Rusia dhe Turqia, dy perandori para pasqyrës

250

“Është më lehtë të kesh lëkurën e ariut sesa miqësinë e një rusi”, thotë një thënie turke. Në imagjinatën turke, fqinji i madh verior përmbledh tiparet kontradiktore të ortodoksisë, e dëshiruar të hakmerret dhe të bolshevizmit ateist. Moska, me sytë e saj të etur të ndriçuar nga një lakmi shekullore, nuk pret gjë tjetër vetëm çastin e duhur për t’u lëshuar mbi Ngushticat dhe të mbyllë hesapin e hapur me rënien e Bizantit (1453). Aneksimi i kohëve të fundit i Krimesë, ballkon mbi Detin e Zi në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe ndërhyrja ruse në kufijtë e Anadollit Jugor (Siri) i kanë riparaqitur Ankarasë spektrin e rrethimit.

Tre shekuj armiqësi
Në fillimet e shekullit XV Rusia e Ivanit të Tmerrshëm, e sapodalë nga zgjedha mongole, drejtohet për nga hapësirat e pamata të Ukrainës. Kjo e fundit, viktimë e pozicionit gjeografik të saj, bëhet një drejtim i privilegjuar ekspansioni i Moskovisë. Praktikisht, në Veri, Suedia mbi aksesin në Balltik, në Perëndim Polonia bllokon rrugën, ndërsa në Jug rruga drejt Detit të Zi dhe Mesdheut do të mundësonte të kihej akses në një det të ngrohtë. Në këtë drejtim, Moska përfiton edhe nga tërheqja progresive nga zona e Perandorisë Osmane. Nga 1568 më 1917, 12 luftëra e kundërvënë Rusinë me Sulltanin e Portës së Lartë. Rusët avancojnë gurët e tyre drejt Kaukazit dhe Ngushticave. Krimeja, simbol i fortë, është një prej territoreve të para të Dar al Islam (Shtëpia e Islamit) që kthehet në dominimin e një fuqie kristiane (në rastin e Traktatit të Kushuk Kaynardji apo Kainarçasë, në Dobruxhia, Bullgaria e sotme, në vitin 1774). Cari e konsideron veten të veshur me një detyrë të dyfishtë: të shpëtojë sllavët nga dominimi osman dhe të ringrejë kryqin mbi Kishën e Shën Sofisë në Konstandinopojë. Veç të tjerash, nën drejtimin e Pjetrit të Madh, Rusia kërkon që t’i bashkohet koncertit të fuqive europiane. Ndërtimi i një shteti modern kërkon që të fitohen dhe të përthithen shkenca dhe teknika perëndimore. E gjitha kjo kërkon linja komunikimi të shpejta: dhe Mesdheu është një prej tyre. “Ngushticat janë çelësi i shtëpisë”, e ngre pazarin Caresha Katerina II.
Në të njëjtën kohë, fuqitë perëndimore e përdorin barrierën turke për të bllokuar shtrirjen ruse drejt Mesdheut Lindor. E zënë me Shën Petërsburgun në Azinë Qendrore, Londra nuk e do që një kërcënim i ngjashëm të arrijë Egjiptin dhe rrugën drejt Indive. Në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, Ngushticat trazojnë netën e Carit Nikolla II. Bosfori dhe Dardanelet, kordoni ombelikal i vërtetë i një perandorie në ngritje ekonomike të plotë, shohin të kalojnë në to 40 për qind të eksporteve ruse. Për sa u përket drithërave, jetike për një ekonomi në rrugën e industrializimit dhe për pasojë, në kërkim kapitalesh, kjo kuotë arrin 80 për qindëshin. Rivendikimet ruse e shqetësojnë Sulltanin dhe paaftësia e supozuar e çiftit franko–anglez për të garantuar integritetin e shtetit osman e shtyjnë në krahët e Berlinit. Lindja e BRSS-së e shton antipatinë midis dy vendeve. Të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore Turqia, fronti jugor i Aleancës Atlantike, bëhet guri i themelit i politikës së containment të Washington.

