Euro arrin nivelin më të ulët të vitit në tregun vendas

100

Monedha e përbashkët ka arritur dje në nivelin më të ulët të këtij viti, duke reflektuar dobësinë e euros në tregjet ndërkombëtare, por dhe ofertën e brendshme të lartë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 135.43 lekë, 0.12 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i këtij viti, pasi në fillim të janarit euro ishte këmbyer me 135.47 lekë, për t’u rritur deri në 137.29 lekë nga mesi i muajit (i ndikuar nga transferimet e fitimeve të kompanive) dhe më pas ka parë një rënie të vazhdueshme. Në të kundërt, dollari është rritur ndjeshëm ditën e djeshme, duke u mbiçmuar me 0.62 lekë në 128.26 lekë. Arsyeja kryesore e këtyre lëvizjeve lidhet me ecurinë e bursave ndërkombëtare. Euro zbriti dje në 1.05 dollarë dhe monedha e gjelbër u forcua duke shënuar periudhën më të gjatë me rritje në pothuajse 5 vjet, pasi drejtuesja e Rezervave Federale të SHBA-ve, Janet Yellen, dha sinjale për një rritje të mundshme të normave të interesit, pas komenteve për një përmirësim të ekonomisë amerikane. Krahas dobësisë në tregun ndërkombëtar, edhe në tregun e brendshëm euro është ndikuar nga një ofertë e lartë muajt e fundit. Për krahasim, rreth dy vjet më parë, kur euro këmbehej me dollarin në nivele të njëjta si sot, në tregun e brendshëm euro këmbehej me rreth 138-139 lekë, ndërsa dollari kapërceu 130 lekë. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, ka theksuar se oferta e lartë për euro ishte shkaktari kryesor në forcimin e monedhës vendase lekut në tremujorin e fundit të vitit, thotë Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të zhvillimeve ekonomike në vend. Kështu, kursi i këmbimit të lekut me euron ka qenë në një tendencë të vazhdueshme mbiçmuese, duke kulmuar në ditët e fundit të muajit dhjetor në nivelin 134.4, më i ulëti në pesë vitet e fundit. Përgjithësisht, deri në datën 20 të çdo muaji, euro dobësohet, për shkak të kërkesës për lekë nga kompanitë që nxitojnë të paguajnë TVSH-në dhe sigurimet shoqërore. Muajt e fundit, kjo tendencë është përforcuar, për shkak të fillimit të punimeve nga gazsjellësi TAP, investimi më i madh aktual në Shqipëri. Këtë vit, TAP ka bërë të ditur se do të investojë rreth 400 milionë euro, por gjithsesi, pjesa më e madhe e kësaj valute nuk konvertohet në lekë, pasi janë tubat që shtrohen nën dhe, ndërsa ndikimi më i madh është në datat e pagimit të taksave e sigurimeve.