Të vërtetat e Bulevardit të Ri

136

Besnik ALIAJ

Sot, pas shumë ditësh heshtje për shkak të motit të acartë dhe gripit që çoi në kolapsin e plotë të shtetit dhe institucioneve, më në fund e pamë qeverinë të buzëqeshë para kamerave në “bulevardin e ri” verior të Tiranës. Me thënë të drejtën më vjen mirë që ky bulevard po ndërtohet. Kam 3 vjet që “bërtas” në Këshillin Bashkiak që ai bulevard duhet të ndërtohet një orë e më parë! Se ai nuk është bulevardi i Bashës, Veliajt apo Ramës. Se ai bulevard është një nevojë jetike dhe urgjente për një qytet që ngulçon çdo ditë nga trafiku vrasës dhe ndotja e ajrit më alarmante në Europë.
Bulevardi është vetëm 1 kilometër ndër 170 kilometra të reja që i duhen urgjentisht Tiranës së madhe që të normalizojë qarkullimin dhe ndotjen, para se të fillojë të flasë për menaxhimin e qarkullimit dhe sistemet e integruara të tij. Bulevardi është një shans për t’i rikthyer qytetit më shumë hapësirë publike dhe gjelbërim. Bulevardi është një shans për të integruar veriun dhe jugun e qytetit, pjesën “informale” dhe “formale” të tij, e për të shmangur segregimin social e politik. Bulevardi është edhe një “shesh beteje” morale për shtetin dhe institucionet e tij, për të shpronësuar dhe kompensuar më në fund në mënyrë dinjitoze pronarët e ligjshëm dhe për të zgjidhur çështjen e strehimit për ata që mbeten të pastrehë për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të tij. Bulevardi është një truall moraliteti për të mos i përdorur njerëzit, projektet dhe paratë publike për fushatë e politikë personale.
Ai është një shans për të ndërtuar infrastrukturë, hapësirë publike, gjelbërim për qytetin dhe jo pallate, kulla dhe parkim për oligarkët! Shkurt bulevardi na duhet, dhe duhet të mbyllet një orë e më parë! Por ajo që dua të nënvizoj sot, pasi kam dhënë dorëheqjen edhe nga “këshilli bashkiak” (që tashmë për mua është një institucion i paligjshëm me vendimet antiligjore/antikushtetuese që ka marrë kundër komunitetit dhe qytetit), ka të bëjë me memorien e shkurtër të politikanëve tanë në tërësi dhe sidomos atyre që janë në pushtet (se kjo është sëmundje tipike pushteti).
Sot pamë që PR i qeverisë dhe bashkisë në unison u kujdesën maksimalisht përmes mediave servile dhe të oligarkisë, që të asocionin pushtetin me këtë projekt dhe me benefitet e tij të pritshme në qytet në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme. Është qesharake në fakt ajo që pamë! Për të ardhur keq! Me gjithë respektin tim maksimal për institucionet dhe shtetin shqiptar, është po ky pushtet që për akullin në rrugë, për shkollat e mbyllura, për viktimat e të ftohtit dhe braktisjes (8 deri tani zyrtarisht) – heshtin – dhe i bëjnë bisht maksimalisht mediave dhe publikut në mënyrë ofenduese për inteligjencën e tij! Sot pushteti dhe mediat servile në bulevard deshën të thonë: Ja, … motin dhe të këqiat i keni nga Zoti dhe nga vetja, …. por bulevardin dhe të mirat i keni nga ne! … Është e çuditshme se si pushteti kur dehet beson edhe vetë këtë naivitet që në fakt është një naivitet djallëzor! Ne e dimë mirë të gjithë në fakt që këto 3 dekadat e fundit kemi problem serioz me investimin në edukimin dhe kulturën publike, dhe ndaj produkti social e territorial është i tillë “rrumpallë”.
