Mediu: Blerja e deputetëve nga Rama, do të sjellë konflikt politik

252

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i bëri thirrje dje Kryeministrit Rama që të mos tentojë blerjen e deputetëve me qëllim votimin e Reformës në Drejtësi pa gjetur konsensusin me opozitën. Duke iu referuar letrës së tri kongresmenëve që bëjnë thirrje për zbatimin e rekomandimit nr. 88, Mediu u shpreh se votimi i njëanshëm i reformës është një akt i turpshëm. “Kongresmenët amerikanë, kryetari i Komitetit për Europën dhe Azinë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit amerikan, Dana Rohrabacher, zv.presidenti i Asamblesë parlamentare të NATO-s, Robert Aderholt, si dhe kongresmeni David Jolly, i kanë kërkuar me një letër të përbashkët, sekretarit amerikan Kerry, që të ndërhyjë tek qeveria dhe klasa politike për të gjetur konsensus bazuar mbi rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Të gjitha përpjekjet e Ramës për të kontrolluar gjyqësorin politikisht nëpërmjet blerjes së deputetëve në Parlament, janë një akt i turpshëm që jo vetëm nuk ndërton drejtësi të pakorruptuar, por do të çojë në një konflikt politik që cenon të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, së bashku me disa miq nga SHBA, David Beasly, ish-guvernator i South Carolina; Nick Landgride zv.president i Madison University, Mounzer FatFat këshilltar i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme, Besnik Mustafaj etj; zhvilluan një takim me të rinj republikanë dhe demokratë, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme rinore, nga SHBA, Gjermania, Kosova dhe rajoni, me temë “Lidershipi i Ri”. Të pranishmit theksuan domosdoshmërinë e pjesëmarrjes të të rinjve në politikë, si domosdoshmëri për të ndërtuar qeverisje funksionale, si dhe për të kapërcyer tranzicionin e gjatë të vendeve ish-komuniste, që vjen si rezultat i qeverive që përpiqen të kontrollojnë jetën e qytetarëve dhe liritë e të drejtat e tyre. “I takon rinisë që të marrë në dorë fatet e vendit”, theksoi Mediu, “jo si dhuratë apo përzgjedhje selektive e politikës, por si forcë kryesore në zhvillim dhe konkurrim”. “Po ashtu, theksoi ai, besimi dhe politika krijojnë një raport të drejtë ndërmjet qytetarit, qëllimeve të tij dhe mirëqeverisjes”.