Lufta e Tretë Botërore ka nisur!

395

The Indipendent
Edhe pse rrezikon të duket si teori konspiracioni, në fakt ka shumë prova që tregojnë se Lufta e Tretë Botërore ka nisur, edhe pse jo në mënyrën që shumë parashikues kishin menduar, si përplasje ndërmjet superfuqive. Në ditët e sotme bota është më asimetrike dhe kaleidoskopike në dhunën që është përhapur dhe zjarri ka shpërthyer me kohë. Pikëpyetja është nëse luftërat e vogla që kanë nisur mund të transformohen të shkaktojnë një konflikt të madh ndërmjet superfuqive, përfshirë së paku Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.
Ndoshta nuk ndodhemi në një epokë të rrezikshme si ajo e vitit 1945 apo e vitit 1962 me krizën raketore në Kubë dhe fillimet e viteve 1980 ishin më të frikshme se sulmet e 11 shtatorit, sado traumatike që ishin ato. Megjithatë, sot jetojmë përsëri në kohëra të rrezikshme, të paqëndrueshme dhe të pasigurta.
Ka mbi 195 shtete në botë. Vetëm një duzinë e tyre mund të thuhet se janë plotësisht në paqe si: Islanda, vendi më paqësor në botë sipas Indeksit të Paqes Botërore, ndjekur nga Danimarka, Austria, Zelanda e Re, Portugalia, Republika Çeke, Zvicra, Kanadaja, Japonia, Sllovenia dhe Finlanda. Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë së botës jeton në këto vende të qeta. Lista e konflikteve, luftërave, luftërave civile dhe shteteve të terrorit të përhershëm është shumë herë më e gjatë që nga vendet e famshme të agonisë si Siria, Afganistani, Iraku, Ukraina, Boko Haram në Afrikën Perëndimore dhe Azerbajxhani e deri tek Kolumbia, sipas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur atje. Britania, në një mënyrë apo tjetrën, ka pasur një lloj konflikti çdo vit që nga viti 1914, me përjashtim të vitit 1968.
Me pak fjalë bota është në luftë dhe lufta është kthyer në një mënyrë jetese për një pjesë të mirë të popullsisë së botës. Secili konflikt është ndryshe. Sloganët si “lufta kundër terrorizmit” ose “lufta kundër islamizit militant” nuk e shfaqin këtë realitet. Në fund të fundit, shumica e këtyre konflikteve, siç shihet grafikisht në Siri dhe Jemen, janë ndërmjet grupeve të ndryshme të militantëve islamistë, aty ku ndarja suni-shiit bëhet herë më e dukshme e herë më e padukshme. Tendenca e grupeve si Al-Kaeda dhe ISIS është që grupet autonome ose gjysmë autonome, ose edhe thjesht individë të pakënaqur të armatosur me armë të trafikuara, të bashkohen me njëri-tjetrin pas një eventi të madh.
“Përplasja e civilizimeve”, fraza e famshme e cituar nga Samuel Huntington një shekull më parë, nuk është materializuar në kuptimin që ai kishte imagjinuar – grupe substanciale shtetesh që bëjnë luftë tradicionale për të “zhdukur të keqen”. Në të kundërt sot kemi grupe të fragmentarizuar, kaotikë dhe të paparashikueshëm “aktorësh” që variojnë në madhësi dhe potencial që nga Shtetet e Bashkuara e deri tek një manjak i vetmuar me sëpatë në dorë në një tren në Gjermani apo banda ushtarësh fëmijë të droguar në Republikën Qendrore afrikane. Ka luftëra që kryhen për llogari të të tjerëve që nuk mund të kategorizohen dot në modelin tradicional “Perëndimi kundër pjesës tjetër të botës”. Kur Amerika kërkon të mbajë marrëdhënie miqësore me Iranin dhe Arabinë Saudite, atëherë anën e kujt mund të mbajë në luftën ndërmjet Teherani dhe Rijadhit në Jemen?