Dimë që si rezultat i kësaj dhe i propagandës së pushtetit (çdo pushteti), memoria kolektive na është dobësuar ndjeshëm! Por ama kemi prova të mjaftueshme tashmë se shqiptarët nuk janë aspak naivë dhe harraqë, pavarësisht problemeve serioze që kanë si shoqëri. Ata, ashtu urtë e butë, me heshtje pragmatike, ta japin kusurin pikërisht atëherë kur nuk e pret! Sidomos atëherë kur të mbushet mendja se je perëndi, dhe fillon të bësh dëm, shqiptarët të hedhin nga kali.
Çdo gjë e durojnë, por t’i trajtosh si naivë dhe budallenj nuk mundet ta pranojnë! Sot kemi arritur në një status të tillë që kur dikush ngre zërin dhe kritikon, pushteti menjëherë e kërcënon, e diskrediton … Kërcënon qytetarin e thjeshtë, sipërmarrësin e thjeshtë, profesionistët, akademikët, shoqërinë civile, aktivistët idealistë …. Po, po, dhe madje e bën këtë për faktin e thjeshtë se dikush thotë të vërtetën e hidhur, por të shëndetshme, kur dikush zgjon memorien nga gjumi apo thjesht sepse ushtron profesionin e tij (si me i thënë se ekziston se merr frymë). Në fakt ky është fiks “Kodi i Mafias”: Rri urtë të hash bukë, mbyll gojën, vegjeto … ose ndryshe vdis!
E që të mos arrijmë nesër kaq keq, unë sot përsëri po e ngre zërin që të rikujtoj ata që kanë memorie të shkurtër, e sidomos për ata që po e përdorin bulevardin për të bërë politikë, me blloko-zhblloko punimet sa herë ka zgjedhje për interes të xhepit elektoral të partisë. Unë dua t’i bëj pushtetit disa pyetje, përgjigjja e të cilave tregon të vërtetën për bulevardin e ri dhe projekte të tjera të nisura nga administrata Basha, të bllokuara nga qeveria aktuale dhe të rihapura tani për qëllime elektorale nga administrata Veliaj.
… Kush e mori nismën dhe hartoi projektin e bulevardit të ri? Kush i gjeti fondet për ndërtimin e tij dhe nënshkroi marrëveshje? Kush i nisi punimet e bulevardit të ri? Kush i bllokoi punimet dhe ka një proces të hapur me drejtësinë? Kur ndodhi bllokimi dhe përse? Kush i dërgonte militantët të protestonin në bashki dhe këshill bashkiak për kompensimin e shpronësimeve? Kush e bën shpronësimin? Kush i flaku militantët pastaj pas zgjedhjeve me polici dhe INUK? A ndryshoi vlera e kompensimit? Çfarë ka ndodhur me njerëzit dhe kompensimin që humbën banesat? Po me pronarët? Përse këshilli bashkiak me mazhorancë të majtë bllokoi nga 2013 projektin e bulevardit për 2 vjet? Përse u bllokua buxheti i bashkisë 2 vjet vetëm për këtë zë? Kush e politizoi këtë projekt dhe e spostoi 4-5 vjet impaktin e tij? A kanë ndodhur ndryshime në projekt tani? Cilat janë ato? Përse ato nuk janë bërë publike? Sa është kostoja totale? Kush përfiton nga ky zhvillim qyteti, komunitetet apo oligarkia?
… Ja këto janë përgjigjet që sot duhet të jepeshin në inaugurimin e disatë të bulevardit. Madje duhej filluar me një ndjesë publike për bllokimin e për politizimin! Në fakt përgjigjet e këtyre pyetjeve i di sot çdo qytetar! Po do të ishte e moralshme dhe e shëndetshme si nga ana sociale edhe zhvillimore që të kërkohej ndjesë se përse projektet në Shqipëri e sidomos në Tiranë tirren e çtirren si nga Penelopa? Përse politizohen dhe nuk ulet strategjia e tensionit falso? Përse këto punë nuk i lihen ekspertëve, por fut hundët pushteti? E bëj këtë me moralin e një eksperti dhe akademiku që edhe kur ka qenë debati për nyjen e “Zogut e zi” edhe pse në karrige pushteti kam kërkuar që palët të ulnin tensionin dhe të çpolitizonin debatin e të gjenin në tryezë teknike zgjidhje. E bëj këtë me moralin që kritikës konstruktive që i kam bërë planit Rama (2008), planit Basha (2013), dhe planit Veliaj (2017) edhe pse për këto kam mbajtur kosto të pandershme individuale dhe shoqërore nga pushteti!