Duel në Siri
Mosdakordësia midis Turqisë dhe Rusisë ka kështu rrënjë të thella. Dhe ngjarjet e fundit e kanë çuar në një formë paroksizmi. Në fillimin e 2011 vala goditëse e pranverave arabe prek Sirinë. Pas ndonjë hezitimi, turqit mendojnë se regjimi ba’athist i Damaskut është tashmë përfundimisht i dënuar. Në emër të vëllazërisë sunite, Turqia e orienton në kuptimin proislamik politikën e jashtme të saj dhe armatos pa dallime rebelët, si të moderuar, ashtu edhe islamistë. Në tokën siriane ndeshen armaturat e dy akseve gjeopolitike: nga njëra anë, Turqia, petromonarkitë e Gjirit, të shoqëruara me fuqitë perëndimore; nga ana tjetër, harku shiit (Irani, Iraku, Siria, Hezbollahu libanez) të mbështetura nga vendet emergjente (Kina dhe Rusia). Prej shumë kohësh, turqit kultivojnë idenë e një zone ndalimi fluturimesh ajrore në zonë, me shpresën që ta shtrijnë deri në Damask. Këto kombinacione bëhen copë e thërrime përballë refuzimit të prerë të shprehur nga rusët. Moska e justifikon qëndrimin e saj me shembullin katastrofik libian, në origjinën e rënies së Khadaffit dhe të kaosit që ka pasuar, pavarësisht rezolutave të Kombeve të Bashkuara. Në vjeshtën e 2015 fushata e bombardimeve ruse trondit planet e Ankarasë. Humbja politike turke nxit rebelimin sirian, deri në brendësi të kufijve: guerilja kurde bëhet e pakontrollueshme. Të vënë tek litarët, turqit kërkojnë me dëshpërim një pikë kapjeje. Më 25 nëntor 2015 aviacioni turk rrëzon një avion gjuajtës rus: mesazhi drejtuar Kremlinit është i trifishtë.
Në radhë të parë, Ankaraja konsiderohet garante e pakicës turkmene të Sirisë (40000 persona), fshatrat e të cilës kanë pësuar dëme nga sulmet ajrore ruse. Këta turqishtfolës, të shtypur prej një kohe të gjatë nga qeveria e Damaskut, qenë bërë kalorësit e rebelimit. Në planin taktik, bëhet fjalë për të penguar kurdët, aleatë të Moskës, që të vendosin një kontinuitet territorial përgjatë kufirit turk dhe të mbyllin kështu korridorin që u mundëson rebelëve të lidhen me botën e jashtme. Sot, qyteti i Alepit rezulton praktikisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës nën goditjet e sulmeve paralele të trupave të Bashar al-Assad në lindje dhe të kurdëve në veri. Rënia e këtij qyteti do të përbënte një goditje të rëndë për rebelët dhe për vetë Turqinë që i mbështet. Së fundi, turqit duan të dekurajojnë tentativat e afrimit ruso–perëndimor në kontekstin imediat të atentateve të Parisit. Ky skenar, makth i vërtetë për Ankaranë, do ta rehabilitonte de facto Bashar el-Assad në aspektin e një koalicioni të madh dhe për pasojë, të komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë, reagimi rus ndaj aktit të rëndë turk rezulton i matur. Kremlini deklaron raprezalje, por e përjashton sektorin e hidrokarbureve. Praktikisht, bërja pa të ardhurën energjetike në recesion të plotë demonstrohet e pazbatueshme për ekonominë ruse. Lidhja e ngushtë e dy ekonomive (Rusia siguron 40 për qind të naftës dhe 60 për qind të gazit të Turqisë) e dënon pashmangshmërisht Moskën dhe Ankaranë me maturi.
Të dy vendet vihen kështu në një lojë force. Moska redukton nisjet e turistëve pikërisht në momentin në të cilin rusët përbëjnë kontigjentin më të madh të vizitorëve të saj. Ankaraja mund të kërkojë të instrumentalizojë tatarët e Krimesë, ndërsa Moska mund të influencojë kurdët e Anadollit dhe ky kërcënim i dytë është shumë më i rrezikshëm sesa i pari. Një përfaqësi e YPG-së, partisë kurde të Sirisë, është pritur në Moskë në muajin shkurt. Për më tepër, politika e Erdoganit duket gjithnjë e më turbullt përballë aleatëve perëndimorë të tij, që i dënojnë bombardimet turke mbi kurdët sirianë, një prej bastioneve më solide antiISIS. Megjithatë, Moska dhe Ankaraja qenë afruar gjatë krizës ukrainase. Pas sanksioneve perëndimore, Rusia kishte vendosur të bojkotonte produktet europiane dhe ishte drejtuar nga Turqia për furnizimin me fruta dhe perime. Kjo dukej si një fushë mirëkuptimi e mundshme.

