A duhet të ketë Europa ushtri?

295

Judy Dempsey
Donald Trumpi ka të drejtë të paktën për një gjë, vendet anëtare të aleancës së NATO-s e kanë marrë për të mirëqenë historikisht faktin se Shtetet e Bashkuara do të jenë çadra e tyre e sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, europianët, me disa përjashtime, i kanë injoruar vazhdimisht thirrjet e zyrtarëve amerikanë për ta ndarë barrën e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.
Thënë kjo, kandidati republikan për president dhe ideja e tij se, Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga NATO i fusin tmerrin Pentagonit, Departamentit amerikan të Shtetit dhe aleatëve europianë të Amerikës. Pa Amerikën, NATO do të ishte një individ pa dhëmbë. Shtetet e Bashkuara do të humbisnin aleatë të çmuar dhe Europa do të dobësohej ndjeshëm. Aleanca transatlantike do të ishte me një këmbë në varr.
Megjithatë, në vend që të fokusohen në forcimin e NATO-s, shumë liderë europianë tani thonë se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të ketë ushtrinë e tij. Por tani që Europa është e dobësuar dhe e përçarë nga kriza e borxheve, kriza e refugjatëve dhe rritja e lëvizjeve populiste në të gjithë bllokun, gjëja e fundit që i nevojitet Europës është ushtria e saj.
Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian, e mbështet idenë e forcës europiane. Juncker tha se një komponent i tillë i fuqishëm për Europën do t’i jepte Komisionit – jo vendeve anëtare –  më shumë pushtet për çështjet e sigurisë. “Europës nuk i leverdis më të struket pas forcës ushtarake të të tjerëve”, tha Juncker. “Duhet të marrim përgjegjësinë për të mbrojtur interesat tona dhe mënyrën e jetesës europiane… Pa një strukturë permanente, nuk mund të veprojmë me eficencë”.
Por është e vështirë të imagjinosh që vendet anëtare të pranojnë të heqin dorë nga sovraniteti i një çështjeje kaq të rëndësishme dhe t’ia dorëzojnë atë Komisionit Europian. Franca, e cila është afruar më shumë me NATO-n gjatë viteve të fundit, mbështet idenë e ushtrisë europiane, por nuk ka shpjeguar akoma se si do të funksiononte dhe nga kush do të komandohej.
Është gjithashtu e vështirë të imagjinosh, për shembull, parlamentet holandeze dhe gjermane që të dorëzojnë të drejtën e vetos dhe të bien dakord për misionet ushtarake apriori. Më pas vjen pyetja e pagesës së forcës ushtarake. Si do të bien dakord ministrat për të financuar një ushtri europiane në një kohë kur anëtarët e NATO-s duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 2 për qind të GDP-së?
Jo të gjithë vendet anëtare e duam ushtrinë europiane, gjë që e shton rrezikun e përçarjes së mëtejshme të një blloku tashmë të përçarë prej kohësh. Vendet nordike, si Danimarka, Suedia, Zvicra dhe Finlanda nuk i janë bashkuar këtij debati dhe as Spanja dhe Portugalia. Dy vendet e fundit nuk do të ishin aspak dakord të dyfishonin shpenzimet si për NATO-n, ashtu edhe për ushtrinë e BE-së.
Vendet e Europës Qendrore kanë sugjeruar se e duan një ushtri europiane për arsyet e tyre të veçanta. Tradicionalisht, vendet Visegrad të Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë kanë qenë vende të patundura të NATO-s. Bohuslav Sobotka, Kryeministri çek, tha se vetëm forcat e armatosura në të gjithë Europën na lejojnë t’i mbrojmë interesat tona. Ai shtoi se një forcë e tillë do të kthehej në një partner më të besueshëm dhe më veprues, sikur NATO të mos ishte e njëjta e gjë.
Viktor Orban, Kryeministri i Hungarisë e mbështeti idenë. “Duhet ta bëjmë prioritet sigurinë dhe duhet ta fillojmë këtë duke krijuar ushtrinë e përbashkët europiane”, tha ai kohët e fundit në Varshavë gjatë bisedimeve me liderët e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Vendet e Europës Qendrore duan që ushtria europiane të mbrojë kufijtë e jashtëm të BE-së. Ata nuk e shohin ushtrinë potenciale europiane si një instrument pushteti të fortë për vendet konfliktuale të globit jashtë bllokut apo si mjet për të ndarë informacione inteligjence dhe luftuar për sigurinë kibernetike.
Ish-qeveria e Polonisë kërkonte që BE të forconte mbrojtjen dhe politikën e sigurisë kur ishte në pushtet gjatë viteve 2007-2015. BE-ja duhet të ishte gati për ditën kur fokusi i Shteteve të Bashkuara mbi Europën të dobësohej si rezultat i spostimit të interesit amerikan drejt Azisë. Për të qenë të sigurt, BE-ja duhet të kishte selinë e saj private ushtarake ku të zhvillonte planifikimin ushtarak.
Por këto përpjekje nuk shkuan larg. Britania e kundërshtoi idenë e një selie të pavarur ushtarake për BE-në. Sipas saj, ishte e padobishme. BE-ja kishte akses në shërbimet e planifikimit ushtarak të NATO-s dhe krijimi i selisë së re do të çonte vetëm në dublikim dhe konkurrencë mes institucionesh.
NATO sot nevojitet më shumë se kurrë, veçanërisht duke pasur parasysh pushtimin e Rusisë në Ukrainën Lindore dhe pasigurinë masive në Europën Jugore. Ushtria europiane do të ishte mëse e mirëpritur nga Vladimir Putini sepse Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të përziheshin më në këtë rast.
Me pak fjalë, thirrjet për krijimin e ushtrisë europiane janë një strategji e pamenduar mirë. Kjo nuk është koha e përshtatshme për ta dobësuar apo shpërqendruar NATO-n. Është koha për të sfiduar idetë e Trumpit – dhe për të thyer shpresat e Putinit – se aleanca e NATO-s tashmë e ka mbyllur ciklin e saj.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI