Mushkat transportojnë kanabisin drejt magazinave të tharjes

340

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një foto të një kafshe të ngarkuar me kanabis. “Në Alpet e Kanabistanit! sb”, shkruan Berisha në Facebook. Në foto duket një gomar i ngarkuar me kanabis dhe i shoqërur nga një person i armatosur që mesa duket po çon mallin në magazinën e tharjes së kanabisit. Nuk saktësohet se në cilin vend është bërë kjo foto, por ditët e fundit aksioni për korrjen dhe grumbullimin e kanabisit është intensifikuar në të gjithë vendin, pasi është faza e tharjes dhe përgatitjes për trafikim.
Ndërkohë, për trafikimin e kanabisit trafikantët e mbështetur nga zyrtarë të lartë policie po përdorin skafet dhe avionët e vegjël për trafikimin e drogës përtej Adriatikut, drejt Italisë dhe Greqisë. Dy ditë më parë është parë një avion i vogël që tentoi të ulet në Shkodër. Lajmi është bërë i ditur nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha duke i dërguar edhe fotot. “Narkoflota në Kanabistan! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe disa foto ku duket një avion mbi qiellin e Shkodrës. Fotografitë janë dërguar nga një qytetar nga Shkodra. “Sot në orën 13:00 një tjetër avion droge ka tentuar të ulet në Shkodër”, shkruan qytetari nga Shkodra.
Avionët e drogës po shfaqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Vetëm ditën e premte, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Ish-Kryeministri Berisha publikoi të premten disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar edhe mesazhet e qytetarëve.