Aksi i të përjashtuarve
Turqia dhe Rusia sundojnë të njëjtën pafundësi kontinentale. Vendndodhja gjeografike e tyre në qendër të Eurazisë, forca e trashëgimisë perandorake dhe bindja se mishërojnë një qytetërim specifik kanë modeluar historinë e tyre. Është e mundur të mendohet për një aleancë midis të dy vendeve në funksion antiperëndimor? Disa, sidomos në Turqi, besojnë, por shekujt e historisë së armiqësisë na lënë të kuptojnë maksimumi për një aleancë pastërtisht taktike dhe instrumentale. Në çdo rast, në Moskë, ashtu si në Ankara, pasojat e rënies perandorake dalin shpejt në sipërfaqe. Nevoja për një shtet të fortë përputhet me mbrojtjen e territorit përballë separatizmave (kurdë, çeçenë). Në kundërshtim nga europianët, që denoncojnë përdorimin e forcës dhe privilegjojnë kanunet e mëdha universaliste, turqit dhe rusët e vënë theksin mbi vlera mbretërore: sovranitet, unitet, ndjenjë shteti. Këto kryefjala vijnë nga thellësia e historisë së tyre. “Falë tribuve turanike, shkruante Princi Trubetzskoy, teoricien i eurazizmit rus, “ideali i shtetit euraziatik ka kaluar nga turani (bota turke) tek rusët”. Nga Pjetri i Madh tek Mustafa Kemali, të dy vendet ushqejnë të njëjtat ambivalenca ndaj modernizmit. Si njëri, ashtu edhe tjetri, e konsiderojnë Europën si një shkollë dijesh shkencore dhe praktikash teknike të domosdoshme, por që të mund t’i vënë në shërbim të gjenisë respektive kombëtare. Në të vërtetë, sipas Suat Ilhan, kreut të eurazizmit turk, manipulimet e fuqive perëndimore janë në origjinën e rivalitetit turko–rus. Në këtë vizion, Perëndimi është i prirur që të vendosë “rusët kundër turqve dhe turqit kundër rusëve. Në këtë mënyrë, Perëndimi ka gjetur mjetin e neutralizimit simultan të kërcënimit turk dhe të atij rus… Për Perëndimin, Turqia dhe Rusia janë ‘të tjerët’, ‘të huajt e përhershëm’”.

Motive për një afrim
Idhtarët e një afrimi turko–rus kërkojnë që të evokojnë precedentë historikë të ndryshëm në favor të tezës së tyre, që veç të tjerash mund të hidhen poshtë lehtësisht nga fakte të kundërta të nxjerra nga e njëjta histori. Ata kujtojnë vjetërsinë e marrëdhënieve midis dy vendeve (1497), qasjen e gjakut turanik në kulturën sllave, refuzimin unanim të iluminizmit, si për ortodoksinë, ashtu edhe për islamin. Ata citojnë shembullin e aleancës taktike midis Car Aleksandrit I dhe Sulltan Selimit III, që ka parë një skuadër detare ruso–osmane të sfidojë Napoleon Bonapartin në Adriatik. Së fundi, ata vlerësojnë faktin se në momentin e luftës për pavarësi (1919–1924), Mustafa Kemali ka mundur të gëzojë dashamirësinë e bolshevikëve në refuzimin e tij ndaj Traktatit të Sevres (1920), që parashikonte ndarjen e Turqisë midis fituesve të Luftës së Parë Botërore (Francë, Britani e Madhe dhe Itali). Traktati i Moskës i vitit 1921 konsakroi aleancën midis të dy vendeve, të padëshiruarit e kontinentit. Në mënyrë të rastësishme, revolucioni ndërkombëtar i Leninit hapi rrugën për revolucionin kombëtar të Ataturkut. Lufta për pavarësi e Turqisë kundër vasalizimit nga ana e të huajit (regjimi i vjetër i kapitullimeve) kërkonte përmbysjen e rendit shoqëror. Dhe lufta kundër kapitalizmit kërkonte konsolidimin e sovranitetit kombëtar. Kemalistët e parë luftuan kapitalizmin, si prej natyrës ideologjike, ashtu edhe prej prejardhjes së huaj të tij, domethënë perëndimore. Kjo ide merret në ditët e sotme nga Mehmet Perinçek, idhtar i kemalizmit radikal, kur pohon se nga përplasja midis atlantizmit dhe eurazizmit do të dalë “një rend i ri që nuk do të bazohet më mbi instinktin e fitimit personal”.

