PS kundër teknologjisë në votim

55

Pesë muaj para zgjedhjeve, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ende është në fazën fillestare të punës. Mbledhja e së martës me dyer të mbyllura, vetëm sa e rikonfirmoi këtë, kur dy bashkëkryetarët pohuan se kanë rënë dakort të hartojnë një listë, prej së cilës të identifikojnë çështjet që i ndajnë dhe ato që i bashkojnë.
Derisa lista të hartohet të premten, pikat që i ndajnë janë të njohura dhe shumë të rëndësishme. “Teknologjia në votim është çështje themelore. Justifikimet me kohën s’do ja pranojmë më mazhorancës. Opozita do të ngulë këmbë që të mos bëhet trajtim selektiv i çështjeve”, thotë Oerd Bylykbashi.
“Për fat të keq, nuk pati dakordësi për votën e emigrantëve dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Sa për votimin elektronik, Oerdi vetë e ka thënë kur ne ishim në opozitë, që duhet një projekt pilot prej së paku 2 vjetësh. Ndaj të presim 2 vjet…”, deklaroi Taulant Balla.
Ndoshta edhe më shumë kohë i duhet të presë LSI-së për propozimin e saj të hershëm për listat e hapura, të papranuar nga dy partitë e mëdha. Për çështjen e shumëdebatuar të teknologjisë në zgjedhje, LSI kërkon si arbitër ODIHR-in.
“Sa i përket votimit elektronik, ne e mbështesim. Përpos debatit politik, gjithsesi ekspertiza më e mirë për këtë çështje, duhet të jetë ajo e OSBE/ODHIR”, tha Petrit Vasili.
Të gjitha palët pranojnë rritjen e ndëshikimit për krimet elektorale, por ekspertët druhen se hapat e ngadaltë rrezikojnë dështimin e Reformës Zgjedhore.