Hollande: Franca nuk do të tërhiqet nga sulmet në Siri dhe Irak

184

Presidenti i Francës, François Hollande, ka folur në lidhje me sulmin e së enjtes në Nisë. Ai deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që ky ka qenë një sulm terrorist, ndërsa njoftoi për zgjatjen e gjendjes së emergjencës në vend edhe për tre muaj të tjerë.
Sipas tij, Franca është goditur në Ditën e Pavarësisë, simbolin e lirisë. “Ne solidarizohemi me familjet e viktimave. Kemi vënë në dispozicion gjithçka kemi për të ndihmuar të gjithë të plagosurit. Franca si e tërë është e kërcënuar nga terroristët islamikë. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të mos ulim kokën. Kam vendosur që gjendja e emergjencës që u supozua të përfundonte më 26 korrik, të shtyhet edhe për tre muaj të tjerë”, u shpreh Hollande.
Në të njëjtën kohë, Presidenti francez tha se qeveria ka nxjerrë në terren forca shtesë për të mbështetur xhandarmërinë dhe policinë për të mbajtur rendin, sidomos për të kontrolluar kufijtë. Hollande gjithashtu njoftoi se Franca nuk do të tërhiqet nga sulmet në Siri dhe Irak.
Ndërsa dje, Presidenti vizitoi qytetin e Nisës. Ai shtoi se Franca është e pikëlluar për ngjarjen, por është e fortë, më e fortë se fanatikët që e goditën atë një ditë më parë.