Faturimet abuzive të OSHEE rrënojnë qytetarët

246

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka publikuar dje me mburrje treguesit kryesorë të aktivitetit 8-mujor (janar-gusht 2016).
Sipas OSHEE-së, treguesi i humbjeve ka pësuar një ulje të ndjeshme në 28.1% për këtë periudhë të vitit, ndërsa ka mundur të grumbullojë nga arkëtimet për furnizimin me energji elektrike shumën prej 40,7 miliardë lekësh prej të cilave 2,6 miliardë lekë janë nga aktmarrëveshjet, ndërsa 38,1 miliardë lekë nga faturat.
E ndërsa OSHEE vetëlavdërohet me arkëtimet, kjo kompani nuk tregohet transparente se sa detyrime janë fshirë nga sistemi nëpërmjet korrupsionit.
OSHEE vazhdon të heshtë për skandalin e denoncuar nga emisioni “Stop” ku u zbulua se punonjësit e kësaj kompanie nëpërmjet korrupsionit fshinin detyrime të mëdha nga sistemi për të përfituar para në xhepat e tyre.
Aq më tepër që ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi siç u zbulua nga investigimi, ky rast ishte përsëritur me dhjetëra herë.
OSHEE nuk sqaroi asnjëherë për publikun se sa detyrime ishin fshirë nga sistemi nëpërmjet korrupsionit, ndërsa policia u mjaftua me një procedim, pa hetuar thellë në këtë skandal.
Nga ana tjetër, transparenca e OSHEE-së mungon edhe në faturat abuzive. Një denoncim i një qytetareje ardhur në redaksinë e “Boldnews”, thotë se edhe pse harxhon në minimum energji elektrike, fatura vjen e kripur.
Qytetarja me inicialet F.H., shkruan se, “vjedhja që po bën OSHEE me matësit është fatale. 51 mijë lekë të vjetër ishte fatura e gushtit për familjen time, që plus kësaj kam dhe 25 mijë të debisë që po paguaj nga mbifaturimi i tri faturave super të mëdha bëhet 76 mijë lekë të vjetër për ta paguar. Sa për sqarim, gatuajmë me gaz dhe jemi vetëm 3 persona në familje. Vetëm në darkë konsumojmë energji dhe këtë për një TV, frigoriferin njëkatësh dhe një llambë që mund të ndizet, ekonomike dhe kjo”, denoncon qytetarja. Ndërsa më tej paraqet edhe një tjetër fakt më të rëndë, se sa herë është ankuar, aq më e madhe i ka ardhur fatura.
“Sa më shumë jam ankuar aq më e madhe më ka ardhur fatura. Kryeministri nuk e di se me sa lekë mbahemi ne familjet e thjeshta nga punët e zeza që bëjmë? Vetëm për bukë e mezi po ja dalim, turp”, shkruan denoncuesja në “Boldnews”.
Por rastet si i mësipërmi janë me qindra në Shqipëri, ku qytetarët ankohen për mbifaturime abuzive, por zyrat e kujdesit ndaj klientin në OSHEE bëjnë “shurdhin” për ankesat e tyre ose më keq akoma, muajin tjetër të vjen një faturë edhe më e fryrë, siç i kishte ndodhur qytetares që denoncoi rastin e abuzimit.
Siç duket mënyra e faturimeve abuzimeve është “suksesi i OSHEE” për arkëtimet dhe për të mbuluar vjedhjet brenda kompanisë.