Përse jam kundër listave të hapura?

68

Namir LAPARDHAJA

Listat e hapura nuk janë problemi i demokracisë në Shqipëri dhe problem i sistemit tonë zgjedhor. Demokracia ka shumë probleme të tjera, po ashtu edhe sistemi ynë zgjedhor. Listat e hapura nuk garantojnë domosdoshmërisht përfaqësim më dinjitoz, më të pastër e më të ndershëm.  Menduam se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 do t’i prisnin udhën kriminelëve në Parlament, por ajo që ndodhi ishte një Parlament më i kriminalizuar më shumë se kurrë dhe si asnjëherë më parë. Se kush e bëri më shumë dhe më me zell një gjë të tillë dihet, tanimë, mjaft mirë, mirëpo ajo që dua të them është se gjithçka në këtë vend varet nga vullneti i kryetarit të mazhorancës, Rama, dhe liderit të opozitës, Basha, të cilët, ashtu siç del qartë, nuk janë për lista të hapura.
I vetmi që dëshiron dhe kërkon lista të hapura është kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili nuk e ka problem se kë do të ketë në Parlament nga të tijët, për arsye se, veço disa pak elementë që vijnë nga bota akademike, të tjerët për Ilir Metën janë të gjithë njëlloj, mjafton që t’i qëndrojnë besnik atij e të mos veprojnë si Shkëlqim Selami. Përndryshe, mund t’i rezervohet i njëjti fat.
Por le t’i kthehemi listave të hapura dhe përse nuk garantojnë ato një përfaqësim më të ndershëm dhe më dinjitoz në Parlamentin e Shqipërisë?
Së pari, duhet të kemi të qartë se do të jenë sërish liderët e partive politike respektive, ata që do të ndërtojnë listat e partive të tyre, gjë që do të thotë do të jetë vullneti i tyre për të qenë ose jo në ato lista.
Së dyti, listat e hapura nuk rrisnin konkurrencën mes kundërshtarëve politik, por mes kandidaturave të së njëjtës listë partiake, gjë që do të krijojnë konfuzion tek votuesi, përveç të tjerave.
Së treti, gjithsesi, betejat në Shqipëri janë të profilizuara qartë politikisht, votuesit, në përgjithësi, votojnë verbazi, pavarësisht kandidatëve që kanë përballë ose në listat brenda partive të tyre.
Së katërti, listat e hapura nuk e zgjidhin problemin e blerjes së votës, së manipulimit të saj, përdorjen e presionit, shantazhit, dhunës, përkundrazi ato mund t’i stimulojnë të gjitha këto.
Së pesti, listat e hapura prishin hirearkinë e vlerave dhe kontributeve historike. Dihet që turma voton atë që e ka më afër imazhit të vet, mirëpo demokracia nuk është model qeverisës ku “populli udhëhiqet nga populli”, por ku populli udhëhiqet dhe drejtohet nga elitat.
Së gjati, listat e hapura shtojnë urinë dhe dëshirën e të fortëve, biznesmenëve dhe një turlilloj kategorie tjetër për të qenë pjesëz e listave “se, çka ke ti, vlla, fitojmë vet ne”, gjë që mund ta dëmtojë edhe më shumë jo vetëm nivelin e përfaqësimit, por demokracinë në vend.
Si përfundim, ajo që mund të them është se gjithçka ngelet në vullnetin e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, veçanërisht në vullnetin e të parit për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, dhe të dytit për të ndërtuar lista zgjedhore sa më dinjitoze dhe me njerëz me sa më shumë integritet.