Shkollat pa ngrohje, lekët përdoren për luks zyrash

57

Të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet në të gjithë vendin vazhdojnë të jenë të mbyllura me vendim qeverie. Qeveria deklaroi se mbyllja e këtyre institucioneve mësimdhënëse po bëhet për shkak të gripit, por në fakt ato u kyçën për shkak të të ftohtit të acartë që ka mbërthyer vendin pasi në shkolla, kopshte dhe çerdhe nuk ka ngrohje. Fillimisht qeveria vendosi të mbyllë shkollat e çerdhet për një javë, por duke parë përkeqësimin e situatës nga temperaturat e ulëta, u detyrua ta shtyjë mbylljen e tyre edhe për një javë tjetër. Dhe nëse situata e të ftohtit polar nuk do të përmirësohet, atëherë qeveria do të detyrohet të shtyjë sërish mbylljen e shkollave dhe çerdheve.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të mbyllen shkollat dhe çerdhet për shkak të të ftohtit ndonëse në mjaft vende perëndimore dhe ballkanike temperaturat janë shumë më të ulëta se në vendin tonë gjatë këtyre ditëve. Qeveria në vend që t’u sigurojë shkollave sistemin e ngrohjes, ndonëse për këtë qëllim janë shpërdoruar miliona lekë, u vë kyçin atyre për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve që ulen në bankat e dijes.
Në të gjitha shkollat dhe kopshtet nuk ka ngrohje, ndërsa lekët e taksapaguesve përdoren për mobilimin e zyrave të qeveritarëve dhe luksin e shfrenuar të tyre. Qeveria ka fonde të veçanta për arsimin, por sikur të mos mjaftonin këto fonde, Rama dhe Veliaj shtuan edhe një taksë tjetër, atë të arsimit. Kjo taksë është emërtuar nga qeveria si “Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore” dhe është 18 mijë lekë në vit për çdo familje. Por lind pyetja, ku shkojnë të gjitha këto para të taksapaguesve shqiptarë, sepse shkollat dhe çerdhet janë të gjitha pa ngrohje dhe në mjaft raste në gjendje të mjerueshme përsa i përket infrastrukturës?
Qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për përmirësimin e kushteve në shkolla, ndërsa fëmijët e tyre përballen me të ftohtin kur ulen në banka. Korrupsioni qeveritar nuk njeh limit. Babëzia e kësaj qeverie jo vetëm që po varfëron për çdo ditë e më tepër shqiptarët, por ka lënë shkollat pa ngrohje, duke i detyruar fëmijët që të mos ulen në banka, por të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të të ftohtit.

Shkollat e rikonstruktuara nga Veliaj, pa ngrohje

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar me mburrje në ekranet televizive se ka rikonstruktuar 200 shkolla, kopshte dhe çerdhe në Tiranë. Ai ka deklaruar se janë harxhuar miliona lekë për rikonstruksionin e shkollave e çerdheve, por në të gjitha këto institucione mungon ngrohja dhe fëmijët nuk e përballojnë të ftohtin e madh të këtij dimri. Është skandaloze kur sheh se në kryeqytetin shqiptar mungon sistemi i ngrohjes në shkolla, pa le pastaj se ç’ndodh në qytetet e tjera dhe aq më keq në fshatra.
Të gjitha tenderat e bashkisë për rikonstruksionin e shkollave dhe çerdheve kanë qenë të majme, me shuma të mëdha parash, por këto para nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur, por në xhepat e Veliajt dhe njerëzve rreth tij. Sepse nëse këto para do të përdoreshin të gjitha për rikonstruksionin e shkollave, atëherë nuk kishte se si këto institucione të rikonstruktuara të mbeteshin pa sistem ngrohjeje.
Situata e rënduar në shkolla e çerdhe për shkak të mungesës së ngrohjes ka qenë edhe përpara se të vinte i ftohti polar i këtyre ditëve të fundit. Mungesa e ngrohjes në shkolla e çerdhe i ka detyruar mësuesit që në muajin dhjetor që të shkurtojnë orët e mësimit për t’i dërguar nxënësit në shtëpi para kohe për shkak të të ftohtit. Ky shqetësim është ngritur nga mësuesit jo vetëm në Ministrinë e Arsimit, por edhe në Bashkinë e Tiranës, por nuk është marrë asnjë masë nga këto institucione për ngohjen në shkolla e çerdhe.

180 milionë për ashensorin, shkollat pa ngrohje

Ashtu si Rama edhe Veliaj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë luksit të shfrenuar dhe qejfeve në Bashki. Krahas të tjerave, Veliaj do t’i “dhurojë” vetes një ashensor që kushton 180 milionë lekë për t’u ngjitur nga kati i parë në të dytin në Bashki. Dhe këto para sigurisht që janë të taksapaguesve. Për këtë qëllim Veliaj ka publikuar edhe tenderin për blerjen e ashensorit, i cili do të ketë edhe masazhator elektrik. Sipas Bashkisë, diametri i jashtëm i strukturës së këtij ashensori do të jetë 2300 mm, gjatësia jo më pak se 100 cm, thellësia mbi 150 cm dhe hapësira e derës jo më pak se 100 cm. Një ashensor gjigant dhe superluksoz për kryetarin e bashkisë pritet të montohet këto ditë, në një kohë që shkollat dhe çerdhet në Tiranë janë pa ngrohje.
Nëse Veliaj nuk do të shpenzonte 180 milionë lekët për anshesorin për të hipur nga kati i parë në të dytin në Bashki, do të sigurohej ngrohja për më shumë se 30 shkolla, kopshte e çerdhe në Tiranë. Por mesa duket Veliajt nuk i bën përshtypje mungesa e ngrohjes për fëmijët, por krijimi i kushteve prej sheiku me paratë e taksapaguesve për kolltukun e tij në krye të bashkisë.

Shkollat në fshatra pa xhama e dyer

Situata në shkolla dhe kopshte është edhe më e rëndë në fshatra, ku krahas mungesës së ngrohjes, shkollat janë në gjendje të mjerueshme. Në zonat më periferike të Tiranës situata është shumë më e rëndë, sepse ka edhe klasa që nuk kanë xhama apo dyer. Për rrjedhojë kanë qenë vetë mësuesit që kanë kërkuar që të pezullohet mësimi për shkak se nxënësit nuk e përballonin të ftohtin.
Tani që njësitë bashkiake të fshatrave të Tiranës kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, gjendja është përkeqësur edhe më tepër. Veliaj shfaqet në televizione dhe bën propagandë se po investon në fshatrat e Tiranës ashtu si edhe për kryeqytetin, por në fakt nuk ka bërë asnjë investim, ndonëse edhe këta banorë i paguajnë rregullisht taksat e shumëfishuara nga Veliaj. Vetëm pak kilometra larg Tiranës, shkollat janë në gjendje skandaloze. Shkolla të rrënuara që gati po u bie çatia, pa dyer dhe me xhama të thyer, ku si pasojë era vërshon brenda në klasë. Ky skandal është denoncuar publikisht edhe nga vetë punonjësit e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, por askush nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës nuk e ka vënë ujin në zjarr.
Përsa kohë që vendi të drejtohet nga “Rilindja” do të vijojë të mbetet e njëjta situatë nëpër shkolla, kopshte dhe çerdhe, ndërsa pasojat bien mbi fëmijët dhe prindërit e tyre që i paguajnë rregullisht taksat bashkisë.

Rexhep POLISI