Mesazhi i Erdogan për Perëndimin pas sulmeve

185

Pas sulmeve terroriste në aeroportin e Stambollit politikanë nga e gjithë bota shprehen të tronditur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe tha se është e tronditur “nga këto akte të reja dhe tinzare të terrorizmit”. Presidenti turk, Erdogan e dënoi atentatin dhe i bëri thirrje botës për veprim të bashkuar kundër kërcënimit të terrorit. Ai e drejtoi apelin e tij sidomos nga shtetet perëndimore. “Shpresoj që atentati në aeroportin e Stambollit të jetë një pikë kthese në të gjithë botën, sidomos për shtetet perëndimore, për luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste”. Sulmi nuk iu drejtua vetëm 79 milionë turqve, por njerëzve në të gjithë globin, ka thënë Erdogan.
Policët hapën zjarr, kur atentatorët u afruan në pikat e kontrollit në terminalin ndërkombëtar, bëjnë të ditur autoritetet. Tre atentatorët pastaj hodhën veten në erë. Kryeministri turk, Binali Yildirim gjatë vizitës në vendngjarje u shpreh se atentati u ka marrë jetën 41 vetëve. Ende nuk dihet nacionaliteti i viktimave.

Skema e sulmit terrorist

Stambolli rihapi plotësisht Aeroportin Ndërkombëtar “Ataturk”, pas sulmit vetëvrasës, ku humbën jetën 41 vetë dhe u plagosën më shumë se 200. Kompania Turkish Airlines njoftoi se ka rifilluar të gjitha operacionet e fluturimit, duke përfshirë fluturimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Stambollit.
Kryeministri Binali Yildirim tha se, tre persona vetvrasës arritën të martën me taksi në aeroport dhe hapën zjarr me armë automatike, duke qëlluar pa dallim në drejtim të njerëzve, para se të aktivizonin lëndët shpërthyese, ndërkohë që policia po afrohej.
Një dëshmitar i paidentifikuar tha:
“Shpëthyen dy bomba dhe pati shumë të shtëna; njerëzit shtriheshin për tokë dhe u krijua panik. Pas disa minutash, na treguan se në cilin drejtim duhet të vraponim për të shpëtuar. Qëndruam në një bodrum për afro një orë. Nuk e di se sa njerëz kanë vdekur dhe janë plagosur. Nuk kam asnjë ide, por pamjet janë mjaft të rënda”.
Kryeministri Yildirim tha se provat e para flasin për një sulm nga ana e ekstremistëve të Shtetit Islamik.
Grupi Shteti Islamik është fajësuar për dy shpërthime vetëvrasëse në fillim të këtij viti që kishin për objektiv turistët e huaj në Stamboll.
“Është një masakër e madhe. Turqia nuk e meriton një krim të tillë dhe unë e dënoj. Nuk ke ç’të thuash më shumë. Është një ngjarje shumë e trishtueshme. Nuk mund të kryesh një krim të tillë, por ka njerëz që e bëjnë. Është çnjerëzore”, thotë Ali Kolla, banor i Stambollit.
Vitin e kaluar, në Ankara dhe Stamboll u vranë dhjetëra njerëz si pasojë e shpërthimeve të kryera nga Shteti Islamik apo rebelët kurdë. Grupi kurd PKK zakonisht vë në shënjestër forcat e sigurisë, siç ndodhi këtë muaj me një sulm ndaj një autobusi të policisë, ku u vranë 11 vetë.
Korrespondentët e “Zërit të Amerikës” në Stamboll thanë se një nga sulmuesit hodhi vetën në erë në dalje të aeroportit, një zonë e ngarkuar me njerëz që presin transportin. Dy sulmues të tjerë besohet të kenë provuar të hyjnë në terminalin e mbrojtur nga policë të armatosur dhe detektorë me rreze X.
Një dëshmitar i tha shërbimit turk të “Zërit të Amerikës” se, “pati dy shpërthime më të vogla të pasuara nga një më i fuqishëm. Njerëzit vrapuan gjithandej. Nuk dinin ku të shkonin”.