Ambasadorja e Kroacisë në Shqipëri takohet me kryetarin e Bashkisë Kamëz

405

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti sot në një takim ambasadoren e Kroacisë në Shqipëri, znj. Sanja Bujas-Juraga. Gjatë këtij takimi u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe krijimi i mundësive të partneritetit të Bashkisë Kamëz me njësi vendore dhe biznese kroate.
Ambasadorja kroate shprehu falënderimet e saj për ftesën që i ishte bërë për të vizituar Bashkinë Kamëz. “Faleminderit për mundësinë që më dhatë për t’ju takuar ju dhe kolegët tuaj! Kam gjashtë muaj që jam ambasadore, por jam shumë e impresionuar me punën e bërë në Shqipëri në përgjithësi. Mendoj që është gjë shumë e rëndësishme për të zhvilluar bashkëpunimin edhe në nivel vendor, sepse shumë projekte dhe bashkëpunime kalojnë nëpërmjet bashkive dhe jam këtu për të folur, për të biseduar për bashkëpunimin e mundshëm në nivel shtetëror, por edhe në nivel këshilli dhe bashkie”, u shpreh znj.
Sanja Bujas-Juraga, e cila shtoi se ishte e nderuar që ishte në qytetin e Kamzës. “Jam e nderuar që erdha këtu, për të takuar përfaqësues të lartë të qytetit tuaj dhe për të shikuar edhe qytetin. Kam mësuar shumë gjëra për punën tuaj”, iu drejtua ajo kryebashkiakut Mziu, i cili nga ana e tij dhe e institucionit që përfaqëson e falënderoi përzemërsisht për pranimin e ftesës. “Ju falënderoj përzemërsisht për pranimin e ftesës për të qenë e pranishme në institucionin e Bashkisë Kamëz! Është vërtet një kënaqësi shumë e madhe që tek institucioni ynë vjen një diplomate, që përfaqëson një shtet mik siç është Kroacia, që konsiderohet si miku më i afërt në Ballkan. Jo vetëm e vlerësoj si kryebashkiak, por edhe si qytetar, pasi është një privilegj për mua dhe qytetarët e Kamzës”, pohoi Mziu. Ai tha se jo pa qëllim i kishte dërguar këtë ftesë ambasadores së Kroacisë: “Jo pa qëllim ju kam bërë këtë ftesë, duke vlerësuar së pari rolin që ka Kroacia, por edhe rolin dhe influencën tuaj që keni sot në Shqipëri në lidhje me problematikat që ka zakonisht kudo pushteti vendor me pushtetin qendror, por që në Bashkinë e Kamzës mund të jenë më të theksuara”.
Kryebashkiaku Mziu bëri një prezantim të përgjithshëm të qytetit dhe të Bashkisë Kamëz, duke thekuar në fjalën e tij zhvillimin e vrullshëm që ka pasur në vitet e fundit. Gjithashtu, ai e ftoi ambasadoren kroate për të shtrirë bashkëpunimin dypalësh në shumë fusha, duke theksuar se kjo njësi vendore ka një pozicion strategjik për sa i përket zhvillimit të aktivitetit privat, duke qenë pranë kryeqytetit, pranë aeroportit të Rinasit dhe pranë aksit kryesor që lidhet me Kosovën dhe pjesën veriore të Gadishullit Ballkanik. Me këtë rast ai bëri thirrje që biznese kroate ta shohin mundësinë e sjelljes së aktivitetit të tyre në Kamëz, pasi në këtë qytet mosha mesatare është më e reja në vend dhe më kryesorja politikat fiskale të Bashkisë janë të favorshme për zhvillimin e biznesit.
Me rastin e kësaj vizite, kryetari i Bashkisë, Mziu i akordoi ambasadores kroate edhe certifikatën “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacion “Për kontributin e dhënë në bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy shteteve, mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për mundësimin e partneritetit me Bashkinë Kamëz”. Ambasadorja e Kroacisë, e shoqëruar nga kryebashkiaku Mziu, ka vizituar ambiente e Bashkisë, sallën e Këshillit Bashkiak dhe One Stop Shop-in, ku u njoh me cilësinë e shërbimeve të ofruara nga Bashkia e Kamzës.