64% e investitorëve të huaj: Në Shqipëri, mjedis i papërshtatshëm për biznes

136

FIAA, besimi i investitorëve të huaj mbetet negativ, 64% e konsiderojnë mjedisin të papërshtatshëm. Pedrazzi: Si ka mundësi që një vend me rritje të PBB-së, ulje të kredive me probleme, ku investitorët deklarojnë rritje të xhiros, të ketë kaq shumë kriticizëm? Besimi i investitorëve të huaj për mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri është negativ (-29 pikë). Ky është përfundimi i dalë nga indeksi i realizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, FIAA. Sipas tyre, edhe gjatë vitit 2016, besimi ka mbetur negativ, duke mos pasur ndryshim të madh në raport me vitin e mëparshëm. Janë rreth 64% e bizneseve të anketuara që kanë deklaruar se mjedisi i të bërit biznes është i papërshtatshëm. Vrojtimi i realizuar nga IDRA është realizuar në 70 kompani të rëndësishme që u përkasin sektorëve si shërbime, industri etj. Sondazhet u realizuan me metodën “ballë për ballë” për periudhën 2016-2017. Prezantimi i vrojtimit u bë nga Ivi Rexhepi, i IDRA-s. Gati gjysma e kompanive kanë pasur rritje të xhiros më 2016, 25% rënie dhe 25% nuk kanë ndryshuar. Problemet kryesore të evidentuara nga biznesi janë: sistemi gjyqësor, korrupsioni, eficienca e Gjykatës Administrative, si dhe ndryshimi i vazhdueshëm i ligjit mbi procedurat tatimore. Sipas vrojtimit, rreth 78% e biznesit mendojnë se shqetësimi kryesor janë gjykatat, nga 66% që ishin vitin e kaluar. Në fjalën e tij të hapjes, presidenti i FIAA-s, Silvio Pedrazzi, tha se vitin e kaluar biznesi është përballur me probleme në fushën e drejtësisë, me informalitetin dhe sistemin e taksave dhe ky ishte edhe qëllimi se përse vrojtimi u realizua sërish. Sipas z. Pedrazzi, disa rezultate mund të jenë në konflikt me rezultatet e institucioneve të tjera, por qëllimi ka qenë që të jepet një panoramë e investitorëve për të gjithë sistemin. “Për të zgjidhur problemet e sipërpërmendura janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, por sërish problemi vazhdon të mbetet zbatimi i tyre. Niveli i pritshmërisë së FIAA-së është i lartë, madje më i lartë se në vitet e mëparshme duke qenë se konkurrenca po bëhet më e ashpër.