Po e mbyll duke ju bërë një rezume shumë të shkurtër e të thjeshtë që mund ta bëjë secili nga ju, ndërkohë që kjo çështje meriton studim e botim më vete dhe ju siguroj që po merrem mirë. Ju siguroj se ndërkohë ka një gjeneratë profesionistësh dhe aktivistësh urbanë apo institucione të huaja partnere që tashmë kanë krijuar arkivat dhe po e dokumentojnë mirë atë që po ndodh në këtë qytet dhe këtë vend sidomos 2 dekadat e fundit. Sot nuk ka më naivë, dhe shyqyr Zotit ka ende damarë të pavarur të medias, si dhe media online:
… Më 9 mars u shpall konkursi ndërkombëtar për projektin e bulevadit të ri ku morën pjese 7 studio prestigjioze ndërkombëtare. Më 16 maj 2012 u shpall studioja fituese e projektit të bulevardit të ri. Unë kam qenë kritik në mjaft çështje, por kjo është fakt:
Fondet për financimin e projekti u siguruan nga administrata Basha në maj të 2013:
Më 7 shtator 2013 nisën punimet për ndërtimin e bulevardit të ri:
Inspektimet në terren kanë qenë të vazhdueshme dhe të mediatizuara:
Pas 2013 qeveria bllokoi për 2 vjet punimet e bulevardit me INUK dhe me bllokimin nga ministri i Financave të financimit. Kallëzimi penal për këtë rast është ende sot pa një vendim nga Prokuroria.
Më duhet të them se pavarësisht bllokimit për qëllime politike dhe klienteliste, ndihem mirë sot që projektin për Tiranën e së ardhmes, nuk e ndali dot as kjo qeveri. Bulevardi tashmë po bëhet realitet me taksat tona si komunitet dhe ndihmën e donatorëve, sepse është një nevojë dhe se ka presion real në terren. Dhe në këtë mënyrë sot është provuar se zgjedhja politike dhe teknike që këshilli bashkiak atë kohë, ka qenë e duhura. Do të ishte e ndershme që pushteti në Shqipëri, kushdo qoftë, të heqë dorë nga këto show. Të heqë dorë nga personalizimi i projekteve dhe financave dhe taksave publike. Të çpolitizohet zhvillimi, ekonomia dhe infrastruktura. Vetëm kështu do të kemi zhvillim normal dhe të shpejtë si gjithë Europa. Do të ishte akoma më mirë që qeveria të mos vraponte pas një projekti rruge apo një çertifikate legalizimi. Kjo nuk është serioze. Qeverisja duhet t’i rikthehet decentralizimit urgjentisht se i ka marrë frymën dhe politizuar skajshëm qeverisjen vendore. Qeveria duhet të bëjë punën e saj dhe në këtë vend qeveria ka shumë punë për të bërë! Të lërë bashkinë të bëjë punën e vet si qeverisje vendore, dhe të mos politizojë gjithë këtë debat pa nevojë. Në të kundërtën një qeverisje e përgjegjshme qendrore dhe lokale, dhe një demokraci normale, ose duhet të bazohet tek teknikalizimi i projektit të bulevardit, ose sot duhet të kishte në krah edhe Lulzim Bashën dhe gjithë këshilltarët opozitarë në vite! Ndryshe ky vend vetëm sa po thellon llogoret e armiqësisë!