Skandali-Beqja, largoi prodhuesin e ilaçit për ta shitur vetë me 139 euro më shtrenjtë

289
KOMISIONI I SHENDETESISE - Ministri i Shendetesise Ilir Beqaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Shendetesise, ku eshte diskutuar per shkurtimet e personelit shendetesor ne spitale, buxhetin e vitit 2016 dhe paketen fiskale./r/n/r/nHEALTH COMMITEE - Health Minister Ilir Beqaj, speaks during a session of Labour, Social Issues and Health Parliamentary Committee.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja në një aferë sa kriminale aq edhe çnjerëzore ka lënë katër muaj pa ilaçe pacientët që vuajnë nga Leuçemia, për të larguar prodhuesin e ilaçit e për të futur në lojë kompaninë e mikut të tij, i cili e shet këtë ilaç 139 euro më shtrenjtë.
Partia Demokratike denoncoi dje skandalin e radhës, ku i përfshirë është Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili për shkak të pazareve mes tij dhe klientelës së tij, prej 4 muajsh pacientët që vuajnë nga leuçemia nuk marrin medikamentin Fludara që u nevojitet për tu kuruar. Kjo, për shkak të makinacioneve të Beqes për ti hequr të drejtën kompanisë që sillte këto ilaçe, e për tia dhënë këtë të drejtë, kompanisë së mikut të tij. Në një dalje nga selia blu, deputetja demokrate, Albana Vokshi deklaroi dje se pazaret e Beqës lënë dhjetëra pacientë me leuçemi në mëshirë të fatit.
Vokshi denoncoi edhe faktin se kompania e mikut të Beqes e shet këtë ilaç me një shifër disa herë më të lartë se sa shitej nga kompania që ishte e autorizuar ligjërisht.
“Një shembull ulëritës se si Ilir Beqaj dhe Edi Rama bëjnë para me gjakun e shqiptarëve, në këtë rast me sëmundjet e gjakut. Dhjetëra burra e gra, fëmijë, të mitur, të rinj, të moshuar, që vuajnë nga leuçemia kanë qendruar të paktën 5 muaj pa ilaçin Fludara. Pse? Për shkak të pazareve të Ilir Beqajt”, tha Vokshi.
Edhe pse Fludara ishte bar i regjistruar nga kompania Sanofi Aventis, me çmim të kërkuar prej 276 euro pakoja, Beqaj në shkelje flagrante të ligjit ia hoqi të drejtën kësaj firme të njohur europiane, që tia jepte klientit të tij, të kompanisë Incomed, me çmim shumë herë më të lartë, me 390 euro kutia” bëri të ditur Vokshi.
Kur klienti i Beqës nuk do e gjente me pazar të lirë në bodrumet e depot e vendeve të Lindjes, e linte tregun bosh.
“Miku i Beqës, i këtij hajduti me çizme, merrte pra 114 euro më shumë për çdo pako. Dhe çfarë ndodh; sot paraqet ofertën kompania e Beqës, të nesërmen, miratohet në qeveri lista, vendoset rimbursimi. Nuk e vonon firmën Edi Rama as 24 orë. Ç’është vallë gjithë kjo shpejtësi, gjithë kjo eficencë? Eshtë korrupsion. Eshtë e planifikuar. Është skema e vjedhjes. Miku i Beqës, që mori lejen e importit në shkelje të ligjit, dhe iu bë gati në kohë rekord rimbursimi nga Edi Rama, tashmë jo vetëm mund ta sillte me një çmim katastrofik, por do të duhej ta kërkonte këtë bar nëpër bodrumet e depot e Lindjes, sepse në Perëndim nuk e merrte dot, pasi prodhuesin e përzunë. Miku i Beqës duhej ta gjente në Turqi e vende të tjera, ku mund ta merrte edhe me 2 lekë, apo në prag të skadimit, sigurisht të dyshimtë për cilësinë dhe sigurinë e tij, të rrezikshme për shëndetin. Kur klienti i Beqës nuk do e gjente me pazar të lirë në bodrumet e depot e vendeve të Lindjes, e linte tregun bosh” tha deputetja demokrate.
“Bashkëqytetarët tanë, burra e gra, fëmijë, të mitur e të moshuar që vuajnë nga leuçemia ishin në dorë të zotit. Pa trajtim.
Rreth 5 muaj ka ndodhur çdo ditë ky krim. Vuajnë të sëmurët, vuajnë familjet e tyre. Janë rrënuar ekonomikisht. Një dramë e madhe. Po për Ilir Beqën çfarë është kjo? Një lajm i mirë padyshim. Sepse biznesi i tij rritet. Sepse më shumë pako 390 euroshe do paguajë qeveria, para të shqiptarëve. Më shumë para për të e për Edi Ramën. Si ky rast është gjithë shëndetësia. Një ferr për shqiptarët, e parajsë financiare për Beqën e Ramën. 10 herë deri sot duhet të kishte shkuar në burg Ilir Beqaj për këtë hajdutëri me shëndetin e shqiptarëve.  E di mirë ai, dhe shefi i tij. Ndaj e duan drejtësinë me çdo kusht. Ndaj duan të emërojnë vetë prokurorët e gjykatësit. Po drejtësinë nuk do ta kenë, dhe milionat që kanë marrë nga sëmundjet e vuajtjet e shqiptarëve nuk do t’i gëzojnë” u shpreh Vokshi.

Pazaret e Beqes, si u bllokua ilaçi i leuçemisë për katër muajsh

Krerët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë bllokuar për të paktën 4 muaj një ilaç të domosdoshëm për kurimin e leuçemisë dhe qelizave kanceroze të gjakut. “HashtagAL” publikoi pak ditë më parë një MEMO qarkulluese, informacioni shqetësues i së cilës i ka kaluar disa muaj më parë krerëve më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Bëhet fjalë për ilaçin e quajtur “Fludarabine-10 mg”, ekskluzivitetin e së cilës e ka pasur kompania “Sanofi-Aventis”, ndërsa kur kjo e fundit aplikoi në korrik 2015 për rinovimin e të drejtës së importit të ilaçit, kërkesa u refuzua nga komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë. MEMO-ja zbulon se refuzimi nuk u shoqërua me arsyetim.
Por ndërkohë në lojë kishte hyrë dhe një kompani tjetër e quajtur “Incomed”, e cila kërkonte leje për importin e këtij ilaçi dhe kërkesa e kësaj kompanie u aprovua për 48 orë, ndërsa pak më vonë jepet dhe leja e importit.
Por siç zbulon MEMO-ja, kjo leje kishte një problem:
Ende pa patur një çmim zyrtar të barit “Fludarabine oral 10 mg”, drejtori i Agjencisë, znj. Alma Skënderaj, në shkelje flagrante me ligjin e barnave, autorizon importin e barit “Fludara oral 10 mg”, sipas autorizimit të importit nr. 16529, datë 14.07.2015, me një çmim CIF 430.2 euro/paketim. Miratimi i çmimit CIF nga Komisioni i Çmimit të Barnave është kusht thelbësor që paraprin importin e një bari të autorizuar në vendin tonë. Nëse ky çmim nuk është i miratuar, nuk mundet kurrsesi të lëshohet autorizimi i importit, element përbërës i formatit të tij”, shkruhet në MEMO. Ndërsa më tej, MEMO-ja sqaron se çmimi i aprovuar ishte dhe më i lartë: drejtori i Agjencisë tejkalon kompetencat duke lëshuar autorizim importi për një bar të autorizuar (të regjistruar) pa patur një konfirmim zyrtar të çmimit CIF të barit dhe për më tepër me një diferencë prej 40.2 euro/kuti nga çmimi i listës së rimbursimit (390 euro/kuti kundrejt 430.2 euro/kuti në autorizim) dhe një diferencë 180.2 euro/kuti (430.2 euro–250 euro i miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave)”, qartëson MEMO-ja.
Por pasi jepet kjo leje, kompania “Sanofi-Aventis” i shkruan drejtoreshës së Drejtorisë Farmaceutike, znj. Shpresa Bello duke i kërkuar rishikimin e statusit të këtij ilaçi. Këtu nis një histori e re dhe një ping-pong mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Drejtoresha Bello pak më vonë i kërkon kompanisë “Incomed” të tërhiqej nga loja dhe ndërkohë në lojë hyn një kompani e tretë. Drejtoria e Bellos njofton se këtë kontratë furnizimi do e lidhte me kompaninë “Rejsi Farma”, ndërsa Fondi e kishte lidhur ndërkohë kontratën me kompaninë “Incomed”.
Nëse do të përmblidhnim të gjithë fabulën në pak fjalë, rezulton se Ministria e Shëndetësisë ka bllokuar fillimisht kompaninë e autorizuar dhe më pas mes ministrisë dhe Fondit kanë lindur rivalitete për të lidhur kontrata me dy kompani të tjera.
E gjithë procedura në fjalë, përveç mpleksjes së interesave dhe aprovimit të ilaçit me çmim gati 40% më të lartë se oferta fillestare, ka shkaktuar dhe furnizimin e tregut me këtë ilaç për leuçeminë për të paktën 4 muaj.
E gjithë fabula është konsumuar në heshtje dhe të gjitha institucionet e përfshira duken tepër të interesuara për të mos bërë publik dokumentacionin që lidhet me këtë çështje.
Ministri Beqaj ka qenë i informuar gjatë gjithë kohës për vonesat, por ai nuk ka lëvizur në zgjidhjen e situatës dhe ka motivuar përplasjen e kulisës mes drejtorëve të tij, të cilët shfaqen tërësisht nën ndikimin dhe komandën e tri kompanive farmaceutike të përfshira në lojë.

