Marrëveshja mes qeverisë dhe FMN, në rrezik

162

Marrëveshja mes qeverisë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është vënë seriozisht në rrezik.  Shkak është bërë deficiti buxhetor që qeveria ka programuar për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në programin trevjeçar të nënshkruar në vitin 2014, qeveria dhe FMN kishin rëndë dakord që për vitin e ardhshëm buxheti të mbyllej me një suficit primar sa 0.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por qeveria ka devijuar nga marrëveshja dhe ka vendosur që për vitin 2017 suficiti primar i buxhetit të jetë 0.3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Qeveria ja ka komunikuar zyrtarisht parametrat e buxhetit 2017 ekspertëve të FMN, pak ditë më parë, gjatë Takimeve Vjetore në Uashington. Në këto takime një ekip i Ministrisë së Financave, i kryesuar nga ministri Arben Ahmetaj kanë zhvilluar negociata intensive me ekspertët e FMN. Një burim konfidencial nga FMN i tha SYRI.net se palët kanë patur përplasje të ashpra për shifrën e programuar të deficitit në buxhetin e vitit 2017, pa arritur të gjejnë një marrëveshje. Kjo do të thotë se aktualisht programi i qeverisë me FMN është pezull dhe nëse gjërat nuk zhbllokohen mund të ketë një mbyllje të hidhur. Ulja e suficitit primar nga 0.9 për qind e PBB-së në 0.3 për qind ka një diference prej rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka programuar që vitin e ardhshëm të marr borxh rreth 10 miliardë lekë më shumë nga sa kishte rënë dakord me FMN në programin trevjeçar. Shifra përkon saktësisht me faturën e rritjes së pagave. “Ky është qartazi një devijim nga marrëveshja trevjeçare për të cilën kemi rënë dakord ” u shpreh për SYRI.net burimi konfidencial nga brenda FMN-së. Qeveria kërkon më shumë hapësirë për të marr borxh për të financuar rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, e cila është lajmëruar se do të ketë një faturë nga 10-12 miliardë lekë.  Por huamarrja më e lartë nënkupton se vitin tjetër borxhi do ulet më pak nga sa ishte rënë dakord në programin me FMN. Negociatat mes palëve pritet të rifillojnë sërish pas pak javësh kur në Tiranë do të mbërrij misioni i radhës së FMN-së.