Bulevardi i ri, si po kërkojnë të mashtrojnë

57

Armand MAHO

Edi Rama doli dje së bashku me pjellën e tij politike Erion Veliaj për të inauguruar sipas tij punimet e Bulevardit të Tiranës. Nën maskaradën e këtyre ditëve të ftohta kur njerëzit po vdesin në çdo cep të Shqipërisë, Rama fliste për një projekt, i cili deri më tani duhet të ishte mbaruar në rast se ai me gjithë Erion Veliajn mos bënin deri të pamundurën për ta bllokuar. Kjo, sepse Edi Rama dhe Veliaj nuk e shohin zhvillimin e qytetit si diçka normale, si një zhvillim i metropolit të vetëm të Shqipërisë. Aspak, ata e shohin si çiflig për ta dhe klanin e tyre politik. Për të zhvatur fonde, e rrënuar shtëpi. Banorët përreth protestuan për kompensimin, sepe Erioni i fiqve i dha një kompensim qesharak, vetëm 25 mijë lekë për metër katrorë, aq sa nuk kushton një metër katror as në periferi të Tiranës. Ndërkohë, që tek pallatet e Sadri Abazit të ngritura në të njëjtin vend, në krahun perëndimor ngjitur me ish-stacionin e trenit ku po kryhen punimet, një metër katror kushton nga 1500 deri në 1800 euro metri. Në rast se do e kishte me kaq merak, pse Veliaj i Bashkisë nuk u investua më së pari tek ndërtimi i bulevardit, por harxhon fonde, energji dhe nerva të qytetarëve, duke i bllokuar sheshin e vetëm?! Pse nuk flitej më parë për të, por u prit realizimi i projekteve me kulla shumëkatëshe si tek stadiumi apo në të tjera vende në qendër, kur fare mirë ato mund të adresoheshin atje?! Ndoshta po të ishte miratuar më parë, a do shpëtohej qendra dhe stadiumi kombëtar nga ndërtimi i atyre kullave të shëmtuara? A po bëhet e gjitha kjo në favor të ndërtuesve të PS-së si Sadri Abazi që kanë piketuar tashmë vendet e tjera ku do e zgjerojnë aktivitetin e tyre?!

Historia

Por pse bulevardi i Tiranës është një histori mashtrimi. Më 7 maj të vitit 2013, Kuvendi i Shqipërisë miratoi kredinë prej 63 milionë euro për ndërtimin e bulevardit të ri. Vetëm me votat e mazhorancës së asaj kohe, që drejtohej nga Partia Demokratike. Kësaj shume i shtoheshin dhe 7 milionë euro grant që qeveria e Katarit kishte dhënë për këtë qëllim. Në qershor u shpall tenderi dhe puna filloi në fillimin e shtatorit të vitit 2013 nga ish-kryetari i Bashkisë Lulzim Basha. Inaugurimi i saj do të pritej me protesta jo më shumë nga banorët se sa nga militantët mavi të ndërsyer nga Rama dhe Veliaj. Basha u premtoi korrigjim të faturave të kompensimit, dhe çështja i kaloi Këshillit Bashkiak, ku shumicën sërish e kishte e majta pas marrëveshjes së një prillit. Nënkryetari Bozdo kërkoi nga ky këshill, që fondit të kompensimit t’i shtoheshin dhe 1.6 miliardë lekë për kompensimin, gjë që u kundërshtua nga këshilltarët e majtë. Aldrin Dalipi dhe këshilltarët e tjerë të majtë kërkuan “kohë për zgjidhjen e kësaj çështje”, duke penguar kështu qëllimisht zgjidhjen e problemit. Në lojë u fut dhe INUK i kontrolluar nga Rama, i cili në vend të bënte punën për të cilën paguhet nga taksapaguesi, bllokonte punimet e Bashkisë, duke i dalë krah kryesisht militantëve. Ishte po ky institucion që marsin e kaluar, së bashku me taborret e policisë së Tahirit, nxorrën me dhunë nga shtëpitë e tyre banorët që dhe sot e kësaj dite nuk kanë ku strehohen. Pamjet në mos Erioni i ka harruar ja kujtojmë ne, kur tërhiqeshin zvarrë nga banesat pleqtë dhe fëmijët, duke na risjellë dhe një herë në mendje skenat e dëbim internimeve që kryenin baballarët e rilindasve.

Bllokimi i fondeve

Më pas loja politike me bulevardin vazhdoi me bllokimin e fondeve. Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, do të bllokonte kredinë e Abu Dabit për këtë qëllim. Nga ana e saj, Bashkia e asaj kohe bëri dhe kallzim penal për ministrin e Financave për shpërdorim detyre, por edhe sot e kësaj dite nuk është hapur ende një hetim nga organi i akuzës. Bllokimin e bulevardit e pohoi dhe shitësi i vogël i fiqve në një intervistë të tijën më datë 8 qershor, kur pohoi bllokimin e bulevardit qëllimisht, por natyrisht, duke i shtuar dhe ca doza politike dhe propagande. Erioni pohoi se bulevardi është bllokuar, sepse do të ndërtohet sipas konceptit të shpërqendruar psikologjik të Ramës. Pra me pak fjalë, shteti shqiptar ka paguar dy vjet në mos më shumë interesa bankare për të pritur që të vijë Erioni në krye të Bashkisë për të përfunduar marrëzitë psikologjike të shefit i rrethuar nga kompleksi i delirit, por edhe i inferioritetit.

Dy kllounët

Por nuk është vetëm përvetësimi i fondeve, dhe lavdia që rilindasit e kërkojnë me ngulm në kurriz të qytetarëve ajo që shtyu në pafundësi ndërtimin e këtij bulevardi. Nuk është vetëm propaganda, apo pritja e shitësit të fiqve që “po na shpëton” çdo ditë e më shumë qytetin qëllimi i shtyrjes së tij. Në rast se do të vazhdohej të ndërtohej që atëherë kur u planifikua, sot pas katër vjetësh ky bulevard do të ishte në përfundim e sipër. Por në rast se do të ndodhte kjo, atëherë Erioni dhe Rama sdo kishin mundësi të ideonin planin me kulla shumëkatëshe në qendër të Tiranës. Për arsye se projekti zgjeron hapësirat dhe nuk është çudi, që interesi i investitorëve të drejtohet në atë zonë, çka do të bënte që të uleshin çmimet për qendrën dhe ish-Bllokun, ku Rama dhe Veliaj e kanë më përzemër të ndërtojnë. Në rast se do të ishte përfunduar ky aks, atëherë Veliaj sdo kishte mundësi të kafshonte pjesë të kodrave të liqenit, sepse çmimi do ishte më i lirë, por dhe interesi i ndërtuesve dhe qytetarëve do të adresohej drejt kësaj hapësire. Prandaj ajo shfaqja e djeshme e liderit global dhe shitësit të fiqve ishte as më shumë e as më pak, por thjeshtë një shfaqje e turpshme, një mashtrim dhe trullosje që kërkohet t’i bëhet njerëzve në këto prag zgjedhjesh. Një veprim nën panik nga humbja e pushtetit, në zgjedhjet që zhvillohen pas gjashtë muajsh.