Anomalitë e tregut të sigurimeve në Shqipëri

1759

Tregu shqiptar i sigurimeve vijon të ketë një raport të dëmeve me primet jashtë intervaleve të përcaktuara nga autoritetet mbikëqyrëse. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vitin e kaluar kompanitë e sigurimeve raportuan një raport mes dëmeve dhe primeve neto në nivelin 38.75%. Ndërkohë, sistemi i informacionit të rregullatorëve të sigurimeve apo sistemi IRIS përcakton se ky raport duhet të jetë midis 50% dhe 80%. Tregu shqiptar i sigurimeve historikisht qëndron jashtë këitj intervali, çka nënkupton se këtu paguhen më pak dëme nga sa ndodh në vendet e tjera dhe nga ato që janë standardet e përcaktuara nga mbikëqyrësit. Kur kompanitë e sigurimeve kanë parametra jashtë intervalit të pranuara nga testet IRIS, kjo zakonisht nënkupton nevojën për një mbikëqyrje më të kujdesshme të tyre. Por, megjithëse ky fenomen në Shqipëri vijon prej vitesh, roli mbikëqyrës i AMF nuk duket të ketë sjellë ndonjë rezultat në përmirësimin e këtyre parametrave. Përveçse kanë një raport të ulët mes dëmeve dhe primeve, kompanitë e sigurimeve, nga ana tjetër, kanë raport shumë të lartë të shpenzimeve me primet. Normat e mbikëqyrjes përcaktojnë se ky raport duhet të jetë mes 25% dhe 50%, ndërsa për tregun shqiptar ky raport në vitin 2015 ishte 62%. Kjo tregon se kompanitë shqiptare shpenzojnë më tepër se ç’duhet për nevojat e tyre, ndërsa paguajnë më pak dëme. Drejtuesit e kompanive e justifikojnë këtë me kostot e larta të shitjes së produkteve dhe marrjes në sigurim që ka tregu shqiptar. Megjithatë, fakt mbetet se, që në fillimet e veta, industria shqiptare e sigurimeve paguan më shumë për rroga, shpenzime operative dhe komisione shitjeje, sesa për të zhdëmtuar të siguruarit.