Traktoristi i dalluar Edi Rama

1270
Kreyeministri Edi Rama, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar projektligji per autoritetet e drejtimit dhe komandimit ne Forca e Armatosura te Shqiperise./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, speaks during a parliamentary session.

Endira BUSHATI

Tashmë, edhe e diela, i takon Ramës. Televizionet, tashmë të gjitha njësoj, vendosin në skenë teatrin e Kryeregjisorit Kryeministër. Kjo e dielë televizive nuk u mjaftua me skeçin “Komunikimi i Javës”, por kishte edhe “frymën e Kongresit” të ditës, 25-vjetorin e FRESSH.
Teksa dëgjoja Ramën, në 25-vjetorin e rinisë socialiste, në përpjekjen e tij të stërmundimshme për t’u dukur një shtetar serioz, më tërhoqi vëmendjen një fjali:
“…..ne nuk punojmë t’u japim prindërve lëmoshë sot, por punojmë që fëmijtë e tyre 5, 10 apo 15 vjeç të kenë një të ardhme…..”
M’u kujtua, kur në klasë 5 apo 6, gjatë viteve ‘86-‘89, teksa përgatisnim për të martën “Informacionin Politik”, në gazetë, syri të kapte tituj si: “Traktoristi X.Y. punon për vitin 2010”, “Kamionisti Y.Z. punon për vitin 2020”, etj
Atëherë fëmijë, frymëzoheshim nga këto personazhe edhe pse në shkollë ngrinim nga i ftohti, edhe pse dëgjonim prindërit që kërkonin “me mik” të gjenin një pako gjalpë më shumë….tek ne rrënjosej bindja se Partia, po punonte natë e ditë, që në 2020 ne të kishim një të ardhme më të ndritur.
Në 2017, e njëjta propagandë, madje e shumëfishuar, nga mëngjesi deri në darkë, tashmë jo vetëm nga TVSH, por nga disa TVSH! Aq frikë e terror ushtrohet sot përmes ekranit, sa televizioni sot ngjan me “Teleekranin” përgjues të Orëell në romanin e tij “1984”.
Qëllimin e ka të qartë: mbjellje frike, propagandë dehëse dhe vjedhje zgjedhjesh. Në këto pak muaj të mbetur nga mbarimi i mandatit, teksa afrohen zgjedhjet, secili, politikan apo votues i thjeshtë natyrshëm bën një analizë mbi qeverisjen e këtyre 4 viteve: Çfarë ka bërë Rama këto 4 vjet? – është pyetja.
Për këdo që ndjek politikën, është e qartë që i vetmi sektor që Ramës i ka funksionuar në përsosmëri, është propaganda! Orë të tëra televizive, shoë, shpërndarje leje legalizimesh, batuta, xhup sportiv, foto dite në Facebook e së fundi “amarcord”…
Nga të gjitha kemi parë, në një përpjekje energjeke e të pandalshme për t’u dukur “i lezetshëm” për publikun që pëlqen dëfrimin, “garip” me fshatarët, “lider i Ballkanit” me të huajt dhe “baba i mirë” në familje…
Por, përtej kësaj, është e vështirë, madje e pamundur, të numërosh se ç’të mirë plus ka sjellë në jetën e shqiptarëve kryeministri i vendit!
Përpjekjet e tij gjoja për të rivendosur sundimin e ligjit për vjedhjen e energjisë elektrike, ndërtimet pa leje, kuponin tatimor etj, dëshmuan thjesht arrogancën e pamëshirshme të pushtetit ndaj më të dobtëve. Ndërkohë që “Tempulli i Demokracisë”, Parlamenti, duhej të “pastrohej” nga trafikantë e vrasës, burgjet u mbushën për ndërtime çatish pa leje. Dhe kjo në shtetin që ka ligj për legalizimin e ndërtimeve pa leje!
Ndërkohë që media ndërkombëtare raporton për mijëra tonë drogë nga Shqipëria, ndërkohë që u rrëzuan avionë, u ndërtuan pista avionësh dhe raportohen parcela në të gjithë vendin, publiku pa ndalime e arrestime për sallatë jeshile pa kupon tatimor.
Në shoqëri u riinstalua frika që me “qeverinë nuk luhet”, ndërkohë që qeveria i toleron vetes lloj-lloj shkelje ligji! Rilindi prapë psikoza që qeverinë duhet ta kesh frikë!
Nuk ia vlen të zgjatesh me premtimet me të cilat erdhi në pushtet. Të gjitha rezultuan një mashtrim, që nga shëndetësia falas, mbyllja e lojërave të fatit e deri tek ligji i importit të plehrave.
Administrata publike e kthyer në administratë private ndarë sipas përqindjeve të aleatëve të koalicionit, ligj i ri pronash që ua merr pronën ish-pronarëve për herë të dytë, korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me qeverinë, droga si kryelajm çdo ditë dhe Kuvend që duhet dekriminalizuar, është përmbledhja e kësaj qeverisjeje në pak rreshta.
Të gjitha këto, Rama në mediat e blera, është përpjekur t’i zvogëlojë me batuta. Por, nëse këtu batutat, falë mediave, “hahen”, Gjermania dhe BE vendosi mosçeljen e negociatave, duke vendosur disa kushte, ndër të tjera dekriminalizimin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme!
Teksa, çdo dështim të qeverisjes, për rreth 2 vjet rresht e mbuloi me propagandën për “Reformën në Drejtësi”, pas miratimit të kësaj reforme, tashmë ka ndryshuar stil: kërkon dhe falje dhe demonstron “ndjenja të holla” me Amarcord…thua, kryeministri zgjidhet për të dalë gjithë ditën në televizor e gjejë fotografi të shekullit të kaluar.
I vetëdijshëm që këto 4 vjet, nuk ka qeverisur, por thjesht plaçkitur që të vjedhë dhe një mandat tjetër, ai tashmë po shet rrenën e fundit:
“Qeveria ka bërë shumë punë, por janë punë të padukshme. Ato do të duken pas 20 vjetësh!” Tamam si ai traktoristi që në vitin 1989 kur regjimi komunist ishte kalbur, punonte për vitin 2010. E ndërsa po shet “asgjënë” në media, ka ankthin që po vjen 20 janari! Pas 20 janarit do të takohet me atë traktoristin e 89′!