Megjithatë, rreziku më imediat i ditëve të sotme është Lufta e Dytë e Ftohtë, jo Lufta e Tretë Botërore, edhe pse njëra mund të shndërrohet në tjetrën me shpejtësi. Marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lëkundet ndërmjet progresit dhe dështimit, sot më shumë se në çdo kohë që pas rënies së Murit të Berlinit. Të paqëndrueshme janë edhe marrëdhëniet respektive të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë me Kinën, e cila mund të kategorizohet si “superfuqi e lëkundur”, por që sot është e armatosur më mirë, është më aktive dhe më e pasur.
Kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk mund të bashkëpunojnë për një kërcënim të përbashkët siç është Shteti Islamik, atëherë ka pak arsye për optimizëm. Putini fitoi luftën e tij në Ukrainë me aneksimin e Krimesë dhe me kapjen de fakto të Ukrainës Lindore, aty ku shtrihen kufijtë e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Sikur Donald Trump të mos ishte aq i magjepsur nga Vladimir Putin, do të kishim dëgjuar më shumë nga ky dështim i caktuar i administratës Obama gjatë fushatës së tij presidenciale.
Në këtë rast, duke qenë më komod me Rusinë, ndoshta Trump si President do të ishte më i mirë për paqen në botë krahasuar me një President të dytë Clinton, por me cilin çmim? Trump nuk e ka fshehur aspak dëshirën e tij drejt izolimit, distancimit nga NATO, madje edhe dorëzimit të vendeve baltike Putinit. Këtu do të përfshiheshin Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat do të duhet të largoheshin nga Bashkimi Europian kundër dëshirës së tyre për t’u bashkuar në sferën e influencës së Rusisë.
Shtetet e tjera – republikat e Azisë Qendrore për shembull dhe Gjeorgjia, aty ku Rusia e ka bërë një luftë agresioni – mund të mos mbeten pas gjithashtu. Lufta e Ftohtë do të mundësonte ekspansionin agresiv dhe të përshpejtuar të Rusisë, në një mënyrë që nuk e kemi parë që në vitet 1970 apo në kohën e pushtimeve të Hitlerit. Ka shumë cepa të botës që i ngjasojnë tipareve të Ballkanit në fund të verës së vitit 1914: republikat baltike, Koreja, Deti i Kinës së Jugut, Ukraina dhe Lindja e Mesme, si shembuj më të dukshëm.
Por shpërthimi i luftës nuk do të sillte detyrimisht që amerikanët të luftonin ballë për ballë me rusët, qoftë me armë tradicionale, ashtu edhe me ato bërthamore. Doktrina e sigurisë reciproke vazhdon të aplikohet në luftë dhe ka gjasa që, ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, të dy superfuqitë do të përpiqeshin të qëndronin jashtë, duke lënë të tjerët të luftonin për llogari të tyre.
Çdo konflikt gjatë Luftës së Ftohtë u luftua nga ushtri dhe kryengritës që punonin në emër të amerikanëve, rusëve dhe ndonjëherë kinezëve. Ndonjëherë superfuqitë angazhonin edhe trupat e tyre, veçanërisht Shtetet e Bashkuara si në Kore dhe Vietnam. Por Rusia dhe Amerika rrallë herë, për të mos thënë kurrë, janë përballur me njëri-tjetrin. Edhe Lufta e Dytë e Ftohtë me shumë gjasa do të ndiqte të njëjtin karakter, siç po ndodh që tani, por e shpërndarë në më shumë vende, me armë më vdekjeprurëse, me më shumë terrorizëm, me numër më të madh vdekjesh, më pak respekt për kufijtë kombëtarë dhe kështu, me më shumë rrëziqe. Të shpresojmë që Islanda, si vendi më paqësor në botë, të arrijë të qëndrojë jashtë, sepse shumë pak të tjerë do të arrijnë të mos përfshihen.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI