Kërcënimi për klinikat dentare

140

Bizneseve të shërbimeve mjekësore u ka mbërritur këto ditë shkresa nga tatimet, ku u jepet mundësia të vetëkorrigjojnë deklarimet për vitin 2015 dhe në vijim, përndryshe administrata do të fillojë kontrollet e thelluara për detyrime tatimore dhe kontribute të sigurimeve shoqërore, të cilat do të shoqërohen me gjoba.
Bizneset e shërbimeve mjekësore kanë rezultuar me një nivel të lartë evazioni, sipas analizës së riskut të kryer nga tatimet. Klinika mjekësore e estetike, ku klientët mbajnë radhë gjatë gjithë ditës, rezultojnë vetëm me një të punësuar të deklaruar apo deklarojnë xhiro minimale. Edhe mosdhënia e faturave është një dukuri e zakonshme në klinikat dentare, estetike e ato mjekësore.
Në shkresën e tatimeve thuhet se: “Sektori i shërbimeve shëndetësore është përzgjedhur nga analiza e riskut si sektor me risk të lartë për nëndeklarimin e detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë arsye, subjekti juaj është zgjedhur për kontroll të thelluar në vend.
Administrata tatimore ju bën me dije se ju keni mundësinë të zgjidhni për të mos u kontrolluar nëse korrigjoni deklarimet tuaja për 2015 dhe në vijim, brenda datës 31 janar 2017, si më poshtë:
– duke korrigjuar në rritje deklaratën tuaj të tatimit tuaj të thjeshtuar mbi fitimin për 2015-ën;
– duke korrigjuar listë pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për muajin dhjetor 2015 dhe çdo muaj tjetër në vijim duke rritur numrin e punonjësve dhe pagën mbi të cilën llogariten kontributet dhe tatimi mbi pagat.
Ju do të keni mundësinë të përjashtoheni nga një kontroll i thelluar dhe nuk do t’ju gjenerohen gjoba nëse do t’i korrigjoni gjobat tuaja.
Nëse zgjidhni të mos kryeni këto korrigjime, brenda datës 31 janar 2017, Administrata Tatimore do të fillojë ushtrimin e kontrollit të thelluar në vend, nga i cili mund të rezultojnë detyrimet tatimore, si dhe kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore shtesë, të cilat shoqërohen kurdoherë me gjoba dhe interesa sipas legjislacionit në fuqi”, përfundon shkresa e tatimeve.