojë mikun e tij Shullazin në spital? Apo ka ikur të ngushëllojë Armando Prengën”, ka thënë Paloka. Pas fjalës së Palokës, opozita ka braktisur seancën.

Sali Berisha: Gores i thuhet kuç

Për këtë përjashtim ka reaguar edhe Sali Berisha. Berisha e  quajti të imponuar sjelljen. “Sjellja e zotit Noka ishte imponim, sepse ai (e ka fjalën për Braçen) nuk la gjë pa thënë. Gores i thuhet kuç. Ç’ke që flet. Ti do të flasësh edhe kur flas unë edhe para meje edhe pas meje”, u shpreh Berisha.

Flamur Noka: Kërkojnë t’i mbyllin gojës opozitës

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e tij me 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Duke folur para mediave, deputeti demokrat thotë se ai reagoi ndaj fyerjeve, por nuk e “preku me dorë kolegun Braçe”. “Braçe duhet të zbatojë rregulloren. Këtë gjë bëra unë, ia hodha rregulloren fytyrës që ta lexojë”, tha Noka. Duke komentuar vendimin e Byrosë për të mos përjashtuar deputetin Erion Braçe, kërkesë kjo e PD, deputeti Noka tha se qeveria Rama vepron me dy standarde.
“Ky është standardi i demokracisë i kësaj qeverie kriminale. Kjo është ajo që ndodh në vendin e quajtur banditistan. Unë që u ngrita për të ndaluar fyerjen në Parlament, unë që nuk shava asnjë njeri, unë që nuk preka asnjë njeri me dorë, unë u përjashtova. Ndërsa konet e krimit janë aty në Parlament. Kjo qeveri nuk meriton më të mbijetojë dhe të qëndrojë në këmbë, se këtu vetëm parlamentarizëm nuk ka. Kërkojnë t’i mbyllin gojën opozitës, por në 18 shkurt opozita do të jetë në shesh për t’i mbyllur gojën kësaj qeverie”, tha Noka.

Përmendja e Aldo Bares, tërbon Braçen

Gjithçka ndodhi në momentin kur po fliste ish-Kryeministri Berisha, i cili përsëriti akuzat e tij ndaj kryeministrit Rama, për lidhje me krimin. “S’mund të lejoj që Shqipëria të shndërrohet në banditistan. 18 shkurti është dita për t’i dhënë duart njëherë e përgjithmonë kryebanditit Edvin Kristaq Rama, që në pushtet solli terroristët, bandat kryesore, krimin më të shëmtuar.
Javën e kaluar solla prova për lidhjen e Olsi Ramës me “Hakmarrjen për Drejtësi”, me grupin e Xibrakës. Solla të dhënat e sistemit TIMS që tregojnë se Olsi Rama doli jashtë shtetit me makinë të modifikuar për transportin e kokainës. Rama ka 4 javë që fshihet si mi, të vijë këtu t’u thotë shqiptarëve përse. Të tregojë mesazhet që merr nga burgu nga Aldo Bare, Dritan Dajti, etj. Grupin terrorist më të fuqishëm të Ballkanit e shpalli të pafajshëm një javë më parë. Edi Rama është koka e krimit, i denoncuar nga Dondollaku në Prokurorinë e Firences. Më 18 shkurt të shkërmoqim banditokracinë”, deklaroi Berisha, gjë e cila ka bërë që Braçe të humbë toruan dhe t’i drejtohet me fjalë fyese ish-kryeministrit të vendit.

Paloka: Rama në panik, u jep porosi këlyshëve të provokojnë

Për kreun e Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, mazhoranca është e përfshirë nga frika dhe për këtë arsye është një mazhorancë që ka bllokuar dhe punimet e Parlamentit. Duke folur pas ndërprerjes së seancës, Paloka u shpreh se duhet të ndëshkohen të gjithë deputetët që thyen Rregulloren e Kuvendit, duke nisur që nga ata socialistë. “Mazhoranca është në situatë frike. Parlamenti është bllokuar prej gati 1 ore. Incidenti që ndodhi kishte shkaktar deputetët e mazhorancës, të cilët thyejnë rregullisht dhe janë dy deputetë tipikë, Balla e Braçe dhe pikërisht gjithmonë kur flet ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri. Kryetarja u bë qesharake, kur tha se e pashë në Kuvend që Noka e ka gjuajtur Braçen dhe nuk e pa Braçen që shau. Kërkesa jonë është që të përjashtohen të gjithë ata deputetë që thyen rregulloren, duke nisur që nga deputetët socialistë. Kryetari i kësaj mazhorance ka frikë dhe nuk vjen prej 1 muaji në Kuvend dhe u jep porosi këlyshëve të tij, të cilët nuk zbatuan as porositë e kreut të grupit parlamentar, që u kishte thënë të mos provokonin. Kjo është një mazhorancë që ka bllokuar Parlamentin.

Neni 64  Masa disiplinore e tërheqjes së vëmendjes dhe vërejtjes

Kur deputeti thotë fjalë të pahijshme, pengon me sjelljen e tij zhvillimin e seancës plenare ose cenon rregullin e saj, i tërhiqet vëmendja nga drejtuesi i seancës plenare.
2. Në rast se deputeti, ndaj të cilit është zbatuar masa disiplinore e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, kërkon të japë shpjegime për veprimet e tij ose gjuhën e përdorur, fjala i jepet në përfundim të seancës plenare të asaj dite për jo më shumë se 2 minuta.
3. Kur deputeti e përsërit shkeljen në të njëjtën seancë plenare, pasi i është tërhequr një herë më parë vëmendja, ose deputeti që cenon seriozisht rendin në seancë plenare i jepet vërejtje nga drejtuesi i seancës. Masa disiplinore e vërejtjes jepet nga drejtuesi i seancës për deputetin që përdor për votim kartën e votimit të një deputeti tjetër. Vërejtja regjistrohet në procesverbalin e përmbledhur të seancës plenare dhe bëhet publike.
4. Në rast se shprehjet ose fyerjet e bëra nga deputeti në seancë plenare tërhiqen prej tij në po të njëjtën seancë dhe deputeti kërkon publikisht ndjesë për sjelljen e tij, masa disiplinore e dhënë në zbatim të pikës 3 të këtij neni anulohet nga drejtuesi i seancës.
5. Kur deputeti pengon zhvillimin e rregullt të seancës, nëpërmjet zaptimit të foltores dhe moslejimit të deputetit të radhës të marrë fjalën, për më shumë se 2 minuta, atëherë Kryetari i Kuvendit i tërheq vërejtjen dhe e paralajmëron për marrjen e masës së përjashtimit në rast vazhdimi.