Situatë dhe perspektiva
Së fundi, pavarësisht paqartësive aktuale, Vladimir Putin dhe Erdogan e refuzojnë idenë e një bote unipolare, të organizuar përreth një qendre ekonomike dhe një periferie të margjinalizuar. Moska dhe Ankaraja konvergjojnë kur bëhet fjalë për të afirmuar të drejtën e fuqive emergjente në skenën planetare, edhe pse duket goxha e guximshme të krahasohen si fuqi me të njëjtën vlerë Turqia me Rusinë. Për këtë arsye, Turqia do të donte ta mbështeste hyrjen e Rusisë në Organizatën e Konferencës Islamike dhe në këmbim, të asistojë në punimet e Grupit të Shanghait, që bashkon në drejtimin rus vendet e Azisë Qendrore. Veç kësaj, të dy vendet janë dakord kur bëhet fjalë për të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes të Oshecisë së Jugut, të Abkhazisë apo të Qipros Veriore, përfshi këtu tejkalimin e normave të caktuara juridike ndërkombëtare, duke harruar në fakt problemet e çeçenëve dhe të kurdëve të shtëpisë së tyre. Rusë dhe turq e refuzojnë individualizmin perëndimor në favor të lidhjeve organike (familje, komb). “Konceptimi i familjes në Turqi dhe në Rusi janë shumë të afërta”, pohonte ish-Kryeministri turk, Ahmet Davatoglu. Kthesa autoritare e kohëve të fundit në Turqi, përveç se shënon përfundimisht fundin e kemalizmit, të paktën në konceptimin e dëshiruar nga themeluesi i tij, e shtyn Turqinë drejt një vokacioni neootoman dhe për pasojë, drejt kërkimit të një mbështetjeje për politikën e jashtme të saj ndaj aleatëve perëndimorë. Pikërisht në këtë moment, Rusia duket një aleat hyjnor. Ankaraja, që ka kërkuar falje zyrtarisht për rrëzimin e gjuajtësit rus, është tashmë goxha e disponueshme që ta pranojë Bashar al-Assad në Damask, me kusht që të mos flitet për një shtet kurd të pavarur në kufijtë e saj. Për Rusinë, tronditja dhe çorientimi i çernierës së NATO-s në Lindje të Mesme do të përfaqësonte një sukses të madh dhe do të kontribuonte që të ngrihej situata e Krimesë dhe e Ukrainës.
Me pak fjalë, momentalisht dhe në linjë teorike, mosdakordësitë historike dhe strategjike midis këtyre dy fuqive autoritare dhe sovrane duket se janë lënë mënjanë. E gjitha kjo ka çuar në një afrim politik të fortë midis dy vendeve. Një vëzhguesi të thjeshtë, Vladimir Putin i duket edhe një herë akoma personazhi fitues, ndërsa Erdogani gjen mënyrën që të konsolidojë definitivisht pozicionin e brendshëm e të jashtëm të tij. Më pak i qartë duket qëndrimi perëndimor, sidomos ai i Shteteve të Bashkuara, krejtësisht të befasuara nga ngjarjet. Në fakt, dukshëm pa reaguar, Washington-i asiston në një aleancë taktike me një aleat dhe anëtar të NATO me armikun e deklaruar të tij. Megjithatë, mendohet se afrim turko–rus, për aspekte të caktuara i parashikueshëm, ka për të dy aktorët një vlerë thjesht taktike. Konvergjencat e momentit nuk do të mund të kenë përparësi mbi divergjencat dhe mbi antagonizmat historike dhe strategjike bazë, që në perspektivë do të çojë në një përplasje të re dhe të pashmangshme.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA