Turqia, Rusia dhe fusha europiane e shahut politik

243

Marc Pierini

Data 10 tetor 2010 do të mbahet mend gjatë në historinë diplomatike turke. Atë ditë Presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, firmosën marrëveshjen për gazsjellës Rrjedha Turke, e cila do të sjellë gazin rus në Turqi dhe më pas në Bashkimin Europian. Me pak fjalë, marrëveshja përfaqëson një avantazh taktik për Turqinë dhe një pozicion të ri strategjik për Rusinë, e cila do të vazhdojë të dominojë furnizimet e gazit në BE.
Siç dihet, media pro qeverisë në Turqi është duke e lavdëruar mjaft marrëveshjen, madje një titull kryesor shkruante “Zemra e energjisë rreh në Stamboll”. Firmosja e marrëveshjes nuk është prezantuar vetëm si arritje në fushën e energjisë për Turqinë, por edhe si një rikthim diplomatik në një kohë kur vendi ende është duke u ripërtërirë nga grushti i shtetit i mbetur në tentativë më 15 korrik dhe po vuan nga marrëdhëniet e tensionuara me vendet perëndimore.
Duke ripërtërirë marrëdhëniet turko-ruse – të paktën në një sektor – duket se ka marrë fund çështja e incidentit të nëntorit 2015 kur një avion ushtarak turk rrëzoi një avion rus dhe ilustron rinisjen e bashkëpunimit bilateral me një sipërmarrje të madhe dypalëshe. Kompania ruse e energjisë e kontrolluar nga shteti, Gazprom, do të negociojë gjithashtu edhe një ulje ende të paspecifikuar për çmimet e gazit me palën turke.
Megjithatë, nga këndvështrimi i një vëzhguesi turk, marrëveshja e tetorit nuk është ndonjë gjë e re, pasi memorandumi është firmosur që në vitin 2014 nga Gazpromi dhe BOTAS-i turk, por puna ishte ndërprerë për shkak të incidentit të nëntorit 2015. Për më tepër, marrëveshja do të kthehet në realitet vetëm atëherë kur dy operatorët e gazit të marrin vendimin përfundimtar për të investuar, gjë që nuk ka ndodhur akoma. Në periudhën afatgjatë dhe subjekt i vendimmarrjes në të ardhmen, Turqia po përforcon gjithashtu pozicionin e saj si përçuese e gazit drejt dyerve të BE-së.
Nga perspektiva ruse, suksesi është akoma më i madh. Gazi rus tani do të jetë i aftë të anashkalojë atë që Moska e quan Ukraina armiqësore teksa kalon drejt Europës Perëndimore, kështu do ta lërë Kievin pa të ardhurat e mbara që do të fitonte nga tranziti – aktualisht rreth 40 për qind e gazit rus kalon nga Ukraina për në Europë. Po kështu, Rusia do të përpiqet të parandalojë edhe dërgimet e gazit nga Azerbajxhani dhe Irani në Europë, edhe pse të dy vendet kanë lëshuar deklarata pozitive për marrëveshjen ruso-turke.
Në periudhën afatgjatë, Rrjedha e Turqisë mund të spostojë edhe gazsjellëset nënujore nga Izraeli dhe Qipro drejt Turqisë dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, një diskutim i parë është zhvilluar ndërmjet ministrave të Energjisë së Izraelit dhe Turqisë dy ditë pas firmosjes së marrëveshjes Rusi-Turqi.
Fakti më i rëndësishëm është që duke ndërtuar rrugën jugore të gazit drejt BE-së, Rusia do të dobësojë në njëfarë mënyre pilarin kryesor të Bashkimit Energjetik të BE-së dhe Strategjinë e Sigurisë Energjetike, që kanë për qëllim të diversifikojnë furnizimet e Rusisë dhe të shmangë trazirat potenciale që mund të lindin nga tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Në njëfarë mënyre, Rrjedha Turke – së bashku me Rrjedhën Veriore 2, një gazsjellës që lidh Rusinë dhe Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik që aktualisht ndodhet në telashe ligjore për shkak të pengesave me Poloninë – është një mjet i Moskës për të eliminuar varësinë e saj nga Ukraina dhe të trazojë politikën kryesore të BE-së.
Nga këndvështrimi i Bashkimit Europian, nga kjo marrëveshje mund të materializohen shumë aspekte negative gjeopolitike. Ukraina do të ketë më pak rëndësi strategjike si vend tranziti, përçarja e BE-së për çështjen e Rrjedhës Veriore 2 do të luhet në duart e Moskës dhe nuk do të ketë më logjikë politike për Strategjinë e Sigurisë Energjetike. Por, jo e gjithë situata është negative: vendet jugore europiane si Austria, Bullgaria, Greqia, Italia dhe Rumania, të cilat do të përfitojnë nga Rrjedha e Jugut nga Rusia në Bullgari, tani do të kenë një alternativë të re për furnizimin me gaz, në rast se zgjidhen konfliktet ligjore të furnizimit nga disa gazsjellës njëkohësisht.
Nuk është aspak çudi që Turqia, aktualisht në pozicion të dobët për shkak të grushtit të shtetit të dështuar, të jetë entuziaste për marrëveshjen e Rrjedhës së Turqisë, jo vetëm për avantazhet e politikës energjetike që ofron, por edhe për simbolizimin diplomatik. Nga Berlini, Brukseli apo Parisi, marrëveshja do të shihet në perspektivë më të gjerë se sa furnizimi i gazit. Kryeqytetet perëndimore do të duan të shohin nëse Ankaraja do ta ruajë pozicionin e saj si fuqi rajonale duke i trajtuar njëlloj aktorët e mëdhenj si Bashkimi Europian dhe Rusia, apo nëse Moska do të tërheqë Turqinë që të luajnë së bashku në fushën kontinentale të shahut.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI