Kriza e transportit publik dhe ndërhyrja pa sens në Sheshin “Skënderbej”…

307

Besnik Aliaj

Që ditën e parë të bllokimit të Sheshit “Skënderbej”, Tirana u përball me krizën e transportit publik, trafikun mbytës dhe bllokimin total, pa folur për stresin dhe ndotjen që tejkalon ato të niveleve më të këqija në Euroazi …
Kjo është ndërkohë edhe një krizë planifikimi territori dhe keqqeverisje ndër vite në kushtet kur qyteti është trefishuar në sipërfaqe e popullsi …
Nuk do shumë mend të kuptosh se në kushtet ekzistuese kur kanë munguar investimet për infrastrukturë të re, dhe kur gjithë rrugët të çojnë në qendër, atëherë Sheshi “Skënderbej” dhe unaza e qendrës janë rregullator (të përkohshëm, por të detyrueshëm) për situatën aktuale …
Por në se do të zgjidhësh realisht problemet kjo kërkon vullnet politik majtas-djathatas, vizion dhe financa, në mënyrë që të ndërtohen të paktën 150 km të reja akse unazore e radiale, nyje dhe rrugë lidhëse të reja për të normalizuar sadopak situatën … Qarkullimi e zhvillimi nuk janë shaka! Kjo punë do përulësi e konsulencë serioze, dhe jo butafori …
Krahas kësaj duhet të reformosh totalisht konceptin, incentivat dhe shërbimin e transportit publik, si dhe sistemin hierarkik të parkimeve nga periferia në qendër. Duhet të edukosh shoqërinë, duke filluar nga shkollat fillore tek edukata qytetare dhe ajo e këmbësorëve, biçiklistëve dhe shoferëve, etj., etj …
Të shkatërrosh rregullatorin e vetëm të qytetit në këtë moment, pa ndërtuar minimalisht unazën e re dhe bulevardin verior apo edhe disa rrugë lidhëse bazë, është mizore dhe vrasëse për tërë komunitetin e banorëve që çdo ditë duhet të rropaten 2-4 orë në ditë në një trafik vrastar …
Aq më tepër të urresh ata që kanë makina private kur nuk u ke dhënë më parë alternativë të ligjshme ekonomike dhe cilësore është e pamoralshme dhe që dëshmon për një mentalitet fanatik e keqdashës …
Ndërkohë gjithë projektet e ndërmarra nga Bashkia dhe qeveria së fundi përfshi kullat shumëkatëshe apo parkimet nëntokësore në qendër, vetëm sa do të rrisin presionin e pupullsisë për të ardhur e parkuar në qendër! Ndaj që të vendosësh në rresht të gjithë në vrimë të gjelpërës, ndërsa për vete e çan trafikun me polici e ushtri, kjo është ligësi …
Nuk rregullohet trafiku as me urdhërin e peshkut, as me terror as me forcë. Kjo punë do dashuri për njerëzit, ndershmëri me veten dhe natyrisht aftësi, shkollim, për të mos thënë pak tru …
Më vjen keq për një qytet të tërë që sot u fut në një kalvar për një kapriço dhe egoizëm irracional të dikujt! Në se nuk besoni se çfarë ju pret po kujtoni çfarë ndodhi vetëm 4-5 vjet më parë kur të gjithë mallkonin veten dhe politikën! Tani do të jetë shumëfish më keq! Veç këtë radhë besoj nuk do jetë pa pasoja …