Qeverisje me termometër!

129

Arian GALDINI

Nuk ka fushatë elektorale ku ne nuk dëgjojmë statistika se sa shumë gjëra të mira kanë bërë sipas tyre ata që janë në qeverisje, e çfarë mrekullish thonë se do të na bëjnë nëse vijnë në qeverisje ata që janë në opozitë. Çka na lë pa frymë e mend ne shqiptarëve, është se në këtë vend, fushata elektorale nuk zgjat 30 a 35 ditë sipas ligjit, por 4 vjet papushim. E ne nuk e dallojmë dot më, kur ka mbaruar njëra fushatë e ka filluar tjetra.
Ne kuptojmë që ka lëvizur rrota vetëm nga emri i Kryeministrit. Përndryshe, nuk kemi si të kuptojmë gjë tjetër për përmbyllje a hapje fushate, sepse na është kthyer në standart sui generis që Kryeministri shpërndan çertifikata legalizimi, që Kryeministri shpërndan postën, që Kryeministri të heq apo të vë poçin e dritës, që Kryeministri të mban trastat kur t’i bën pazarin, që Kryeministri të mbledh tavolinën e lan enët, pasi ti ke ngrenë darkën, që Kryeministri të ngroh çarçafët dhe shtron krevatin që ti të flash ngrohtë në netët e ftohta, që Kryeministri u lexon përralla fëmijëve, që Kryeministri argëton në Facebook, duke luajtur Farmiville me të gjithë shqiptarët, që Kryeministri jep çipsa falas për të gjithë qytetarët e Facebook-ut, e kështu me rradhë. Në këtë vend, ne e shohim çdo ditë nga 4 orë drejtpërdrejt në çdo TV, Kryeministrin. Pastaj sa hapim celularin, e gjejmë menjëherë online në Facebook a Twitter.
Që një Kryeministër të ketë të tillë ditë pune, në çdo ditë të detyrës së tij si Kryeministër, ose ka shumë nevojë të komunikojë me ne, sepse është në fushatë të parreshtur, ose ka lexuar gabim përshkrimin e punës për pozicionin e Kryeministrit. Sidomos ky Kryeministri që kemi aktualisht, ka thyer çdo rekord në absolutisht çdo rekord të punës së tij si llogjebërës i pashoq, 24 orë në 7 ditë me ne. Vini re sesa shumë lodhet ai.
Kaloi 8 vjet në opozitë e tani 4 vjet në krye të qeverisë, e nuk ka lënë gjë pa na thënë për të na shpjeguar vizionin e tij të madh, idetë e tij të larta, projektet e tij transformuese që vetëm një si ai mund t’i ketë dhuratë nga fuqitë hyjnore. Dhe që nga 23 qershori 2013, për ne shqiptarët që presim të shpalosen këto dhurata të epërme që Hyjnitë ia kanë dhënë vetëm Edi Ramës, ditët rrokullisen duke parë të ndarë në 3 kohë gjatë çdo dite.
Koha e parë është ripërsëritja e vizionit, ideve dhe projekteve madhore transformuese. Koha e dytë është për të na treguar se kush e pengon e kush është kundër Edi Ramës, jashtë apo brenda partisë, jashtë apo brenda koalicionit, jashtë apo brenda vendit. Dhe koha e tretë është për të na arsyetuar se ai nuk mundet as të na e shpjegojë e as të na e shpalosë vizionin e tij hyjnor, nëse nuk pastrojmë mendjet tona më së pari, e krejt vendin nga çdo njësi njerëzore, politike a mediatike që na ndot gjykimin, kuptueshmërinë e shikimin, me mendimet kritike, të ndryshme a të kundërta me ato të Edi Ramës.
