Hekurudha shqiptare në kolaps, bllokohet transporti si dhe pagesat për punonjësit

1906

Prej tre javësh, drejtori i Hekurudhës shqiptare ka dhënë dorëheqjen e po prej kaq kohe Hekurudha shqiptare është bllokuar tërësisht. Kompania e karburanteve, e cila i ka dhënë borxh hekurudhës 2.4 miliardë lekë karburant për lëvizjen e trenave deri 20 ditë më parë, ka kërkuar në gjykatë bllokimin e të gjitha llogarive bankare. Bllokimi i llogarive ka bërë që prej 20 ditësh të mos qarkullojë më asnjë tren mallrash apo pasagjerësh në vend, duke sjellë falimentimin e këtij transporti. Nëpërmjet një peticioni drejtuar ministrit të Transporteve, Sokol Dervishaj, sindikata e pavarur e Hekurudhës shqiptare, i kërkon ministrisë të ndërhyjë urgjentisht, përpara se të përballet me protesta masive të 1300 punëtorëve që ka ky sektor. Kreu i kësaj sindikate, Osman Meta, shprehu edhe shqetësimin e përgjithshëm të punonjësve, të cilat kanë mbi 5 muaj që nuk u paguhen detyrimet e sigurimeve shoqërore. Hekurudha në vite, nga keqadministrimi, ka përfunduar në pikë të hallit. Ringritja e këtij sektori do të mundësonte të ardhura më të shumta për ekonominë, rritjen e transportit të pasagjerëve, uljen e qarkullimit në rrugët e mbingarkuara dhe si rezultat do të ndikonte edhe në uljen e aksidenteve të shumta rrugore.