Fara që mund të shpëtojë botën

206

Eloise Gibson

Të burgosur nga ushtarët e Hitlerit gjatë dimrit të egër të viteve 1941-1942, një ekipi botanistësh rusë u gjendën përballë një zgjedhjeje të tmerrshme. Për më shumë se një dekadë, punonjësit e Institutit të Industrisë Bimore Vavilov kishin mbledhur fara nga e gjithë bota dhe i kishin ruajtur ato me kujdes në kapsula të mbyllura hermetikisht. Ata besonin se kishin mbledhur lëndë të para të mjaftueshme që do t’i lejonin shkencëtarët që të krijonin superbimën e së ardhmes, të mbjella që do t’i rezistonin të gjitha kushteve më ekstreme atmosferike që do të sillte natyra.
Themeluesi i institutit, Nikolai Vavilov, kishte kaluar vite të tëra duke mbledhur alternativa të egra dhe të rralla të familjes së grurit dhe thekrës, si dhe mostra të tjera që rritësit e të mbjellave të mund të krijonin gjenet e tyre të çmuara. Për të mbrojtur punën e tyre, botanistët e mbyllën veten së bashku me farat dhe u zotuan t’i mbronin ato nga minjtë, koha e ftohtë dhe qytetarët e dëshpëruar dhe të uritur.
Shkencëtarët mund të kishin konsumuar të gjitha pakot e orizit, grurit, bizeleve, tërshërës dhe patateve gjatë sagës 28-mujore, por Dmitri S. Ivanov, kreu i operacionit të mbledhjes së farave, arriti me dhembje të ruante disa mijëra pako oriz teksa gradualisht i dorëzohej urisë dhe kequshqyerjes. Tetë kolegë të tij humbën jetën nga i ftohti dhe uria teksa mbronin farat e çmuara. Shumë lloje farash i mbjetuan peripecive të shumta dhe u mbollën më pas për të gjeneruar të mbjella që ushqyen miliona njerëz.
Sot, misioni i botanistëve vazhdon të jetojë në një rrjet ndërkombëtar gjenetik serrash. Mbledhësit e farave janë duke shëtitur të gjithë globin me kamionë dhe avionë për të mbledhur sa më shumë fara antike në mënyrë që të fillojnë t’i ruajnë përpara se të zhduken përgjithmonë. Këtë radhë ata po kërkojmë bimë që mund t’i rezistojnë ndryshimit të klimës. Por as në ditët e sotme, nuk mund të thuhet që serrat e çmuara janë aq të mbrojtura dhe të sigurta sa duhet.
Kohët e fundit, dy gjuetarë farash nga Zelanda e Re udhëtonin me kamionë të bardhë përgjatë rrugëve të pashtruara të zonave të humbura në malet Altai të Rusisë, afër kufirit me Mongolinë. Duke punuar me stafin e Institutit Vavilov, kërkuesit nga Zelanda e Re kërkonin dhe mblidhnin variante antike të barit – bimë që bëjnë pjesë në familjen e farave të humbura prej kohësh dhe që fermerët i përdorin për të ushqyer miliona njerëz dhe kafshë të fermave.
Duke udhëtuar me ndihmën e një harte që identifikon pikat më të nxehta të biodiversitetit, ata fillimisht gjejnë një specie të rrallë, më pas e identifikojnë dhe duke përdorur një sasi referencë, mbledhin një dorë farash dhe i marrin me vete në zarf. Pasi i ndajnë llojet e ndryshme të farave me kolegët në Shën Petërsburg, kërkuesit e Zelandës së Re fluturojnë së bashku me ngarkesën e tyre të çmuar drejt qendrës së qelizave në Palmerston North, një qytet dy orë larg Wellingtonit. Atje, ata mbjellin farat e mbledhura brenda një kopshti të sigurt derisa të kenë rritur të paktën 100 fara të secilës specie, sasi e mjaftueshme për të ruajtur biodiversitetet gjenetike të shëndetshme.
I gjithë operacioni është i jashtëzakonshëm për t’u vëzhguar. Kur një e mbjellë duhet të polenizohet nga insektet, caktohet një teknicien për të kapur një grerëz të egër. Teknicieni pastron me kujdes grerëzën me një tampon prej pambuku për të hequr çdo gjurmë poleni të jashtëm përpara se ta lëshojë atë brenda serrës.
