Sekuestrohet në Leçe 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro

115

Një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali është zbuluar nga policia italiane. 700 kg drogë e nisur me skaf nga brigjet shqiptare me vlerë 4 milionë euro është sekuestruar dje nga policia italiane në Leçe. Sipas mediave fqinje, një gomone e fuqishme e nisur nga brigjet shqiptare kaloi ngushticën e Otrantos, duke trafikuar kanabis drejt shtetit italian. Trafikantët ndaluan në zonën midis San Foca dhe Torre Specchia në Leçe.
Ata synonin të shkonin në bregdetin e San Foca, por gomonia u pikas nga disa banorë, të cilët njoftuan më pas policinë. Sipas mediave lokale, trafikantët fshehën në shkurre thasët me drogë, që pas peshimit rezultoi se ishte 700 kg kanabis me vlerë 4 milionë euro.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar trafikantët që kanë transportuar sasinë e madhe të drogës. Dyshohet se ky rast trafiku ka lidhje me makinën e gjetur të hënën brenda detit në bregdetin e Vlorës. Makina u konstatua rreth orës 07:22 e zhytur në ujë 30 metra larg bregut të detit. Dyshimet paraprake kanë qenë se automjeti mund të ketë ngarkuar drogë në ndonjë gomone dhe ka mbetur në ujë. Sipas informacioneve gjatë ditës së hënë, policia kishte dyshime se fuoristrada me targa amerikane ishte përdorur për të tërhequr varkë apo gomone në det dhe më pas kishte ngecur në ujë. Hetimet e mëtejshme do të nxjerrin nëse këto dy ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Gjatë ditëve të para të këtij viti, policia italiane ka zbuluar dy raste të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Finanza ka sekuestruar gjysëm ton drogë nga Shqipëria në Leçe, vetëm pak orë pas kapjes së gati 1 ton natën e 1 janarit. Mediat italiane bënë të ditur se, gjatë operacionit të Guardia di Finanza ra në pranga drejtuesi shqiptar i skafit. Sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike kishte një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Policia italiane bëri të ditur se, në prangat e policisë ra 29-vjeçari shqiptar me inicialet A.M, drejtues i skafit 5.5 metra të gjatë, në të cilin u gjetën 510 kg lëndë narkotike.
Droga u sekuestrua në brigjet e Leçes në zonën e San Kataldos. Mediat italiane bëjnë të ditur se forcat e Guardia di Finanza-s ishin vënë në ndjekje të skafit pas sinjalizimeve nga helikopteri patrullë. Disa milje larg bregut, skafisti shqiptar kishte arritur të çante rrethimin e forcave detare italiane, të cilat menjëherë më pas sinjalizuan qendrën. Në ndihmë të tyre erdhi një helikopter i Guardia di Finanza-s që e ndoqi deri në brigjet e Leçes.