Skandal i Xhafës me Komisionin e Reformës

243

Fatmir Xhafa është kapur dje në kushte flagrance të falsifikimit të mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi. Mbledhja e Komisionit të Drejtësisë ka marrë dje vendime të rëndësishme për zgjedhjen e Kryeprokurorit dhe rolin që duhet të ketë Presidenti në emërimin e Prokurorëve, por vendimarrja është falsifikuar nga Xhafa.
Komisioni nuk ka pasur kuorumin prej më shumë se 50 për qindësh për të zhvilluar mbledhjen. Kanë qenë prezentë 4 anëtarë të komisionit së bashku me Xhafën, ndërsa kanë munguar përfaqësuesit e opozitës, ka munguar po ashtu deputeti Petrit Vasili i LSI is dhe deputetja tjetër Vasilika Hysi. Zhvillimi i mbledhjes pa kuorum dhe me vetëm 4 anëtarë dhe marrja e vendimeve në kushtet e shkeljes së hapur të ligjit përbëjnë një skandal, i cili nuk do të mund të tolerohet.
Xhafa jo vetëm që nuk e ka shtyrë mbledhjen kur ka parë që nuk ishte i pranishëm kuorumi, por ka nxjerrë para mediave edhe deputetin Manja për të bërë publike vendimet që kishte marrë Komisioni. Në kushtet kur vendime të tilla merren duke sfiduar ligjet dhe rregulloren e Parlamentit nga Komisioni për Reformën në Drejtësi i drejtuar nga Xhafa është e qartë edhe se çfarë produkti mund të nxjerrin këta individë për Reformën.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi bëri me dije se është diskutuar mbi organizimin e prokurorisë, ku është vendosur në parim që të ndryshojë formula e zgjedhjes së kryeprokurorit.
Sipas Manjës, me formulën e re kryeprokurori i ri do të zgjidhet mes kandidaturave të vetofruara me 3/5 e votave në kuvend, pra 84 deputetë. Kjo automatikisht i heq kompetencat presidentit për të zgjedhur prokurorin e përgjithshëm dhe i hap rrugë mazhorancës për kapjen e një prej institucioneve kyçe të drejtësisë, prokurorinë.  Deputeti i PS bëri me dije se me ligjin e ri, ndryshe nga ç’ka qenë deri më sot, prokurorët do të jenë më të pavarur në kryerjen e hetimeve, që e sposton gjithë barrën e hetimit tek ai.
“Pati një prezantim të detajuar të ekspertëve që kanë punuar me këtë projektligj. Kemi të bëjmë me një projektligj që është punuar me kujdes, i cili reflekton edhe ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. Është marrë edhe mendimi i prokurorëve dhe njerëzve të drejtësisë. Projektligji i riu siguron qëndrueshmërinë e institucionit. Nuk do të jetë një organ i centralizuar por i pavarur, ndryshe nga deri tani. Prokurori i çështjes është tashmë i pavarur në kryerjen e hetimeve që e sposton gjithë barrën e hetimit tek ai”, tha Manja.
Por deklarata e deputetit socialist bie me ndesh me qendrimin e vet prokurorëve, të cilët janë shprehur publikisht kundër draftit të Reformës në Drejtësi, e veçanërisht kundër propozimeve të bëra nga mazhoranca në lidhje me zgjedhjen e prokurorëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm.