Kushtetuta e pushtetit që buron nga gryka e pushkës

242

Oert BYLYKBASHI

Lexova reagimin e një politikani të mazhorancës ku, në një përpjekje që ai vetë e konsideronte sinqerisht naive, kërkesën e opozitës për moskapje politike të drejtësisë nga Kryeministri, e krahasonte me një gozhde.
Më kujtoi ky krahasim atë historinë e gozhdës së Nastradinit, i cili pasi shiti shtëpinë, kërkoi të ruante vetëm një gozhde në murin e dhomës së ndenjes. Pronari i ri ia lejoi, se fundja një gozhde ishte. Por u pendua hidhësisht sepse, që prej asaj dite, Nastradini nuk i shqitej nga shtëpia, me sebepin e gozhdës ku kishte të drejtë të varte pallton e tij.
Pikërisht, kjo është ajo gozhda që kërkon të ruaje Kryeministri tek Reforma në Drejtësi: kontrolli mbi vetëm dy institucionet e vetingut. Që t’ua themi troç e thjeshtë shqiptarëve: Kërkon vetëm të emëroje ai vetë ata persona që do të vendosin cilët gjyqtarë dhe prokurorë do të largohen dhe cilët do të qëndrojnë në detyrë. Kaq pak, asgjë me shumë. E ku qëndron problemi për kaq gjë?!
Duhet naivitet i sinqertë për të krahasuar këtë hanxhar në dorën e Kryeministrit me një palo gozhdë! Ose me keq se aq, duhet vendim i sinqertë, por me bindje për të mos lexuar e kuptuar atë që po firmos dhe të krekosesh se po bën reformë në drejtësi! Por duhet paturpësi të thuash që kur i emëron Kryeministri institucionet e drejtësisë kjo e fundit nuk u politizoka!
Kam një pyetje për të gjithë, përveç naiveve të sinqertë: nëse Kryeministri do të kontrollojë emërimin e atyre që do shkarkojnë apo lënë në detyrë gjyqtarët dhe prokurorët, a ka ndonjë shans që ministrat që kanë dhënë koncesione skandaloze me lekët e shqiptareve të hetohen, arrestohen dhe dënohen me burg për korrupsion? Shanset janë afër zeros.
A ka investim me afatgjatë në padënueshmeri sesa ky për Kryeministrin? A ka imunitet me efektiv se ky? Jo, nuk ka!
Dhe dy fjale për kolegun. Tonin e reagimit e kishte sikur po shkruante për draftin e Kushtetutës së 1946, as si atë të 1976. Pushteti buron nga gryka e pushkës! Madje edhe me një koncept brezhnjevjan brenda: “ajo që është e imja është e imja. Ajo që është e jotja mund ta negociojmë”.
Reforma në Drejtësi nuk është e asnjë politikani, aq më pak e 33 firmëtareve të draftit të Ramës. Kushtetuta është themeli dhe çatia e të gjithëve. Duhen patjetër së paku 2 kolona për ta mbajtur, ose do të rrezohet në kokën e të gjithëve.
Tensionimin e procesit dhe të politikes në fakt po e nxit Kryeministri që po përpiqet të blejë e trafikojë mandate. Dhe zhurma e tymi i duhet të hutojë publikun.
Lufta për të garantuar moskapjen e drejtësisë nga politika, sot dhe nesër, ia vlen çdo përpjekje, kosto apo mjet demokratik. Nëse opozita nuk qëndron sot, nqs nuk flasim sot, nesër nuk do të ketë mbetur njeri për të folur kur të mos ketë zgjedhje të lira, kur i korruptuari të arrestojë denoncuesin, apo trafikanti i drogës të hipë e zbresë nga Mercedesat e zinj qeveritarë.