Si do të zgjidhen anëtarët e rinj të sistemit të Drejtësisë?

28

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë çeli procedurën jo pak të komplikuar të përzgjedhjs së anëtarëve për dy institucione të dala nga ndryshimet kushtetuese të 21 korrikut, duke nisur kështu krijimin e një zinxhiri komisionesh dhe institucionesh të reja apo të risjella përmes Reformës në Drejtësi. Bëhet fjalë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.
Në lidhje me përbërjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ligji i ri parashikon gjithashtu se 6, nga 11 anëtarët e tij, janë gjyqtarë të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor. 5 anëtarët e tjerë zgjidhen nga radhët e juristëve e më përkatësisht: Avokatëve, pedagogë të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
E njëjta formulë vlen edhe për këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku i vetmi ndryshim, janë radhët nga përzgjidhen anëtarët.
Me ndryshimet kushtetuese të 21 korrikut, Këshilli i Lartë Gjyqësor zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Për këtë arsye, tre anëtarë gjyqtarë dhe dy anëtarë jo-gjyqtarë të KLGJ, do të emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi.
Me ndryshimet e bëra në ligj, pas 104 amendamenteve të paraqitura 24 orë përpara votimit të projektligjit në Parlament, të cilat siguruan votimin me shumicë të cilësuar edhe pa praninë e opozitës, mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve  ngre një numër komisionesh ad-hoc që nisin vlerësimin paraprak të kandidatëve të interesuar.
Për kandidatët për anëtar gjyqtar, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përgjegjësia i kalon administratës së Gjykatës së Lartë, e cila verifikon kandidatët. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor bëhet nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve dhe është i fshehtë dhe individual.
Në rastin e anëtarëve jo-gjyqtarë, hyjnë në lojë komisionet ad-hoc të mundësuar nga amendamentet Hysi.
Për anëtarët që përzgjidhen nga radhët e avokatëve, verifikimin dhe përmbledhjen e kandidatëve në një listë maksimumi 10 emërore e bën një komision i ri ad hoc, i cili do të funksionojë edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ky komision është organ i pavarur që bën verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e avokatëve që kandidojnë për anëtarë në KLGJ.
Për anëtarin nga radhët e pedagogëve të drejtësisë, lista do të përpilohet nga Dekanati i Fakultetit të Drejtësisë. Për anëtarin që do të zgjidhet nga radhët e Shkollës së Magjistraturës, lista 10 emërore do të përpilohet nga Këshilli Pedagogjik i kësaj shkolle, si dhe për rastin e anëtarit që vjen nga radhët e Shoqërisë Civile, do të krijohet Komisioni i Shoqërisë Civile. Edhe ky me përgjegjësinë për verifikim paraprak të kandidatëve dhe krijimin e një liste me 10 emra.
Janë pikërisht këto hallka të ndërmjetme, arsyeja përse ligji në fjalë sot gjendet në godinën e Gjykatës Kushtetuese. Për Partinë Demokratike, listat 10 emërore të ndërtuara nga komisionet, apo Këshilli i Shkollës së Magjistraturës dhe Dekanati i asaj të Drejtësisë, bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila nuk parashikon asnjë filtër ku kalojnë kandidatët, përpara verifikimit të tyre nga nënkomisioni i përmendur në nenin 147 të Kushtetutës, i ngarkuar nga kjo e fundit me verifikimin e kandidatëve për anëtar.

Enton DACI