Bie sërish çmimi i euros dhe i dollarit

1450

Monedha vendase ka shënuar një tjetër forcim ditën e djeshme, ndaj të dyja monedha, si euros ashtu dhe dollarit, teksa efektet sezonale po japin efektet e tyre.  Një euro u këmbye dje me 134.39 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 0.06 lekë më pak se një ditë më parë, duke arritur një tjetër rekord të ri të ulët që nga tetori i vitit 2009 dhe duke shënuar rënie për pothuajse gjithë ditët e dhjetorit.
Më i fortë ka qenë forcimi ndaj dollarit, me monedhën e gjelbër që u këmbye me 128.64 lekë, 0.88 lekë më pak se një ditë më parë. Prurjet e larta në valutë nga emigrantët që kthehen për festat, oferta e lartë për euro në treg, shpenzimet e ulëta kapitale, që kanë kufizuar hedhjen e monedhës vendase në qarkullim dhe euro e dobët në tregjet ndërkombëtare vlerësohen disa nga arsyet kryesore të forcimit të lekut.
Ekspertët e këmbimeve valutore presin që monedha vendase të vijojë të jetë e fortë të paktën deri më 25 dhjetor, më pas efektet sezonale fillojnë e zbehen.
Në bursat ndërkombëtare euro fitoi pikë dje, pas shpresave se do të ketë një plan shpëtimi për bankën italiane, Monte dei Paschi di Siena, e cila ndodhet në telashe.
Euro u rrit me 0.2 për qind në $1.0445, duke iu larguar nivelit më të ulët të 14 viteve që u arrit të martën ku arriti në nivelin e $1.0352, pas sulmeve në Gjermani dhe Turqi.