Populli nuk beson më Ramën!

188

Ilir HILAJ

Grabitja e 2 milionë eurove zbuloi besimin real të popullit në “Shtetin Rama”. A ju kujtohet si uturinin ekranet se këta po bënin shtet? Sot kuptojmë modelin e shtetit për të cilin flisnin. Ndërsa 100 fishekë kallashnikovi të qitura nga gabitësit, pritej të sillnin panik tek udhëtarët që shkonin drejt Rinasit, ka ndodhur e kundërta. Qytetarët kanë nxjerrë smartfonat dhe çuditërisht nuk kanë telefonuar as 129 (Policinë e Shtetit), as 126 (Policinë Rrugore), as 08009090 (abuzimin e policisë), as kanë kërkuar aplikacionin e komisariatin dixhital të policisë. Kamerat e tyre fiksuan një roje sigurie që po bënte një denoncim publik ndaj policisë. Kjo është përgjigjja më e thjeshtë e mundshme, që publiku i jep Ramës. Nuk ka nevojë për sondazhe të OJQ-ve pro qeveritare që të kuptosh se publiku mendon njëlloj si opozita, por edhe njëlloj si ai roja privat, se policia është në mbrojtje të veprimtarisë kriminale, duke filluar nga marijuana tek përgjimet e paligjshme, rrjedhja e informacionit të klasifikuar etj., dhe ndaj askush nuk do ta vendosë veten përballë krimit i tradhtuar nga policia, ndaj u gjet më e lehtë të filmosh sesa të telefonosh. Kur Rilindja erdhi në pushtet ju tregoi hekurat e burgut popullit, por asnjëherë krimit, por propaganda e tyre ishte në maksimum se po bënin shtet se e kishin gjetur rrumpallë. Po pse po humbet besimi tek shteti i Ramës? Ai ju gjeti 300 000 vende pune, ju taksoi ndershmërisht, jua uli çmimin e energjisë, jua uli çmimin e naftës, jua uli çmimin e gazit, u kujdes për ju që t’ju funizojë me dru zjarri këtë dimër siberian që lamë pas nëpërmjet bashkive, ju dha shëndetësinë falas, ju dha ndihma ekonomike për familjet në nevojë edhe pse varfërinë po e zhduk e këto familje janë fare pak, ai ndali përmbytjet në vend, ai është Mesia vetë. Kudo ku shkel ai ndodhin mrekullira, edhe pse opozita me pa të drejtë e etiketon “tersi”! Shkoni në datë 18 për ta përshëndetur atë. Do të ketë mjaft njerëz që do të shkojnë ta përgëzojnë ndaj mos humb rastin!