Më pas, mbledhësit pastrojnë, thajnë dhe ruajnë farat e përftuara në ftohës të sigurt me lagështi të ulët. Që aty, ata do të dërgojnë një mostër për çdo shkencëtar që kërkon t’i studiojë ose në çdo bankë gjenesh të botës. Nëse një prej këtyre farave zhduket nga vendi i origjinës, gjuetarët rikthehen në vend për ta mbjellur atë sërish. Gjuetarët e farave janë veçanërisht të interesuar për bimësi që lulëzon në vendet më të thata, më të egra dhe më të përmbytura të botës sepse ato janë farat që mund të fshehin gjenin që mund të ndihmojë të mbjellat t’i rezistojnë klimës së të ardhmes. Eksploruesit kanë vizituar pjesë të ndryshme të Kinës, Marokut, Tunizisë e Kazakistanit – kudo ku mund të marrin leje për të vizituar dhe studiuar biodiversitetin që ndodhet aty.
Shumica e gjërave që gjejnë janë natyrisht një zhgënjim i madh nëse botanistët janë të uritur dhe vendosin të hanë ndonjë prej tyre. Shumica e këtyre specieve janë të pangrënshme, të afërmit më të egër të familjeve bimore më të rëndësishme të përdorura nga njerëzit si gruri dhe misri. Këto “kushërinj” të egër janë përsëri mjaftueshëm të afërt për t’u farëzuar së bashku me fara të tjera më të ngrënshme.
Shumica e të mbjellave tona shtëpiake dikur kanë qenë të egra e të pangrënshme, thotë Kioumars Ghamkhar, gjenetisti bimor iranian, i cili drejton bankën gjenetike Margot Fode. Me kalimin e shekujve, fermerët kanë zgjedhur të mbjellat që kanë qenë më produktive, të pranueshme për shijen dhe të lehta për të qëruar, duke sakrifikuar tiparet e tjera të procesit.
Ushqimi që hamë është produkti i shumë brezave të njëpasnjëshme të bimëve, secili i ushqyer me mjaftueshëm ujë, ushqyes dhe kontrolle për pesticide. “Këto fara kanë jetuar në hotel me pesë yje”, thotë Ghamkar. Tani, gjuetarët e farave po rrëmojnë në parahistori për të rizbuluar gjenet “e forta” dhe të humbura të këtyre bimëve, për t’i bërë ata të aftë për t’u rritur pa përkujdesje, madje në kushte ekstreme atmosferike.
“Ne dalim dhe mbledhim hapat e evolucionit”, thotë Ghamkar. “Në malet e Azerbajxhanit nuk ka hotel me pesë yje për bimët, kështu ato rriten në mjedise tepër armiqësore. Kur i farëzojmë ato duke i kryqëzuar me bimë të tjera, arrijmë të përftojmë gjenin e rezistencës dhe mbijetesës, pikërisht ai që na duhet për ta përgatitur bimësinë për ndryshimin e klimës”.
Dietat e njerëzve në të gjithë botën sa vjen e po njehsohen dhe njerëzit i marrin shumicën e kalorive nga të njëjtat të mbjella: misri, gruri, orizi, patatja dhe fara e sojës. Në të njëjtën kohë, ndryshimi i klimës është duke kërcënuar rritjen dhe zhvillimin e të mbjellave në shumë rajone të botës. Vavilov ishte në dijeni fatkeqësisht se të mbjellat janë tepër të dobëta gjenetikisht, aq të dobëta sa mund të zhduken nga faqja e tokës me një katastrofë të vetme, si thatësira që shkaktoi urinë ruse në vitet 1920 apo zhdukja e patates që shkaktoi urinë irlandeze në viteve 1840.
Tani qeveritë dhe shkencëtarët në të gjithë botën janë dakord se njerëzve u nevojitet një gamë e gjerë gjenesh bimore që të mbrojnë botën nga uria. Kohët e fundit një lloj gruri i egër izraelit rezultoi me përmbajtje të lartë proteinash, ndërsa një patate në Amerikën Jugore zhvilloi një gjen që duket se i ndihmonte t’i rezistonin sëmundjeve. Fara të tjera të egra të zbuluara kanë rezultuar me rrënjë tejmase të thella dhe mund të mbijetojnë edhe në mungesë ekstreme të ujit.
Ekzistojnë shumë mënyra në të cilat një bimë e ngrënshme mund të zhduket përgjithmonë, por ka vetëm pak mënyra për t’i ruajtur ato. Mënyra më e mirë për t’i shpëtuar është t’i lësh të rriten në natyrë, në habitatin e tyre natyral, Chikelu Mba, lider i ekipit të gjenetikës së bimësisë në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë. Në natyrë, një bimë mund të vazhdojë ta tjetërsojë gjenonim e saj për t’u përshtatur me kushtet e ndryshueshme të klimës. Por mbledhësit e farave thonë se ndryshimi i klimës dhe zhvillimi urban është duke fshirë habitatet e disa lloje bimësh të egra, ndonjëherë edhe përpara se ata të arrijnë të marrin një kampion për ta ruajtur.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI