Grabitet me armë një farmaci në Tiranë

64

Një tjetër grabitje me armë ka ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë. Burimet nga policia bënë  të ditur se një i ri ka hyrë në një farmaci në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet dhe nën kërcënimin e armës ka marrë xhiron ditore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20 të ditës së djeshme. Sipas policisë, grabitësi ka qenë një i ri rreth të 20-ave dhe ka arritur të marrë nga arka e farmacisë 80 mijë lekë. Më pas, ai është larguar me shpejtësi në drejtim të padituir. Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Një ditë më parë u grabitën dy pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës. Të dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa policia i ka mbajtur të fshehta. Burimet bënë të ditur se, “në orët e para të ditës së hënë, konkretisht rreth orës 02:00 në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Fllakës, 4 persona të maskuar dhe me armë, kanë marrë lekët e dy karburanteve në të dy krahët e autostradës”. Maskat kanë ushtruar terror ndaj punonjësve të pikave të karburantit, duke i detyruar ata që të nxjerrin nga kasaforta të gjithë lekët e xhirove ditore. Pasi kanë marrë shumat e madha të parave, maskat janë larguar me një makinë “Golf”, me ngjyrë të bardhë dhe pa targa.