Komisioni hetimor, fakte të reja për përgjimet e policisë

260

Komisioni Hetimor për përgjimet nga policia me “IMSI Cathcer”, në mbledhjen e parë që zhvilloi dje vendosi të thërrasë për të dëshmuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, kreun e Shërbimit Inteligjent, Visho Ajazi Lika, kreun e SHKB-së së Burgjeve, si dhe disa zyrtarë të lartë të policisë. Kryetari i Komisionit, Flamur Noka, deklaroi në Komision se futja dhe përdorimi i pajisjes së përgjimit nga policia është një krim dhe ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare. Ai tha se, ka fakte dhe prova që faktojnë se, autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë përgjuar Presidentin e Republikës, deputetë të opozitës, diplomatë të akredituar në Tiranë, zyrtarë të lartë, politikanë, gazetarë e biznesmenë.
“Rezulton që pikat e marrëveshjes me Interforcën kanë të bëjnë me trajnimet dhe nuk kanë asnjë pikë që flitet që strukturat e Policisë së Shtetit mund të fusin ndonjë pajisje në mënyrë të paligjshme dhe ta përdorin atë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Në fund nga ana jonë ka rezultuar se është kjo pajisje, mund dhe të jetë përdorur për të përgjuar drejtues shteti, deputetë, politikanë, diplomatë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, biznesmenë. Nga informacionet që opozita ka disponuar dhe disponon, rezulton se mund të ketë ndërhyrje disa herë në segmentin e aparatit fundor antenë ligjore të pajisjes, çka nënkupton se aparate celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e kësaj pajisjeje. Është përdorur jo thjesht për praktikë, por për efekte të punës së përgjimit dhe monitorimit. Mjeti së bashku me pajisjen e montuar ka lëvizur nga një specialist shqiptar i policisë shqiptare në disa pika të territorit të Tiranës dhe vendit. Ka dokumente që është futur në disa institucione. Mund të ketë kryer dhe ka kryer veprime të paautorizuara dhe pa asnjë urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme”, u shpreh Noka.
Ai tha më tej se, pajisja nuk është përdorur vetëm nga oficerët italianë të Interforcës për trajnime, por është përdorur nga punonjës të policisë shqiptare pa praninë e oficerëve dhe autoriteteve italiane. “Të gjitha këto fakte dhe prova në dhunim flagrant të Kushtetutës, ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut. Nga ana e autoriteteve tona me futjen dhe përdorimin e kësaj pajisjeje është kryer krim. Në gjykimin tonë është cenuar rëndë siguria kombëtare”, tha Noka.
Deputetët e mazhorancës e kundërshtuan ngritjen e Komisionit Hetimor, duke u shprehur se për këtë çështje po heton Prokuroria. Deputeti i PD, Keltis Kruja tha se, komisionin e kemi kërkuar ne si opozitë dhe jemi nisur nga prova, që kemi ne për shqetësimin që kemi pasur për ekzistencën e këtij aparati. “Kemi bërë dhe seanca dëgjimore. Nuk janë konkluzionet finale. Tani fillon punën Komisioni, plani është paraprak. Ka një hetim Prokuroria. Le të vijnë të dëshmojnë prapë, kush është sekret hetimor sigurisht është sekret. Prokuroria ka punën e vet, ne nuk jemi Komision që bëjmë hetim penal. E kryen Prokuroria. Përfundimet finale nëse biem dakord është mirë të bëjmë një raport final, nëse nuk biem dakord do të shkojmë me dy raporte. Përfundimet që do të nxjerrim do t’i çojmë në Prokurori dhe Prokuroria do të bëjë punën e vet”, tha Kruja.
Deputeti Asllan Dogjani tha se, ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë kanë pranuar vetë këtu disa fakte, se ekziston një pajisje dhe kanë thënë se është përdorur për trajnim të punonjësve të policisë. “Do të kërkoja që lidhur me provat shkresore, ose të na vihen në dispozicion, ose të bëhet këqyrja e dokumenteve, regjistrat e hyrje-daljeve në burgun 302, Peqin e me radhë. Ku janë bërë hyrje-daljet e personave dhe mjetit që ka bërë përgjimin. Të na vihen në dispozicion regjistrimet nga kamerat. T’i kërkojmë Doganës së Durrësit për të parë regjimin e hyrje-daljeve të pajisjes nëse i është nënshtruar regjimit doganor apo jo”, tha Dogjani.
Janë 17 zyrtarë të lartë, të cilët do të thirren të dëshmojnë në Komisionin Hetimor parlamentar, ndërkohë që Prokuroria ka nisur një hetim për pajisjen, ku janë marrë në pyetje zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit.

R.POLISI