Po i fryn bilbilit të startit për të ikur

480

Miranda HAXHIA

I dashur Edi Rama, më ka marrë shumë malli për ty; edhe pse të shoh çdo ditë në TV, edhe pse fjalën “dakordësi” e kam m’u si gota me dhallë në mes të bukës, kam mall për ty. Ti ke qenë dhe je një frymëzim i paçmuar për publicistikën time. “Më ler të prehem në gjunjët e tu, o hallemadhi im!”. Prej kohe nuk kam shkruar për ty. Kam menduar se ke qenë si programet kompjuterike “trill” para se t’i blesh më parë, domethënë në provë.
Nuk jam lodhur si shumë piratë të “thyej” këtë tip programi; nuk kam përdorur asnjë mistri servili, asnjë boj plastiko të ithtarëve të tu, daltë e çekiç, si ata që të shantazhojnë për ndonjë leje a tender, jo që jo. E kam shfrytëzuar afatin e programit “Edi Rama” derisa lejon portali on line të përdoret.
Kur iu fute garametit me faturat e energjisë, ai delli i shqiptarit “për inat” më bëri të gëzohesha me ty. Se unë i paguaj faturat që kur kam ardhur në jetë. Nuk pashë ndonjë biznesmen të futej në burg për milionat e papaguara, por u dogj në majë të shtyllës Sokol Kasa, 26 vjeç duke britur si Gëtja, para vdekjes “Merliht!” në fshatin Mzes. Sa për të pjekur bukën. Që nuk e hëngri dot kurrë.
Por dashuria dhe pat’hosi për ty është një ndjenjë pa arsye të arsyes.
Sepse ti ke bërë disa gjëra, ndryshe nga ish-diktatori Hoxha.
Ai ia mori pronën njerëzve dhe e shtetëzoi, ti, po ia merr shtetit dhe po “ua bën kurban” disa njerëzve të veçantë.
Frikën se mos harrojmë burgjet e atij regjimi na e përdave ti, kur burgose Qamilin nga Lushnja që nuk kishte paguar dritat apo babain e atyre dy fëmijëve që nuk ia dolën dot kurrë ta takonin të atin para vdekjes.
E ke ndjerë mungesën time, sepse ti tmerrohesh kur njerëzit, “alabakët” thërrasin në kor emrin tënd. “Ç’është kështu?- do të thoshte një E.Rama i para shumë vitesh,- të lumtur që po heqin qafe një emër (E.Hoxhën), pajtohen skllevër të emrave të rinj”.
Ma shtype kokën, xhani im, më preve bukën e kalamajve. Unë jam në moshë me zonjën tënde, Linda. Ajo punon, ta sjell rrogën në shtëpi, sepse të ka ty burrë, kurse unë kam Maksin që nuk është as te bordi i administrimit të pallatit, jo më në qeveri ku mund të gjesh ndonjë vend pune, të shpiesh fëmijët jashtë vendit, të kesh dëshirë… edhe të lindësh nga e para. (thënë mes nesh- këtë të fundit, nuk e bëj dot, se u zhdukën vezoret e mia qysh 45 vjeç!) Çudi, dhe unë prapë kam mall për ty!
Enveri hapi shumë shkolla për të fuqizuar doktrinën e tij, ti, po i “zipon” nxënësit në ato shkolla që janë ndërtuar para një mijë vjetësh dhe po i bën mësuesit robotë regjistrash e kuadrate burokracirash pa fund. Dhe po ndërton kulla të larta në mes të stadiumeve. Patrioti im! Tifozi im i çmendur!
Ti ke hapur mijëra vende të mrekullueshme pune, por nuk ngjan kurrkund me Enverin që dërgoi popullin në hekurudha. Ti, i lutesh të rinjve të punojnë, fati i tyre i keq që nuk janë profesionistë!
Enveri na izoloi prej botës, ti po i fryn bilbilit të startit për të ikur nga Shqipëria me korsi kolektive.
Do të doja të urreja fytyrën e pudrosur të ish-Enver Hoxhës, por më fanitet si e vizatuar me shkumës mbi fustanin tim të zi, qepur me copë të shtrenjtë “Yves Saint –Laurent” sikur shkëlqen nëpër “tabelat e emulacioneve”- gazetat dhe mediat e tua të dashura- ku fytyra jote që më del si e gdhendur në gurët e Pallatit të Kongreseve.
Por më shumë urrej qiellin gri të kësaj kohe që e bën edhe më të llumtë grupin e njerëzve që ti ke vënë në rresht, që kur hapin gojën për të klithur: “Ti je udhëheqësi ynë i lavdishëm që po sjell Europën në Shqipëri!”, ekspozojnë ca dhëmbë të ndryshkur, në mes të të cilëve nuk gjej asnjë dhëmb të rënë apo të thyer prej goditjes së drejtësisë.
Oh, my darling, Edi Rama,
“E humba ndjenjën e kohës dhe më shkoi mendja te stërgjyshët tonë kusarë që mu në kët ujë, ndër këto dallga, kusarojshin dhe plaçkitshin anijet e pasuna të romakëve”- shkruan Migjeni.
“Një gicë të vogël si spurdhjak e të imët sa dy gishta sikur të kisha, do dinte të klithte pa vonuar dhe me zemër të qëruar, gjith’ditën duke lotuar, varur në kapistër: ‘Na prij, shoku kryeministër!’” jo me si programet “trill”, me disa funksione mangët, por i plotë, me update të rregullta.
Të dua më pak se dje dhe më shumë se nesër. Mos qaj shpirti im, se do të shkruaj përsëri.