Bllokohet në Pulia skafi me 1.9 ton drogë nga Shqipëria

66

Rreth 2 tonë drogë është sekuestruar në brigjet italiane të Pulias nga Guardia di Finanza italiane.
Sipas mediave italiane, rreth 11 km në afërsi të Brindisit, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Guarda di Finanza në Puglia ndaloi një skaf me 2 motorë të fuqishëm. Në bordin e tij ndodhej ngarkesa me rreth 1.9 ton kanabis. Nga aksioni policor u vunë në pranga një shqiptar dhe një italian, 25-vjeçari B.H., banues në Vlorë dhe D.P., 47 vjeç, banues në Brindisi. Ndërkohë mediat italiane njoftojnë se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia shqiptare bëri të ditur se, “sekuestrimi i 1.9 ton droge nga policia italiane në Pulia është bërë pas sinjalizimit të policisë shqiptare”. Ky është mashtrimi i radhës i policisë së Tahirit, pasi mediat italiane shkruanin se, droga u sekuestrua nga Guardia di Finanza italiane, ndërsa policia italiane po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik droge.
Po ashtu një ditë më parë u sekuestruan 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro në Leçe. Mediat italiane publikuan dje detaje të reja për operacionin në bregun e San Foca në Leçe, ku u bllokua një gomene me 700 kg marijuanë vlera e të cilës shkonte në 4 milionë euro. Droga u gjet e ndarë. Një pjesë ishte fshehur në disa shkurre, ndërsa pjesa tjetër ishte në gomone. Sipas të njëjtave burime, gomonia e fuqishme kaloi kanalin e Otrantos mes natës së të hënës dhe të martës. Ajo u pa nga një peshkatar rreth orës 8 të mëngjesit që njoftoi karabinierët.
Ata shkuan në vendin e raportuar, por nuk gjetën gjurmë të trafikantëve. Këtu nis misteri. Sipas të njëjtave burime, gomonia nuk u identifikua në det. Braktisja e saj duket se ka ardhur më shumë nga një mos koordinim mes trafikantëve dhe atyre që pritej ta merrnin marijuanën në dorëzim. Ka edhe një pistë tjetër që po hetohet. Besohet se mund të ketë ndodhur ndonjë incident gjatë zbarkimit në breg dhe transportit të drogës. Sapo ka zbardhur dita, trafikantët e kanë braktisur mallin që të mos identifikoheshin. Sipas mediave italiane, droga vinte nga Shqipëria.
Gjithashtu, ditën e djeshme policia italiane sekuestroi 200 kilogramë marijuanë të fshehur në një magazinë në periferi të qytetit jo shumë larg nga deti. Droga u gjet në një ndërtesë të pabanuar dhe të rrethuar me mure. Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të cilët deklaruan se quheshin Marjol Tuni 25 vjeç dhe Neritan Lamaj 32 vjeç në Brindisi. Të arrestuarit që tashmë ndodhen në qeli e kishin paketuar drogën në disa çanta të mëdha.
Gjatë ditëve të para të këtij viti, policia italiane ka zbuluar dy raste të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Finanza ka sekuestruar gjysëm ton drogë nga Shqipëria në Leçe, vetëm pak orë pas kapjes së gati 1 ton natën e 1 janarit. Po ashtu, dy ditë më pas u sekuestruan rreth 500 kg kanabis në brigjet e Leçes.