Turqia pret turistët nga Shqipëria

1103

Situata politike dhe kërcënimet për terrorizëm kanë lënë indiferentë shqiptarët, që të joshur nga çmimet e ulëta kanë rritur kërkesën për të kaluar pushimet në Turqi. Ulja e çmimeve të paketave turistike, deri edhe me 50% po tërheq shqiptarët që të zgjedhin të pushojnë në qytetet bregdetare të Turqisë. Agjencitë thonë se, kërkesa për të prenotuar në restortet e tipit all dhe ultra inclusive do të shënojë kulmin e saj në periudhën pas datës 14 korrik e deri në fund të muajit gusht.
Duket se shqiptarët do të “zëvendësojnë” rusët që deri dje kanë qenë një nga tregjet më të mëdha furnizuese të Turqisë së bashku me Gjermaninë. (Konflikti mes Rusisë dhe Turqisë lindi për shkak të një patrullimi ajror të palajmëruar të një avioni ushtarak turk në zonën ruse). Por, një tjetër shkak i reduktimit të numrit të turistëve perëndimor ka të bëjë me sulmet e shpeshta të ISIS në Turqi, gjë e cila ka shkaktuar frikë dhe panik. Megjithatë, ato janë përqendruar kryesisht në Stamboll dhe nuk kanë prekur zonat bregdetare.
Drejtuesi i agjencisë Tour Albania, Xhimi Lama thotë se Turqia, është një destinacion i konsoliduar nga shqiptarët dhe kërkesa nuk pritet të ulet, ca më tepër kur ofertat që po reklamohen nga resortet turke janë tërheqëse. Për drejtuesen e agjencisë “Sava Tours”, Turqia këtë vit shënon rritje të ndjeshme në prenotime, pasi, sipas saj, tarifat e akomodimit në resorte janë ulur mesatarisht me 20-25% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shqiptarët në Turqi preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 në 10 net. “Për prenotimet e kësaj periudhe, në Kemer ka pasur oferta hotelesh që kanë zbatuar deri edhe në 70% ulje të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje për 7 ditë është ofruar me një çmim prej 258 euro/personi, në një kohë kur vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 500 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.