Turistja çeke që u hodh nga 15-katëshi, në luftë me vdekjen

210

52-vjeçarja çeke, Hana Demeterova, e cila të hënën u hodh nga kati i 6-të i Hotel Tirana dhe shpëtoi mrekullisht, ka marrë dëmtime të rënda dhe fraktura në trup. 52-vjeçarja vijon të jetë në gjendje kritike për jetën, ndërsa qëndron e shtruar në Spitalin e Traumës, në reanimacion.
Ndërkohë, drejtori i këtij spitali, Gjovalin Bushi tha se, “gruaja ka dy thyerje në shtyllën kurrizore, në brinjë dhe një shtypje në mushkëri. Nga ana klinike është në gjendje stabël, por sërish vijon të jetë në reanimacion në gjendje të rëndë”.
Tentativën e saj për vetëvrasje policia e kryeqytetit është duke e hetuar në dy pista. Burime pranë policisë thanë se, hetimet janë përqendruar në ndonjë konflikt që 52-vjeçarja mund të ketë pasur me familjen e saj dhe tjetra që lidhet me investimet që ajo ka pasur në Alpet shqiptare. Për këtë të fundit, gruaja çeke kishte bërë një marrëveshje me një shtetas shqiptar, por marrëveshja është prishur më vonë. Policia vijon hetimin dhe pritet që dëshmia e çekes të zbardhë motivin e vërtetë të këtij akti ekstrem.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, rreth orës 14:10, në bulevardin “Zogu I”, tek Hotel “Tirana Internacional”. Sipas policisë, e plagosura kishte lënë një letër ku shkruhej se: “Unë po vetëvritem, jam dakord që organet e mia mund t`i përdorin njerëzit që kanë nevojë”. Në dhomën e 52-vjeçares policia ka gjetur dhe shishe të zbrazura birre dhe pije të tjera alkoolike, çka kanë ngritur dyshimin se në momentin e tentativës së vetëvrasjes, shtetasja çeke të ketë qenë në gjendje të dehur. Mësohet se tani këtë letër e ka në dorë policia, e cila po heton edhe më tej ngjarjen. Mësohet se gruaja kishte pirë alkol pa fund dhe policia ka gjetur në dhomën e saj shishe pa fund të zbrazura.