Tritan Shehu ironizon: “Varfëria falas” në shëndetësi

180

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ironizoi dje deklaratat e Ramës në lidhje me shëndetësinë gjatë një aktivteti me Ministrin Beqja. “Kryeministri Rama bën “lojë fjalësh” në takimin me drejtoren e Zyrës Rajonale të OBSH, zj. Jakab. Së pari dëshiroj të përshëndes zj. Jakab si një mike e mbështetëse e vjetër e Shqipërisë. Mbështetja e OBSH për Shqipërinë nuk ka ndodhur në këto tri vite, siç u tha sot, ajo ka filluar shumë më herët dhe është e rëndësishme për ne. Sipas raporteve të OBSH Shqipëria ka realizuar mbulimin universal bazal vite më parë, konkretisht në 97% të popullsisë, jo tashti. Z. Rama spekulon kur deklaron sot që “mbulimi universal” është gënjeshtra “shëndetësi falas”. Janë dy gjëra krejt të ndryshme këto! Ndoshta ai deshte të thoshte “sistem universal”, por dhe ky nuk është shëndetësi falas, gjë që mund ta gjesh veçse në dogmat komuniste. Është krejt konfuz kur flet njëkohësisht edhe për “shëndetësi falas” që ka vetëm një burim financimi- buxhetin, edhe për domosdoshmëri të financimeve alternative, që është tjetër gjë.  Foli për “koncesionet në shëndetësi” si arritje, kur tashmë edhe “gurët e sokakëve” e kanë kuptuar që këto janë veçse keqpërdorime të fondeve publike. Foli për shfrytëzim të investimeve private në shëndetësi, fatkeqësisht jemi shumë larg asaj që duhet bërë realisht për këtë domosdoshmëri. Nuk tha vetëm të vërtetën, që “Shëndetësia socialiste falas” është veçse “varfëria falas” në shëndetësi. Nuk di nëse z. Kryeministër e ka lexuar analizën e para tre ditësh të institucioneve ndërkombëtare, që e vendosnin Shqipërinë në vendin me shëndetësi më të nënfinancuar në Europë” shprehet deputeti demokrat në reagimin e tij.