Rraskapitet i gjori Kryeministër, sepse të gjithë qeverisjen e tij e bëri live në Tv dhe online në Facebook dhe ne ende nuk ia kemi kapur fillin. Që Edi Rama të vijë në gjendjen kur vizioni i tij hyjnor të shpaloset, ai duhet të fitojë edhe zgjedhjet e qershorit 2017. Patjetër. Edi Rama as që e mendon dot se si mund ta lërë ai Shqipërinë, aq të mjerë sa të mos ketë shansin që të vijë një kohë pastërtie tërësore, kur të gjithe absolutisht të gjithë ne të mendojmë se Edi Rama ka vizion hyjnor. Sepse po erdhi ndonjëherë ajo kohë, atëherë mund ta kemi edhe fatin kombëtar që Edi Rama edhe ta shpalosë vizionin e tij. Të tilla vizione hyjnore, kanë nevojë domosdoshmërisht për njëmendësime kombëtare.
Asnjë zë, asnjë mendim, asnjë pipëtimë nuk duhet të jetë dyshues, kritik, ndryshe a kundër. Prishet hyjnorja po nuk pati besim të kulluar dhe absolut tek vizione kaq të larta. Prandaj ai me kamera në dorë na mat temperaturën. Me fjalime 4 orëshe live na mat temperaturën.
Me statuse, deklarata a amarcorde Facebooku, na mat temperaturën. Edi Rama nuk ka kohë të bëjë Kryeministrin, sepse nuk mund të bëhet aq banal sa të bëjë Kryeministrin në një vend që nuk e kupton e ndjek njëzëri. Ai shpenzon çdo orë të ditës së tij të punës, si matës i temperaturës sonë kombëtare. Meqë ne jemi popull që çdo ditë merremi me llogje nga kafeneja në kafene, nga blogu në blog, e nga Facebooku në Twitter, edhe Kryeministri ynë, nuk ka çtë bëjë tjetër përveçse të na vijë në ekranet e televizioneve në kafenetë tona, në ekranet e celularëve tanë, ndërsa ne bëjmë like apo shfryjmë bulçitë me të shara në komente Facebooku. Fushata nuk ndalet kurrë në Shqipëri, sepse matja e temperaturës sonë qytetare është detyra e vetme që kryen Kryeministri ynë. Prandaj, njerëz mos u shqetësoni për temperaturat e ftohta që na ka sjellë natyra. Ato nuk janë elektorale. Nuk janë as pjesë e punës së qeverisë.
Qeveria jonë në normalitet meteorologjik dhe natyror, nuk funksionon, sepse e vetmja detyrë që bën është plaçkitja që na bën neve dhe shtetit, si edhe detyrimisht matja e temperaturës sonë elektorale. Kur bie pak shi përtej normales, rrugët e qyteteve përmbyten. Kur bie pak më shumë shi se ky përtej normales, na përmbyten qytetet. Kur bën shumë vapë, mbi 36 gradë, qeveria nuk ka çfarë të na bëjë. Kur bën ftohtë e temperatura shkon më poshtë se -1 gradë, përsëri qeveria nuk ka çfarë të bëjë. Qeverisjet e vizioneve hyjnore, nuk mund të bëhen fajtore, e as t’u kërkohet funksionim kur ka tejkalime të rreshjeve a temperaturave natyrore.
Qeveria funksionon keq kur kemi temperatura në amplitudën nën 36 gradë kur është verë dhe mbi -1 gradë kur është dimër. Funksionon ama. Funksionon keq, sepse detyra e saj është sipas 3 kohëve të Edi Ramës. Qeverisja është ende në pritje të mundësisë kombëtare që të gjithë në një mendje të bëhemi besimtarë të Edi Ramës. Ndërsa kur i nxehti kalon 36 gradë, a i ftohti shkon nën -1 gradë, qeveria nuk ka arsye pse të funksionojë. Prandaj kthimi në gjendje natyrore, pa shkolla, pa kopshte, pa rrugë, pa institucione, është zgjidhja e persosur që na bën dhuratë qeveria jonë. Vetëm kështu, mund të ketë kohë e terezi Edi Rama që të vazhdojë të qendrojë 4 orë në ditë live në TV e pjesën tjetër online në Facebook.