BE me letargji drejt humnerës

362

Bernd RIEGERT

Dy javë pas referendumit për Brexit-in, pas një Samiti të BE-së dhe dy debateve në Parlamentin Evropian është ende e paqartë se si do të organizohet dalja e britanikëve nga BE-ja. Dhe ç’përfundime do të nxjerrin 27 anëtarët e mbetur pas këtij hapi. Sipas Brukselit, Britania e Madhe gjendet në një gjendje kaotike, sepse në shtator do të ketë ndoshta një kryeministre, e cila do të marrë qytetarët e BE-së në Mbretërinë e Bashkuar si një peng politik për negociatat e ardhshme komplekse me BE-në. Ata mund të vazhdojnë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe vetëm nëse asaj i lejohet të ketë qasje në tregun e brendshëm të lakmuar të BE-së – një plan i pabesë i konservatores Teresa May.
Por edhe në anën tjetër ekstremistët po zënë pozicion: ata duan, si Presidenti francez Hollande, që t’i lënë britanikët të vuajnë. Frika nga një rënie ekonomike e Britanisë, e cila po duket në horizont u vjen atyre për shtat. Sipas anketimeve të fundit shoku prej Brexit-it ka çuar në disa vende skeptike ndaj Evropës, si Danimarka, Finlanda dhe Italia në vlera më të mira në lidhje me BE-në. Por se sa kohë zgjat ky efekt, javë apo muaj, askush nuk e di. Edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker është për një rrugë më tepër konfrontuese: britanikët duhet të dalin jashtë sa më shpejt të jetë e mundur. Me ta mund të bëhet tregti, por vetëm në qoftë se ata paguajnë sikurse Norvegjia një çmim dhe vazhdojnë të lejojnë emigracionin nga BE-ja.

Prit një herë
Kancelarja Merkel po ndjek taktikën e zakonshme: të presim një herë dhe të gjejmë ndonjë zgjidhje pragmatike për të mos përfunduar me grindje. Merkeli pret takimin e nivelit të lartë në shtator dhe atë të pranverës së ardhshme.
Brexit-i e ka ndarë politikën në dy kampe. Socialdemokratët dhe liberalët në Parlamentin Evropian, nën e drejtimit e presidentit të tij, Martin Schulz, kërkojnë më tepër Evropë, integrim e madje një qeveri evropiane. Por këto ide nuk kanë shanse në botën reale të BE-së. Kampi i dytë hedh idenë e vazhdimit kështu si deri tani, por më shpejt dhe më mirë. Idetë këtu janë të tipit riorientim, por pa ndryshuar drejtimin, sikur kërkon Kryemininstri holandez, Marc Rutte. Apo ajo e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schauble, që thotë se BE-ja mund të shmanget dhe të gjenden koalicione të të gatshmëve brenda qeverive të shteteve anëtare.

Secili ka interesat e veta
Vendet jugore të BE-së shohin pas referendumit britanik shansin për të liberalizuar disiplinën buxhetore që gjoja diktohet nga Brukseli. Vendet veriore, të cilave u duhet të paguajnë e refuzojnë këtë për shkak se Brexit-i nuk ka të bëjë asgjë fare me euron dhe kursimet e nevojshme. Disa anëtarë lindorë të BE-së e përziejnë referendumin me shpërndarjen e refugjatëve dhe të azilkërkuesve. Edhe me këtë Britania nuk kishte shumë lidhje. Politikanët e BE-së kanë vetëm të qartë që si për krizën ekonomike edhe krizën e refugjatëve duhet gjetur një zgjidhje. Por cila? Në këto çështje Brexit-i si kërcënim i ndjerë nuk po e ngjiz BE-në, por po bën të dalin edhe më shumë në pah të kundërtat.
BE-së aktualisht nuk i mbetet mjaft kohë për përgjigje të arsyeshme, sepse më 2 tetor kërcënon “super e diela”: Hungaria voton lidhur me shpërndarjen e refugjatëve dhe Austria për presidentin e ardhshëm. Të dyja këto votime do të tregojnë në parim edhe rrugën e këtyre vendeve në BE. Dhe në tetor edhe Italia do të vendosë mbi reformat kushtetuese. Ky referendum mund të shndërrohet shpejt në një referendum për BE-në për shkak të euroskepticizmit të shfrenuar në Itali.
Dy javë pas referendumit për Brexit-in ekziston frika se për shkak të pikëpamjeve të kundërta në BE nuk do të ketë reforma vendimtare dhe një hov të ri për projektin evropian. BE-ja po shkon me letargji drejt humnerës. Kush e ka fuqinë dhe vullnetin politik për ta ndaluar atë?