Çfarë parashtrohej në Memo-n ku denoncohej afera me ilaçin

– MSH/FSDKSH zgjedh të përfshijë në listën e rimbursimit një bar, çmimi i të cilit është fillimisht 114 euro/kuti më i lartë (276 euro çmimi i zyrës së përfaqësisë kundrejt 390 euro/kuti të kompanisë “Incomed”) dhe më pas diferenca rritet në 140 euro/kuti (250 euro çmimi i zyrës së përfaqësisë i miratuar kundrejt 390 euro/kuti i çmimit të listës, deklaruar nga subjekti “Incomed shpk”).
– Subjekti “Incomed shpk” i përzgjedhur nga MSH/FSDKSH, nuk plotëson dot kushtet e kontratës për furnizim me këtë bar (një herë shprehet për arsye furnizimi dhe më vonë se ka qenë i detyruar nga drejtori i Drejtorisë Farmaceutike të ndërpresë kontratën).
– Drejtori i Agjencisë tejkalon kompetencat duke lëshuar autorizim importi për një bar të autorizuar (të regjistruar) pa patur një konfirmim zyrtar të çmimit CIF të barit dhe për më tepër me një diferencë prej 40.2 euro/kuti nga çmimi i listës së rimbursimit (390 euro/kuti kundrejt 430.2 euro/kuti në autorizim) dhe një diferencë 180.2 euro/kuti (430.2 euro–250 euro i miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave).
– Drejtori i DF në MSH tejkalon kompetencat duke kërkuar heqjen apo përfshirjen e kompanive në kontratat e furnizimin me barna, duke mos njohur asnjë procedurë administrative.
– FSDKSH nxjerr njoftim në faqen e saj zyrtare se kompania e autorizuar për furnizimin me këtë bar është vetëm “Incomed shpk”, ndërkohë që edhe subjekti “Rejsi Farma shpk” pretendon se edhe ai është i autorizuar për barin në fjalë.
– Bari mungoi në treg për muaj të tërë, sepse këto institucione përveçse abuzojnë me çmimin, ia përcjellin situatën njëri–tjetrit, pa i dhënë zgjidhje.
– Pacienti mbetet pa mjekim, ndërkohë që bari është jetik, pasi sipas protokollit ai rekomandohet në Ca, me konsultë të Shërbimit Hematologjik të QSUT.